Ndër të gjitha gjërat e sigurta majtas, më e sigurta është dyshimi!

eksperienca të tilla në vendin tonë me demokraci të brishtë, me liri qytetare ende të cunguara,  na ka ofruar vetëm Partia Socialiste, duke patur të qartë se edhe këtu rastet e përjashtimeve dhe të mospërfshirjes së opinioneve NDRYSHE nuk mungojnë. Situatë diametralisht e kundert ne kahun tjetër politik. Në partinë Demokratike komandon Njëshi dhe nuk njeh kurrë humbje. As në ’94-ën me humbjen e referendumit as në’97-ën, as në 2001-shin etj. duke patur, si rrjedhojë të njëjtin lider dhe asnjë zë kundër. Këta të fundit ose zhduken nga skena politike ose rikthehen nën urdhërat e Njëshit, të përulur dhe pa dinjitet.  Partia tjetër e rëndësishme në skenën politike Shqipëtare LSI-a, është një parti që predikon mirë por vepron si mos më keq. Një parti e re, lindur pikërisht nga zërat KUNDËR të së majtës, nën moton “një anëtar një votë”  dhe e vetë etiketuar si parti progresiste. Me humbjen e thellë të këtyre zgjedhjeve të fundit, në të cilat Meta premtonte të paktën 35 deputetë dhe fitoi vetëm 4 të tillë, jo vetëm nuk pati dhe nuk duket në horizont se do të ketë një dorheqje të kryetarit, por e ndoti edhe më keq emrin e mirë të kësaj partie me mbledhjen farsë të Konventës, dhe denigrimit, gati linçimit, të dy nënkryetarëve të partisë dhe zërave të tjerë KUNDËR.

Një karakteristikë e veçantë e popullit të majtë (simpatizantëve të së majtës) është skepticizmi, kërkimi i defektit dhe kritika brenda “llojit”, shpesh herë deri në vetë-asgjesim, duke lënë në harresë kritikën ndaj së djathtës që në rastin konkret është edhe në qeveri. Kjo vërehet qartë sidomos tek analistët me prirje të majta. Vështirë të shpjegohet ndryshe  lehtësia me të cilën gjatë fushatës elektorale, përpos kritikës ndaj qeverisë  kritikohej edhe opozita. Dikush duke parë në të një opozitë të dobët e dikush duke e konsideruar atë tepër agresive, qasje e cila lë në hije shënjestrën kryesore të një analisti, aq më tepër me prije të majta, që është Qeverisja e vendit, aq më tepër kjo e Sali Berishës. Për tu rikthyer në situatën pas zgjedhore, ku shihet cuditshëm një ngutje për të kërkuar përgjegjësitë brenda partisë duke lënë në hije ankimimin në Kolegjin Zgjedhor, që do të thotë mbajtje e premtimit të mbrojtjes së votës dhe leximin përfundimtar të rezultatit të zgjedhjeve.  

Ndërsa një analizë e pa infektuar nga skepticizmi do të shqetësohej më tepër për faktin se në Shqipëri për të dytën herë me radhë Berisha qeveris pa patur votën popullore, ndërsa e majta qëndron në opozitë edhe pse e ka këtë votë, dhe jo të kërkojë në pjatë kokën e humbësit i cili humbës nuk është . Një analizë e pa infektuar nga skepticizmi i majtë  do të shqetësohej që Berishën në pushtet në 2005-ën e solli njeri midis Nanos dhe Metës, sot sigurisht po e mban Meta, ndërsa vullneti i popullit është tjetërkund dhe jo të kërkojë kryqëzimin e Partisë Socialiste që për herë të parë pas krijimit të LSI-së eshtë forca kryesore në vend.

 

Onufri

Duhet të vrasim Gjergj Elez Alinë!

Problemi i dytë, antishqiptarizmi, është më i mprehtë – ai qëndron mbi kokat tona si shpata e Damokleut. Pse duhet ta vrasim një mit frymëzues të sa e sa gjeneratave, një trim mbi trima një kockëzim të dashurisë vllazërore? Nje personifikim të shqiptarit të vërtetë, trim e sypatrembur? Në agun e Luftës së Dytë Botërore, Pater Anton Harapi shtroi një pyetje shumë domethënëse: “a jemi shqiptarë apo do bahemi?” Një analizë gjuhësore e kësaj pyetjeje dhe e situatës historike në të cilën ajo u parashtrua tregon se për Frat Antonin, në atë kohë, ne nuk ishim shqiptarë dhe, me forcë e vendosmëri, ai nxirrte në pah domosdoshmërinë që ne të bëheshim të tillë. A u bëmë? Në vazhdën e opinioneve të sotshme mbi vitet e komunizmit, mund të themi se sistemi monist jo vetëm që nuk e ngriti më lart figurën dhe karakterin e shqiptarit, por e degradoi edhe më shumë, e bëri dekadent. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për kaosin dhe tranzicionin (me që kjo fjalë na pëlqen kaq shumë) e demokracisë. Si përfundim: përderisa nuk jemi bërë akoma shqiptarë nuk ka pse na shqetëson edhe problemi i antishqiptarizmit: pa shqiptarë nuk mund të ketë antishqiptarë.

Kthehemi te Gjergji. Pse ta vrasim? Dhe, mbi të gjitha, pse ta vrasim moralisht?
Le të qartësojmë disa terma.
Gjergj Elez Alia është një mit, dhe një mit në një shoqëri kryen funksione të ndryshme. Mitologjia shpjegon gjenezën e kozmosit, tregon origjinën e fisit apo tribusë; miti përbën një ideal të palëvizshëm, që lëviz mes të shkuarës mbihistorike dhe së tashmes absolute, dhe në këtë të tashme (për mitet nuk ekziston kategoria “e ardhmja”) ai duhet që në bazë të normave të përcaktuara të rregullojë sjelljen e anëtarëve të komunitetit.
Si qëndron puna me Gjergjin?
Në bazë të një sociologjie të thjeshtë, detyra kryesore e një miti është që një tabu apo një normë ta kthej

ë në një vlerë kulturore. (qartësojmë se tabutë dhe normat janë rregulla të fiksuara që detyrojnë, ndërsa vlerat janë thjesht kritere që, për një anëtar të kësaj apo asaj kulture, filtrojnë dhe tregojnë se çfarë ky anëtar pëlqen apo nuk pëlqen; pra, normat dhe tabutë ecin me tog-fjalëshin “ti duhet”, për vlerat nuk mund të thuhet diçka e tillë).
Është e qartë se problemi në fjalë është një problem moral. Mitet janë ngushtësisht të lidhura me moralin. Edhe vdekja (e supozuar) e Bajlozit, nga topuzi i Gjergjit, është një vdekje morale. Ai vdiq sepse parashtroi haptazi dëshirat e tija seksuale karshi motrës së Gjergjit. Tani jemi mu në zëmër të problemit.
Ndërsa Bajlozi vdiq moralisht, me kalimin e kohës vdekja e tij u bë faktike. Ai ekziston, dhe ekziston pikërisht nëpërmjet vdekjes së tij. [Sartri mendonte se një njeri ekziston për ne në dy mënyra: nëpërmjet pranisë dhe nëpërmjet mungesës]. Përkundrazi, Gjergji akoma nuk ka vdekur; ai është i pranishëm (vetëm moralisht, duhet theksuar kjo), për shëmbull, në mëndësinë e çdo shqiptari që është gati ta kacafytet, madje edhe të vdesë, nëse ndokush shpreh dëshirat e veta erotike karshi nënës, motrës, apo familjarëve (të tjerë) të tij. Ky është ai Gjergji moral, dhe pikërisht këtë duhet të vrasim.
Çështja që shtrohet tani është disi e vështirë. Edhe pse guximi mund të duket i tepruar, këtu, mund të shtrohet një tezë: prania e miteve të tilla bën që shoqëria shqiptare të jetë një shoqëri tribale. Prania e miteve të tilla tregon se këto mite vazhdojnë të na paraqesin tabu dhe jo vlera. Gjergj apo Konstandini nuk e kanë përmbushur misionin e tyre. Të mos harrojmë se funksioni i një miti është që një tabu apo normë ta ktheje në një vlerë kulturore, diçka që Gjergji me Konstandinin nuk arritën ta bënin.
Ashtu si Sizifi, ata vazhdojnë të enden lart e poshtë skutave të errëta të një shoqërie me zemër tribale që ka hedhur mbi supe vellon e industrializmit dhe teknikës.
Pavarësisht se na pëlqen të dukemi perëndimorë, pavarësisht celularëve dhe internetit, ne vazhdojmë të jemi tribalë. Në një vënd perëndimor, çdokënd që do të pyesnim (përveç Makiavelit, sigurisht), do të na përgjigjej se është diçka e mirë që dikush ta mbajë fjalën e dhënë, se është diçka e mirë që njeriu të jetë i guximshëm dhe trim, që të përballojë situatat më të cilat ndeshet… por vetëm kaq. Besa e trimëria për  të, në ndryshim nga ne, nuk është një tabu. Nuk është një detyrim (nuk ka “ti duhet”). Të mos jesh i guximshëm apo trim, të jesh gënjeshtar, është diçka që jo domosdoshmërisht duhet të të turpërojë. Vlerat janë vlera dhe tabutë janë tabu.
Ja pra pse duhet ta vrasim (moralisht) Gjergjin – ja edhe pse (moralisht) Konstandinin duhet ta hedhim nga kali. Për të qënë perëndimorë. E them këtë duke patur parasysh dëshirën tonë ta madhe për t’u dukur apo për t’u bërë  të tillë. Nëse kjo është diçka e mirë apo e keqe, kjo është një çështje krejt tjetër. Kërkon debat të gjërë të përcaktosh nëse një popull duhet të përqafojë mendimin teknik, të veprojë vetëm duke pasur në mëndje përfitimin vetiak dhe dëshirën për t’u bërë i pasur, të mashtrojë për të arritur këtë qëllim, apo të jetë një njeri i besës, trim e guximtar, të ruajë njerëzinë dhe të respektojë mikun. (besoj se në qoftë se një problem i tillë do t’i parashtrohej një shqiptari ai pa asnjë mëdyshje do të zgjidhte në favor të besës, trimërisë dhe mikut).
Si përfundim, atij djalit që dëgjon minimal, që i mban pantallonat të varura deri poshtë prapanicës, dhe që i ka flokët si një supersajan; asaj vajzës gjimnaziste që dëgjon emo, rri e ngrysur dhe tualetin e sajon në një mënyrë të tillë që të duket sa më e zymtë, që e kaplon dëshira për t’u dukur sa më Junky; apo asaj vajzës tjetër që vishet “me rripa” dhe mahnit djemtë me kërcimet e saj nëpër lokalet e natës; apo atij djalit me këmishë të bardhë e mbërtheçka zbërthyer deri tek kërthiza që në makinën e tij dëgjon tallava… si përfundim, këtyre, por edhe shumë “perëndimorëve” të tjerë, mund t’u themi me plot gojën: miq të dashur, nëse vërtet dëshironi të dukeni të tillë, nëse vërtet dëshironi të bëheni të tillë, atëherë ju duhet të vrisni Gjergj Elez Alinë, dhe kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë duke patur parasysh topuzin që ai mban ndër duar!!!

Kel Musaj

Greva që çorri një tufë me maska

Natyrisht që ne nuk duam që këto të përsëriten në Shqipëri. Periudha kaotike në të cilën ato u zhvilluan i përket një kohe tjetër. Megjithatë, vija ndarëse për të legjitimuar një protestë dhe jo një tjetër është shumë e ngushtë. Në një shtet si i yni ku partishmëria është më e fortë se ndjenja e përkatësisë në një shtet të së drejtës gjithkush ka bindjen e thellë se protesta e tij është më e mirë, më sublime dhe më e legjitimuar se e tjetrit. Në këtë aspekt, të bëhemi gati se sapo të kemi ndërrim të pushtetit do të kemi balukekrehurit e qeverisë në rresht për një para një çadre blu për të prerë çdo lidhje midis stomakut të tyre dhe ushqimeve dhe për të kërkuar ndonjë të drejtë që qeveria do jua mohojë në mënyrë të padrejtë.
Por nuk i themi këto për të minimizuar rëndësinë e grevës dhe të protestës në përgjithësi. Përkundrazi, protesta mbetet në këtë vendin tonë një armë e pashfrytëzuar mirë me anë të të cilës mund të dëgjohen seriozisht kërkesat e grupeve që reklamojnë të drejtat e tyre me anë të këtij mjeti. Dhe kjo për arsye se në Shqipëri nuk mund të sigurohen, mbrohen dhe promovohen të drejtat minimale që ka gatitur Kushtetuta dhe ligjet për individin për shkak të mentaliteteve të vjetra që ende sundojnë, për shkak të korrupsionit, për shkak të dëshirës atavike për pushtet të njerëzve si Kryeministri ynë. Rrjedhimisht, të vënë para një situate që nuk siguron mbrojtjen kushtetuese të individëve, e drejta do të kërkohet me protestë. Kjo nuk duhet të vihet më në diskutim sot në Shqipëri. Por, nëse protestat berishiane kishin nje pamje klanore, protesta e ditëve te sotme edhe pse tërësisht e legjitimuar nuk i ndahej dot idesë se në disa aspekte ajo dukej e sforcuar dhe e ndrydhur. E sforcuar sepse u desh një katalizator i fuqishëm si greva e urisë për të ndërgjegjësuar njerëzit të dilnin të denonconin fillesën e çdo nëpërkëmbje të të drejtave të tyre. E ndrydhur sepse fjalimet përshkallëzoheshin duke i dhënë shpesh herë tone apokaliptike dhe kur vinte momenti i shpërthimit, u kujtohej turmës nga ligjëruesit  se ajo duhet të përmbahej për të treguar se “ne i respektojmë institucionet”… Por nuk mund të qe ndryshe. Ne jemi në fillesat e ndërgjegjësimit qytetar dhe protesta, e pavarur nga çdo parti politike, nuk ka hyrë ende në kulturën tone qytetare.

Ndoshta, që të triumfonte kauza e protestës më shpejtë, do të nevojiteshin disa grupe të pavarura politikisht të cilat do të radikalizonin veprimin politik. Natyrisht, kjo Qeveri shurdhe do të nxirrte daullexhinjtë dhe kërcimtaret e rastit për të nënvizuar qytetarinë e tyre shterpë dhe për të stigmatizuar grupet e revoltës si anti-demokratike dhe staliniste, por pak rëndësi ka. Në këtë kakofoni deklaratash që ata na kanë mësuar, veprimi i organizuar do të binte më shumë në sy në ambjentin e squllët politik shqiptar dhe do të bënte që daullexhinjtë qeveritarë të merrnin trajtat e papagajve besnikë në përsëritjen e alogjizmave qeveritare…

Por më shumë sesa triumfi i kauzës (që mbetet për t’u vërtetuar) dhe triumfi i qytetarisë përballë rreshtimit fashist që shteti bëri në krah të interesave të Kryeministrit, vlen të theksohet se kjo grevë shërbeu për të identifikuar disa sjellje në mesin tonë që tregon se jo vetëm nuk jemi në një demokraci të mirëfilltë evropiane, por po vuajmë ende mendësi të vjetra, të pluhurosura të të kaluarës që kanë refleksin tashmë të njohur të rreshtimit krah pushtetit kur pushteti e kërkon “me mirësjellje” një gjë të tillë. Dhe këto rreshtime jo vetëm nuk janë të shëndetshme por duhet të fusnin intelektualët në mijëra mendime në lidhje me qënien e tyre si të tillë dhe misionin që mund t’i kenë caktuar vetes, nëse e kanë caktuar një të tillë.
Në këtë kuptim, na u duk shumë domethënëse antimitingu i Sali Berishës, që nuk duam ta komentojmë më, pasi vet njerëzit e pranishëm aty e kuptuan për një çast se si njeriu mund të bëhet hije e vetvetes dhe të bjerë në kotësinë e një ekzistence, në të cilën të fusin metodat fashiste që fatkeqësisht i përdor një qeveri kinse demokratike… Na është dukur shumë domethënëse, edhe pse e papritur listimi i intelektualëve, term gjenerik që në Shqipëri nuk do të thotë asgjë, nëpër lista kundër grevës për arsye që një deputete aktore e PD-së i rreshtonte si shumë të rëndësishme, duke filluar nga bllokimi i bulevardit dhe duke përfunduar me bjerrjen e personalitetit të gruas, pasi sipas saj një grua nuk duhet të futet në grevë se ka shëndet më të dobët…  Ishte shumë e turpshme të lexoje nëpër gazeta shkrime intelektualësh (gjithmonë kjo fjala që në Shqipëri nuk do të thotë asgjë…) me arsyetime nga më banalet, nga më çoroditëset që nuk i prisje të formuloheshin nga gojë që deri dje përfaqësonin ajkën e intelektit shqiptar (…) si A. Plasari apo S. Kumbaro por që sot vetëm me një shkrim inkoherent nëpër gazeta aspak koherente kanë treguar se aftësinë e tyre për të bërë kompromise të pështira me ndërgjegjen e tyre. Nga ana tjetër, dihet mjaft qartë që intelektualët e vendit tonë nuk janë shumë të respektuar. Atyre u duhen bizneseve të reja për të ngritur prestigjin, i trajtojnë mirë financiarisht por kurrsesi nuk duhet të thonë fjalën e tyre dhe rrjedhimisht raporti i tyre me të vërtetën nuk është aspak fisnik ashtu sikundër mund të jetë karriera e tyre. Pikërisht sepse çdo fjalë e tepërt e thënë u rrezikon të ardhurat, bizneset që i punësojnë, sepse qeveria me anë të gëringave, rohm-ëve dhe gëbelsave të saj të vegjël reagon pa paralajmëruar… Megjithatë, për të qënë në krah të intelektualëve paksa të frikësuar, duhet të themi se opozita, për shkak të veprimeve të saj kur ishte në pushtet nuk i ka krijuar mundësitë intelektualëve që të jetojnë si të pavarur…

Kjo grevë shërbeu gjithashtu për të kuptuar se ç’lloj marrëdhënie mban Evropa, më saktë institucionet e saj, me Shqipërinë. Më shumë se kurrë, na duhet të përsërisim atë që kemi thënë në një artikull të mëparshëm të Gjeneralit se Evropës i rreh meraku te stabiliteti dhe jo te standardet. Evropa e ka shumë të qartë se çfarë zgjedhjesh mund të organizojnë partitë politike shqiptare dhe tashmë i kanë akorduar violinat e tyre në një tonalitet: zgjedhjet më të mira se të fundit po sërish me disa probleme (të cilat presupozohen se do të rregullohen në turin e ardhshëm zgjedhor, ose nëpërmjet disa ndryshimeve surrogate të kodeve zgjedhore si ai i 2005, i sponsorizuar nga të panjohurit e famshëm të OSBE-së…). Dhe zgjedhjet e radhës nuk i shpëtuan këtij rregulli. Evropa është në gjendje të kuptojë kasaphanën që fshehin ato kuti, po nuk do kurrsesi të hapen sinqerisht pasi mbi të do të bjerë faji i rëndë i pranimit në gjirin e saj të një vendi me shumë probleme që nuk kërkon t’i ballafaqojë, por t’i fshehë në një petk zhvillimi vegimtar. Dhe Evroa i bën iso kësaj loje të shpifur. Tashmë, kërkesa e opozitës kokëfortë po e ve Evropën para një dileme të madhe: të heshtë prapa preteksteve të stabilitetit dhe justifikimeve shterpë të qeverisë për respektim vendimesh të gjykatave apo të hapë kutitë duke u ballafaquar dhe ajo me refleksin demokratik që duket se e ka harruar jo vetëm në marrëdheniet me Shqipërinë por dhe brenda marrëdhënieve që e lidhin atë me isntitucionet e saj…

                                                                                                                                                                   Stavri