Perseritja e historise

   Zgjedhja e Sali Berishës si kryeministër, pas fitores “dhënë në tavolinë” më datë 3 korrik 2005 u bë pas një hibernacioni intelektual të shqiptarëve, pas një harrese kolektive e ndihmuar nga një naivitet që karakterizon një popullsi që ka besuar gjithmonë atë që i servirin. U premtua një ringjallje prej feniksi e vlerave të demokracisë shqiptare, së cilës është vështirë t’i gjesh rrënjët, ku mishërimi i tyre do të ishte personi që desh i groposi përfundimisht ato. Revolucioni i ri demokratik i drejtuar nga Sali Berisha në vitin 2005 ishte farsa më zbavitëse e historisë moderne shqiptare. U krijua një organizëm shtesë që do të injektonte në trupin e sakatuar të PD-së gjak të ri, që do ringrinte atë strukturë të kalbur tashmë që po bëhej gati të rimerrte pushtetin vetëm me një makiazh sa grotesk aq edhe efikas. Grotesk sepse në të u mblodhën shumë njerëz që deri para pak kohësh mendohej se parimisht nuk binin dakord me liderin e pd-së, dhe me parimisht nuk nënkuptojmë vërejtje banale kafenesh ku cdo kush në momente euforie egoiste mund të lëshojë ndaj dikujt tjetër, dhe askush nuk do e vërë re dhe të nesërmen ata vazhdojnë ritualin e tyre në të njëjtën vend. Me parimisht nuk nënkuptojmë divergjenca pikëpamjesh për mënyrën sesi mendohet realizimi i një reforme në një moment të caktuar. Me parimisht nënkuptojmë kthimin prapa nga njëra anë dhe vullnetin për të ecur përpara nga ana tjetër, me brutalitetin e rrahjes së kundërshtarit nga njëra anë, dhe me vuajtjen fizike, mendore, familjare të tij nga ana tjetër. Dhe pse kjo? Sepse u guxua të formulohej një fjalë kundër liderit të epokës gjoja demokratike, po që në fakt ishte një zgjatim i shëmtuar anarko-fashist i periudhës moniste. Efikas, sepse kasta dembele e derrave të 2001-it bëri të mundur që cdo kritikë të mos dëgjohej me veshin e ndërgjegjes, por të amplifikohej paturpësisht nga një tellall që shurdhoi aftësitë e njerëzve për të kuptuar se liria fitohet me përpjekje dhe mbahet me sakrifica, një zhurmues që manipuloi “në dritën e diellit” një pjesë intelektuale të popullsisë, sepse kujtoi se njeriu mund të ndërrojë sic ndërron gjarpri lëkurën, po në fakt ai zvarranik mbetet, përvecse i rrezikshëm. Me pak fjalë, një propagandë e orkestruar mirë, një ngritje në fuqi e toleruar hapur, një kthim mbrapa i anoncuar me kohë…

Katër vjet pas triumfit të demokracisë, jemi sërish këtu, në një situatë sa kaotike dhe aq e mefshtë, sa revolucionare aq edhe reaksionare…

Situata aktuale nuk mund bëjë tjetër vecse të na kujtojë në një refleks të parë vjeshtën e vitit 1996. Ajo periudhë analizohej si periudha ku demokracia në Shqipëri ishte një fjalë që figuronte në një emër partie dhe në ndonjë dispozitë të një pakete kushtetuese që luante rolin e kolonës kryesore ku bazohej shteti shqiptar, ose më mirë të themi kioska shqiptare. Parlamenti ishte katandisur në një kafene të urtë njerëzish të corientuar, që mundoheshin ti jepnin një kuptim atij funksioni abskons, pasi nga ajo sallë dilnin ligje, legjitimiteti i të cilave ishte i dyshimtë, pasi vullneti i sovranit nuk pasqyrohej saktësisht. Qeveria ishtë një mjet tjetër në duart e të gjithë pushtetshmit president, institucionet e pavarura ekzistonin me emër, kishte punonjës në to, po të gjithë e kuptonin që pavarësia e tyre ndodhej brenda një kuadri të vartësisë së presidentit. Me pak fjalë, mungesa e demokracisë, e balancave aq të nevojshme për një demokraci ishte verbuese.

Për të mos folur për situatën ekonomike, e cila përbënte një batutë në vetvete, mrekullia shqiptare, pastërtia e parave të shqiptarëve, e shumë batuta legjendare të presidentit që në fakt po fshihnin më së miri situatën insurreksionale që po gëlonte në vend.

Po sot, cfarë kemi? Situata politike është po ajo. Ndërlikimet që vijnë nga një prani konstante e ndërkombëtarëve në Shqipëri, si dhe detyrimet ndërkombëtare që e lidhin vendin tonë vecse zbusin paksa tensionin që ekzistonin si pasojë e dëshirës së të njëjtit person për pushtet të pakufi. Prokuroria, presidenti, kkrt-ja, arsimi i lartë… Lista mund të ishte e pafund, po ne po përmendim vetëm kryesoret. Dhe tërë këto përpjekje për kontroll janë bërë duke intimiduar deputetë, njerëz të afërt me të interesuarit, me presione ndaj bizneseve. Për të mos folur për aferat korruptive që përfshijnë tërë kupolën shtetërore…

Këto janë realitete të cilave nuk mund t’i shmangemi. Dy sjellje mund të adoptohen ndaj tyre, ose t’i pranojmë, të vihemi në rresht dhe të heshtim duke pritur se zemërgjerësia qeveritare mund të na prekë dhe ne. Ose të ngrejmë zërin dhe të pranojmë që dicka nuk shkon në tokën e shqipes. Dicka ecën mbrapsht, dicka nuk përkon me ëndrrën gati shekullore për demokraci dhe zhvillim social, dicka po shkon drejt kalbjes, dhe kjo dicka po tërheq drejt këtij procesi sjelljet tona, pasionet tona, ëndrrat tona, punën tonë, jetën tonë.

Tërë këto vite harlisjeje gati patologjike duhet ta në bëjnë të reflektojmë, por jo shumë gjatë, pasi më shumë sesa një reflektim, nevojitet aksion. Mosbindja në kushtet e sotme është një domosdoshmëri që diktohet nga guximi që duhet të karakerizojë cdo person në këtë vend për të shpresuar, jo vetëm për një jetë më të mirë, por edhe për një vend më të mirë, në një kuadër global që po përpiqet gjithmonë e më shumë të ecë sipas parimeve që duhet të diktojnë dhe sjelljen tonë.

Na duhet kombi, jo kombësia

Gjithë problemi qëndron në statusin juridik të kombësisë që ka ruajtur ligji për gjendjen civile.  Ligji përfshin termin “kombësi”, së bashku me emrin, atësinë, seksin, vendlindjen dhe shtetësinë në përbërësit e regjistrit të gjendjes civile, duke e kthyer këtë element në një të dhënë që duhet komunikuar me detyrim.  Në këtë kuptim, ligji i jep një kuptim juridik të plotë fjalën “kombësi”, pasi gjendja civile është regjistrimi i vazhdueshëm, i qëndrueshëm dhe i detyrueshëm i ndodhive, karakteristikave të ngjarjeve jetike të popullsisë, sipas përkufizimit që japin Kombet e Bashkuara, pra në njëfarë mënyre është memoria e shtetit në lidhje me individët e tij dhe që, në bazë të së cilave, lindin pasoja juridike për shtetasit.  Kështu, nëse ndodh një ngjarje në jetën e njeriut (siç është vdekja, martesa, divorci), ato do të prodhojnë efekte juridike, të drejta dhe detyrime në raportin shtet/individ.  Integrimi i kombësisë në këtë kuadër tregon vullnetin e ligjvënësit shqiptar për t’i dhënë atij koncepti një kuptim juridik të fortë, si për shembull, lënien e shtetësisë shqiptare, nëse vërtetohet se një individ është i një kombësie tjetër.  Pra, sipas Ligji për gjendjen civile, kombësia duhet deklaruar me detyrim.

Nga pikëpamja juridike, kjo kërkesë e ligjit është antikushtetuese pasi bie ndesh me nenin 20 të Kushtetutës, i cili sanksionon parimin e mosdetyrimit për të bërë publike përkatësinë etnike.  Gjithashtu, po nga ana juridike, përkatësia etnike hyn te ato që quhen të dhëna sensitive, të cilat nuk mund të mblidhen dhe përpunohen nga organet publike nëse individët nuk kanë dhënë pëlqimin në mënyrë të qartë për një gjë të tillë.  Këto parime nuk kanë lindur dje.  Këto kanë ekzistuar me kohë si në dokumentet ndërkombëtarë në lidhje me kombësitë ashtu dhe në Kushtetutën e Shqipërisë të 1998, ndërkohë që Ligji për gjendjen civile është i vitit 2009 (?!)

Atëherë çfarë e shpjegon këtë verbëri juridike të ligjvënësit shqiptar?  Për mendimin tonë nuk është verbëri, as harresë, por pjesë e një plani të përgjithshëm dhe koherent për t’i dhënë kombësisë një vend të rëndësishëm në kuadrin juridik shqiptar, pavarësisht se askush nuk e kërkon një gjë të tillë.  Nëse kombësia njëherë e një kohë shërbente si koncept bashkues, ndërkohë që shteti shqiptar herë ekzistonte, herë zhdukej, herë shitej dhe herë blihej, sot ne kemi konceptin juridik të shtetësisë, që rregullohet me ligj të veçantë.  Pavarësisht përkatësisë etnike, ajo që do të vlejë në sytë e shtetit është fakti nëse një shtetas ka shtetësi shqiptare ose jo.  Për sa i përket përkatësisë etnike, siç e thotë dhe Gjykata Kushtetuese, shteti duhet të marrë masat e nevojshme që të identifikojë grupet etnike në mënyrë që të sigurojë edukimin dhe zhvillimin e kulturës së tyre, në përputhje me Kartën kuadër evropiane për Mbrojtjen e Minoriteteve.  Dhënia e një statusi të barazvlefshëm juridik, si shtetësisë ashtu dhe kombësisë krijon dy standarde, gjë që është e rrezikshme për qenësinë e shtetit shqiptar.

Në kuptimin praktik, çdokush ka të drejtë të gëzojë të drejtat që lindin nga fakti se i përket një etnie ose minoriteti të caktuar.  Kjo gjë garantohet nga Kushtetuta dhe nga dokumentar ndërkombëtarë.  Po nuk kuptojmë përse shteti shqiptar organizon dhe orkestron më së miri mënyrën dhe mjetet jo vetëm për këta individë por edhe individë shqiptarë që përfitojmë me dokumente fals ose me censuse të rremë një kombësi tjetër që do të krijojë më vonë pasoja juridike, ku më e pakta është marrja e një shtetësie tjetër dhe krijimi i një harte etnike shqiptare që nuk përputhet me realitetin. 
Aleancat patriotike afër Qeverisë, kryesisht PDIU, u mbrojtën duke thënë se kombësia nuk do të kërkohet me detyrim në census dhe se kjo ishte një fitore e tyre.  Në dukje po.  Pasi në kllapa dhe me shkrim të vogël thuhej se kjo e dhënë nuk është e detyrueshme.  Por në aspektin ligjor aspak.  Të dhënat sensitive, siç janë ato të përkatësisë etnike duhet të mblidhen sipas një procedure të veçantë të rregulluar nga Ligji për të dhënat personale.  Një gjë të tillë organizuesit e censusit ende nuk e kanë provuar se e kanë bërë.  Kjo gjë na shtyn të mendojmë se ky census është bërë nën trysni politike dhe për interesa që gjenden tjetërkund.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të deklarojnë nëpër televizorë dhe nëpër dokumente se janë shqiptarë.  Ata kanë nevojë të ndjejnë se janë pjesë e një kombi me vlera që mishërohet në një shtet me vlera.

Stavri

Republikë pa President

E mirëpritëm këtë qëndresë të parë, edhe pse ishim të zhgënjyer që erdhi kaq e vonuar. Shumë drama përjetoi ky vend dhe nuk e ndjeu kurrë praninë e institucionit të Presidentit, i cili është vërtet mbi palët, por pikërisht për këtë duhet të jetë më prezent dhe më i vendosur, sidomos kur i duhet të dalë mbi palën Kryeministër që në Shqipëri nuk është pak, sepse quhet Berisha.

Presidenti i Republikës së Italisë Napolitano, nuk ka më shumë kompetenca se presidenti ynë. Edhe ai zgjidhet me 50% plus një të votave në parlament. Por në momentet e vështira që po përjeton vendi fqinj kohët e fundit, ai ka ditur të dalë gjithmonë mbi palët dhe ka marrë vendime të rëndësishme. Në një sistem demokratik ku në pushtet qëndron shumica dhe vendimet merren jo rrallë herë pa konsensus, të qëndrosh mbi palët, shpesh do të thotë të dalësh kundër Kryeministrit dhe ligjeve që kalon mazhoranca me shumice të thjeshtë, dhe pikërisht këtë ka bërë Napolitano, duke i rikthyer disa prej tyre në parlament, apo duke dalë hapur kundër qëndrimeve antikushtetuese të një mazhorance tepër të fortë.

Ndërsa në Shqipëri, gjatë këtyre pesë viteve kemi shënuar vetëm një rast kur Presidenti Topi ka dalë hapur kundër Qeverisë, pikërisht ligji i famshëm dhe i mbrapshtë për importin e plehrave. Dhe tek ne nuk kanë munguar miratimet e ligjeve antikushtetuese, nuk kanë munguar qëndrimet ekstreme në të dyja kahet politike mazhorancë dhe opozitë, te ne nuk kanë munguar as revoltat masive nëpër rrugë, as kontestimet e zgjedhjeve, as deformimet e tyre dhe as vjedhjet e tyre. Shqipërisë nuk i kanë munguar dështimet e një pas njëshme, si për shembull ngelja në klasë për të dytën herë rresht siç nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër që paraqet kandidaturën për anëtarësim në BE. As dramat nuk kanë munguar dhe nuk është e tepërt që ti përsërisim e ti ri-përsërisim deri në fund, deri sa të ketë një fije drejtësi; Shpërthimi në Gërdec që shkaktoi 26 viktima e qindra të plagosur dhe krimi shtetëror, sy ndër sy, përballë kamerave të shumta, në dritën e diellit në 21 Janar. Në Shqipëri nuk kanë munguar as rastet e vrasjeve misterioze të deputetëve, politikanëve dhe gjyqtarëve…

A ka mbetur ndonjë gjë pa ndodhur në Shqipëri për të na bërë të gjithëve indiferentë dhe Presidentin menefregist?! Terren për të dalë hapur dhe qartë kundër padrejtësisë dhe kundër abuzimit me pushtetin ka pasur dhe ka plot. Për të qenë kreu i shtetit dhe President i një vendi nevojitet mbi të gjitha të jesh prezent dhe jo i fshehur, në krye dhe jo në mes të fushës.

Deklarata e Bamirit nga Pogradeci nëpërmjet së cilës na deklaroi ne shqiptarëve, publikisht, se është lojtar i mesfushës, na shkakton një buzëqeshje pasi na kujton se Presidentin e kemi tifoz, çun lagjeje me balluke, që edhe ndonjë lotari e hedh kur bie rasti, pikërisht ashtu si është pjesa dërrmuese e rinisë shqiptare  dhe ashtu si nuk duhet të jetë për të pasur një vend të lirë dhe të drejtë. Por akoma më shumë kjo deklaratë na le një zhgënjim të thellë. Për një çast i harruam të gjitha çfarë lamë pas gjatë këtyre viteve të pafundme tranzicion, dhe menduam që të paktën u bëmë me President. Edhe pse i kujtuam Bamirit që ishte disi vonë, sërish e përkrahëm sepse nuk është asnjëherë tepër vonë. E përkrahëm sepse jemi optimistë të pashërueshëm dhe sepse besojmë që gjërat mund të bëhen në vendin tonë, ka ende mundësi. Por Bamiri me deklaratën ironike nga Pogradeci, na e tha copë të gjithëve, që përveçse oportunizëm politik, në shërbim të ndonjë fete pushtet në zgjedhjet e 2013-ës, nuk kemi për të parë gjë tjetër prej tij. Të rrimë të qetë se institucioni i Presidentit nuk ka ekzistuar dhe nuk ka gjasa të ringjallet në vazhdim. Madje si çun i mirë lagjeje me balluke, Presidenti zgjodhi të luajë në mesfushë. Aty ku nuk i hyn në punë asnjërës  prej partive por aq më pak i shërben qytetarëve. Jemi dakord me neutralitetin e nevojshëm të institucionit të Presidentit por jo në këto kushte dhe me çdo kusht. Që të fitojë i miri kundrejt të keqit ka nevojë për ndihmën dhe pozicionimin e asnjanësit.

Përballë një krize të rëndë ekonomike Napolitano, Presidenti i Republikës fqinje, mori në dorë pushtetin dhe ia delegoi atë një kryeministri të ri, të cilin jo pa të drejtë e quajnë Kryeministri i Presidentit.

Përballë një krize politike, ekonomike, sociale, institucionale dhe morale Topi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur të qëndrojë në mes dhe të mos bëjë asgjë. Rroftë Republika!

Onufri

Evropa si alibi e babëzizë për plehra

Shqipëria pati fatin unikal që t’i refuzohej hyrja në BE dy herë, por kjo nuk e bën atë të jetë larg Evropës, sepse si vizionarë që janë, shtetet evropiane u kanë bërë thirrje me kohë vendeve si ky i yni që të zbatojnë ligje evropiane, në mënyrë që të lehtësohet hyrja në një kohë të dytë BE. Në këtë kuadër, duhet vendosur dhe transpozimi (edhe pse fjala në rastin e Shqipërisë nuk është i saktë) i Direktivës kuadër të 2008 në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Shumë po flitet në lidhje me këtë ligj transpozues, po ama shumë pak po informohet. Shoqëria civile po përpiqet të ndërtojë mbrojtjen dhe duhet inkurajuar, ndërsa Qeveria po shmang çdo lloj informacioni në lidhje me këtë ligj duke u fshehur prapa gogolit evropian ose prapa broçkullave të lirisë së qarkullimit të mallrave. E para është fakt, e dyta është e diktuar nga marrëdhëniet ekonomike tashmë të padiskutueshme po nëse e para pranohet në parim, e dyta funksionon në bazë të disa rregullave pa të cilat njerëzit do ishin kthyer në skllevër ose kafshë, të dyja në kuptimin e parë të fjalës.
Në lidhje me direktivën e famshme për menaxhimin e mbetjeve, rregullat bazë janë parimi i ndotësit-pagues, i përgjegjësisë së prodhuesit përgjatë gjithë zinxhirit të transportit dhe parimi i afërsisë dhe autosufiçencës (ose menaxhimi i mbetjeve sa më afër vendit të prodhimit).

Vetëm duke lexuar dy të parat e kupton se sa problem do të jetë zbatimi i këtij ligji në Shqipëri. Nëse Erzeni do të kthehet në një rrënojë arkeologjike, nëse malet ku ka kaluar ethshëm Skënderbeu mbi kalë do rrafshohen me tokën pasi t’u jetë nxjerrë dhe grushti i fundit i gëlqeres, nëse të gjitha stalagmitet dhe stalagtitet e Shqipërisë do të kenë zbukuruar mejhanen e shëmtuar të ndonjë kryekomunari nëpër Shqipëri, atëherë do të jetë tepër vonë për të kapur për veshi ndotësin dhe për ta detyruar të paguajë, akoma më keq kur mbrohet nga Qeveria. Që këtu mund ta quajmë debatin të mbyllur dhe të arrijmë në konkluzionin se nuk mund të ketë tanspozime parimesh të bukura në Shqipëri me këto palo mekanizma që kemi.
Por për hir të debatit dhe të sqarimit në lidhje me importimin e plehrave duhet të themi dy fjalë në lidhje me pikën e tretë, domethënë me parimin e afërsisë së menaxhimit. Frika se mund të bëhemi të mërzitshëm nuk duhet të na ndalojë se cituari nenin 16 të direktivës që flet pikërisht për këtë parim: “Vendet anëtare ndërmarrin mjetet e nevojshme që, me ndihëm e vendeve të tjera anëtare kur del e nevojshme, të vendosin një rrjet të integruar dhe të përshtatshëm eliminimi të mbetjeve. Vendet anëtare mund të kufizojnë importin e mbetjeve kur ky import rezulton në eliminimin e mbetjeve kombëtare (përdoret fjala eliminim dhe jo djegie) ose nëse këto mbetje duhet të trajtohen jo sipas planit kombëtar të menaxhimit. Rrjeti konceptohet në mënyrë të tillë që t’i lejojë Bashkësisë të sigurojë vet eliminimin e mbetjeve të saj dhe të lejojë vendet anëtare që të shkojnë individualisht drejt këtij qëllimi duke marrë në konsideratë kushtet gjeografike ose të instalimeve të spacializuara për disa lloje mbetjesh.”

Përkthimi i shkurtuar kishte si qëllim të nxirte thelbin e këtij neni. Duket qartë se në radhë të parë ky nen është objekt i një interpetimi të gjerë. Nëse e interpreton si Artan Hoxha, që ka hallin e prodhuesit më shumë se të konsumatorit, ky nen shikohet si shpërthimi përfundimtar i çdo lloj kufiri në favor të tregut dhe kësisoj plehrave, me qëllim babëzinë e prodhuesve dhe indirekt ndonjë përmirësim i momentit i jetës ekonomike të shqiptarëve. Sipas vizionit të tij të zhvillimit industrial shqiptar me hope të shpejta si në kohën e Enverit, Shqipëria shumë shpejt do të ketë nevojë për përdorimin e saj të brendshëm më shumë plehra për të ricikluar se ç’mund të prodhojë… Ne edhe mund ta urojmë këtë vizion optimist të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, por ne nuk jemi në gjendje ta vërtetojmë edhe pse diçka na thotë që ky është argumenti i gjetur aty për aty për të mbrojtur për të disatën herë Qeverinë në lajthitjet e saj.
Po nëse e interpreton sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, të autosufiçencës, të respektit të natyrës dhe të një plani ekonomik të qartë që do të udhëhiqte politikat në Shqipëri, do t’i përafroheshim më shumë interpetimit që bën Kodi francez i Mjedisit, i cili në lidhje me trajtimin e mbetjeve parashikon kushtet në të cilat pushtetet vendore mund të kërkojnë, përjashtimisht, kapacitete djegieje ose magazinimi jashtë departamentit në rast të tejngopjes së kapaciteteve të tyre trajtuese. Që do të thotë se një vend si Franca nuk tenton të nxjerrë mbetjet si zgjidhje përfundimtare të trajtimit të tyre, por vendos një kufi në bazë të parimit të afërsisë, pikërisht sepse vetëm kështu mbrohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe vetëm kështu mund të “kënaqet” tregu me mbetjet e recikluara. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për Italinë. Besojmë se ajo ka kapacitete djegieje dhe recikluese më të mëdha se tonat, megjithatë i hedh sytë nga ne. Nuk kemi pse t’i bëjmë një proçes strategjive italiane. Këtu vlen të kritikojmë gatishmërinë e qeverive tona si majtas ashtu dhe djathtas për t’i hapur rrugë importit ndërkohë që nuk ka asnjë masë kontrolli, nuk ka asnjë plan aktual për trajtimin e mbetjeve tona dhe nuk e dimë në ç’nivel është ndotja aktuale e mjedisit me atë lloj menaxhimi që i bëjmë tani mbetjeve.

Shumë mbrojtës të Qeverisë thonë se nëse nuk pranohet importi nuk do të bëhen as investimet për pajisjen me fabrika recikluese sipas standardeve evropiane. Ky është një argument që e thurrin ata që Shtetin e shikojnë si gjë që s’funksionon kur e shikojnë se duhet investuar për të. Dhe këtu heqin dorë fare nga investimi për Shtetin dhe për të mirën e kombit, në favor të zgjidhjeve të shëmtuara kolonizuese. Kapacitetet për të ndërtuar fabrika reciklimi nuk i kemi, po ama nëse bëhet investimi i duhur më këtë drejtim do të pajisemi me to. Dhe këtu, kur Shqipëria të jetë bërë një recikluese model të mbetjeve dhe kur Shqipëria të ketë nevojë të ngutshme për letër, pasi të gjithë do të jenë bërë shkrimtarë, poetë, prozatorë, atëherë,duke shfrytëzuar direktivën, mund të hapnim rrugën e importimit të mbetjeve nga vendet fqinje.

Puna është se nuk duam dhe e lëmë veten të kushtëzohemi nga të huajt: bëni këtë, që të keni atë. Në çdo negociatë ka kushte, po dorëzimi pa kushte nuk është negociatë, është kapitullim. Dhe Shteti ynë po kapitullon. Bashkë me të dhe shpresat për një të ardhme më të mirë, në një mjedis të pranueshëm për ne dhe për ata fëmijë udhëheqësish aktualë që nuk do të largohen jashtë vendit.

Stavri

 

Hipoteza mbi skenaret e mundshem gjeopolitike (I)

Askush nuk mban sferen magjike per te qene i sigurte mbi te ardhmen dhe ate qe do te ndodhe, por pas murtajes ekonomike qe ka plasur ne oborrin tone te perbashket , eshte e sigurte dhe mjaft e qarte per cilindo se raportet  e forces midis shteteve sot kane ndryshuar.Madje edhe kriteret mbi te cilat ishin ngritur keto raporte tashme  jane thermuar si mure qerpici. Faktore te rendesishem  te kesaj krize jane varesia e forte nga burime energjitike si nafta , gazi etj; sistemi ekonomik-financiar pa rregulla te qarta dhe pa rregullatorè, me perjashtim te atyre te brendshem (pra autokorrigjimi hipotetik i ekonomise ne sistemet kapitaliste); si edhe globalizimi ekonomik-kulturor, drejt se cilit po avancohet si ne mjegull  dhe pa nje objektiv perfundimtar. Eshte e qarte gjithashtu se kjo krize nuk mund te mbetet thjeshte dhe vetem ekonomike, por do te shtrije ndikimin e saj edhe ne sferen sociale, politike dhe ne raportet ndershteterore, duke cuar deri ne konflikte te armatosura.

Nga njera ane qendron  SHBA-ja, nje superfuqi e padiskutueshme ekonomike dhe ushtarake e cila njezet vitet e fundit, qe pas renies se murit te Berlinit, ka drejtuar  e pashqetesuar nga askush ne arenen nderkombetare, duke krijuar keshtu  nje disekuiliber ne nivel  forcash boterore. Situate kjo qe ka demtuar ne menyre te pavetedijshme pikerisht Shtetet e Bashkuara, ku ka patur nje rritje ekonomike te popullsise disproporcionale dhe larg mundesive reale. E gjitha kjo e lehtesuar edhe nga  nje sistem financiar i kredidhenies pa kontroll, qe sot po ve perpara nje prove te veshtire themelet mbajtese te ekonomise kolose Amerikane. Vertet SHBA-te kane ekonomine me te fuqishme aktualisht por zoterojne gjithashtu edhe borxhin me te madh ne nivel nderkombetar ku Japonia dhe Kina jane kreditoret me te medhenj te saj dhe zoterojne se bashku rreth 50% te ketij  borxhi. Pas tyre renditen vendet prodhuese te  naftes, Evropa dhe Rusia.

Le te kalojme tek Kina. Nje vend ne zhvillim qe po njeh nje bum ekonomik, tashme prej nje dekade. Duket se kriza ekonomike aktuale nuk e prek ne menyre direkte Kinen, sikur te mos ishte qe ekonomia e saj eshte e lidhur ngushte me ate Amerikane ne aspektin e eksporteve dhe sic permendem me siper ate te blerjes nga Kina te nje fete te madhe te borxhit Amerikan. Sidoqofte parashikimet mbi rritjen ekonomike vjetore vazhdojne te jene ne shifrat 7-10 perqind dhe kriza thjeshte do ta anashkaloje Dragoin Aziatik. Kina behet keshtu nje kandidat serioz per  lidershipin boteror, duke vene ne pikepyetje rolin e Shteteve te Bashkuara dhe duke cenuar kandidaturen e nje Evrope te vjeter, te dobet dhe te copezuar.

Pra Evropa, oborri yne i perbashket,  pjese e se ciles kerkojme te jemi edhe ne. Ne fillim ekspertet me ne zè te Brukselit na siguruan se kriza ishte e izoluar vetem ne SHBA, qe ekonomite e shteteve Evropiane ishin te sigurta; me pas tonet u zbuten disi dhe u pranua se parashikimet nuk ishin forte te sakta,  ndersa tani duket sikur kriza eshte me e forte ketu ne Evrope se kudo tjeter. Por ekspertet nuk u gabuan aspak; kriza i ka rrenjet ne SHBA dhe i kishte te gjitha gjasat te mos i kalonte kufijte e Atlantikut, edhe sistemi bankar Evropian eshte mjaft i shendoshe per te perballuar nje krize te tille. Problemi i vetem dhe i pandreqshem i Evropes qendron ne copezimin e madh te saj dhe ne egot personale te shteteve kryesore, qe e drejtojne de-fakto kontinentin e vjeter. Nje shembull i koheve te fundit eshte edhe veshtiresia e gjetjes se nje akordi midis vendeve anetare per ngritjen e nje fondi te perbashket, me qellim perballimin e veshtiresive bankare. Nese Evropa arrin te zgjidhe ceshtjen e te qenurit nje ze unik dhe ketu eshte shume i rendesishem aspekti politik, i forcuar me pas edhe nga ai ekonomik, atehere cdo krize do te mund te perballohej me mè shume siguri. Do te permendim ketu qe Evropa e bashkuar zoteron aktualisht GDP-ne me te larte te krahasuar.

Le te mos harrojme Rusine, si nje superfuqi qe po ringjallet nga rrenojat e Bashkimit Sovjetik. Rezervat gati te pafundme te gazit, ne nje moment kur etja per  energji nuk njeh kufij,duket se po i japin nje jete te dyte tokes se “Carit” Putin…  Megjithate zhvillimet e fundit po tregojne te gjithe brishtesine e ngrehines se Rusise se re. Me sa duket burimet energjitike nuk jane te mjaftueshme  ose te pakten nuk munden te vetme ta mbajne ne kembe nje ekonomi, nese nuk kombinohen me faktore te tjere, e pare kjo ne driten e globalizimit.

Duke patur parasysh kete mozaik aspak premtues per te ardhmen, na hapen skenare nga me te ndryshmit. Po tè shihet varesia e Evropes nga gazi Rus mund te mendohet nje “aleance” midis ketyre te dyjave. Ndersa ne krahun tjeter nuk do te kemi mè nje pakt Atlantik, por nje “aleance” te Paqesorit mes SHBA-se dhe Kines. Por le te kujtojme ketu edhe dy superfuqi te tjera si  Japonia dhe India qe muajin e fundit (nentor 2008) kane qene aktore te disa marreveshjeve bilaterale.

Pra ne nje krize te hapur kemi nje bote qe zjen ne kerkim te ekuilibrave te rinj…

J.GJ.

Hipoteza mbi skenaret e mundshem gjeopolitike

Madje edhe kriteret mbi te cilat ishin ngritur keto raporte tashme  jane thermuar si mure qerpici. Faktore te rendesishem  te kesaj krize jane varesia e forte nga burime energjitike si nafta , gazi etj; sistemi ekonomik-financiar pa rregulla te qarta dhe pa rregullatorè, me perjashtim te atyre te brendshem (pra autokorrigjimi hipotetik i ekonomise ne sistemet kapitaliste); si edhe globalizimi ekonomik-kulturor, drejt se cilit po avancohet si ne mjegull  dhe pa nje objektiv perfundimtar. Eshte e qarte gjithashtu se kjo krize nuk mund te mbetet thjeshte dhe vetem ekonomike, por do te shtrije ndikimin e saj edhe ne sferen sociale, politike dhe ne raportet ndershteterore, duke cuar deri ne konflikte te armatosura.

Nga njera ane qendron  SHBA-ja, nje superfuqi e padiskutueshme ekonomike dhe ushtarake e cila njezet vitet e fundit, qe pas renies se murit te Berlinit, ka drejtuar  e pashqetesuar nga askush ne arenen nderkombetare, duke krijuar keshtu  nje disekuiliber ne nivel  forcash boterore. Situate kjo qe ka demtuar ne menyre te pavetedijshme pikerisht Shtetet e Bashkuara, ku ka patur nje rritje ekonomike te popullsise disproporcionale dhe larg mundesive reale. E gjitha kjo e lehtesuar edhe nga  nje sistem financiar i kredidhenies pa kontroll, qe sot po ve perpara nje prove te veshtire themelet mbajtese te ekonomise kolose Amerikane. Vertet SHBA-te kane ekonomine me te fuqishme aktualisht por zoterojne gjithashtu edhe borxhin me te madh ne nivel nderkombetar ku Japonia dhe Kina jane kreditoret me te medhenj te saj dhe zoterojne se bashku rreth 50% te ketij  borxhi. Pas tyre renditen vendet prodhuese te  naftes, Evropa dhe Rusia.

Le te kalojme tek Kina. Nje vend ne zhvillim qe po njeh nje bum ekonomik, tashme prej nje dekade. Duket se kriza ekonomike aktuale nuk e prek ne menyre direkte Kinen, sikur te mos ishte qe ekonomia e saj eshte e lidhur ngushte me ate Amerikane ne aspektin e eksporteve dhe sic permendem me siper ate te blerjes nga Kina te nje fete te madhe te borxhit Amerikan. Sidoqofte parashikimet mbi rritjen ekonomike vjetore vazhdojne te jene ne shifrat 7-10 perqind dhe kriza thjeshte do ta anashkaloje Dragoin Aziatik. Kina behet keshtu nje kandidat serioz per  lidershipin boteror, duke vene ne pikepyetje rolin e Shteteve te Bashkuara dhe duke cenuar kandidaturen e nje Evrope te vjeter, te dobet dhe te copezuar.

Pra Evropa, oborri yne i perbashket,  pjese e se ciles kerkojme te jemi edhe ne. Ne fillim ekspertet me ne zè te Brukselit na siguruan se kriza ishte e izoluar vetem ne SHBA, qe ekonomite e shteteve Evropiane ishin te sigurta; me pas tonet u zbuten disi dhe u pranua se parashikimet nuk ishin forte te sakta,  ndersa tani duket sikur kriza eshte me e forte ketu ne Evrope se kudo tjeter. Por ekspertet nuk u gabuan aspak; kriza i ka rrenjet ne SHBA dhe i kishte te gjitha gjasat te mos i kalonte kufijte e Atlantikut, edhe sistemi bankar Evropian eshte mjaft i shendoshe per te perballuar nje krize te tille. Problemi i vetem dhe i pandreqshem i Evropes qendron ne copezimin e madh te saj dhe ne egot personale te shteteve kryesore, qe e drejtojne de-fakto kontinentin e vjeter. Nje shembull i koheve te fundit eshte edhe veshtiresia e gjetjes se nje akordi midis vendeve anetare per ngritjen e nje fondi te perbashket, me qellim perballimin e veshtiresive bankare. Nese Evropa arrin te zgjidhe ceshtjen e te qenurit nje ze unik dhe ketu eshte shume i rendesishem aspekti politik, i forcuar me pas edhe nga ai ekonomik, atehere cdo krize do te mund te perballohej me mè shume siguri. Do te permendim ketu qe Evropa e bashkuar zoteron aktualisht GDP-ne me te larte te krahasuar.

 Le te mos harrojme Rusine, si nje superfuqi qe po ringjallet nga rrenojat e Bashkimit Sovjetik. Rezervat gati te pafundme te gazit, ne nje moment kur etja per  energji nuk njeh kufij,duket se po i japin nje jete te dyte tokes se “Carit” Putin…  Megjithate zhvillimet e fundit po tregojne te gjithe brishtesine e ngrehines se Rusise se re. Me sa duket burimet energjitike nuk jane te mjaftueshme  ose te pakten nuk munden te vetme ta mbajne ne kembe nje ekonomi, nese nuk kombinohen me faktore te tjere, e pare kjo ne driten e globalizimit.

Duke patur parasysh kete mozaik aspak premtues per te ardhmen, na hapen skenare nga me te ndryshmit. Duke patur parasysh varesine e Evropes nga gazi Rus mund te mendohet nje “aleance” midis ketyre te dyjave. Ndersa ne krahun tjeter nuk do te kemi me nje pakt Atlantik, por nje “aleance” te Paqesorit mes SHBA-se dhe Kines. Por le te kujtojme ketu edhe dy superfuqi te tjera si  Japonia dhe India qe muajin e fundit kane qene aktore te disa marreveshjeve bilaterale.

Pra ne nje krize te hapur kemi nje bote qe zjen ne kerkim te ekuilibrave te rinj…