Edhe sikur të donte, Lulzim Basha nuk do të ishte në gjendje ta luante kaq mirë budallain. Dhe këtë rol që po e performon aq mirë, e ka nga skenari që ia ka përgatitur shumica, e cila, në emër të gjithëpërfshirjes, po i hap rrugë budallait, rrugë e cila nga shteg, së shpejti do të bëhet autostradë, nëse nuk ndalohet me këto manira konsensuale që nuk të çojnë askund. Po vazhdoi kështu, rrugët që të çojnë drejt Kushtetutës do të kthehen në shtigje malore gjithmonë e më rrallë të rrahura.
Inepsia e fundit është propozimi i Bashës që të “ulemi dhe të ndryshojmë Kushtetutën” për ta bërë Presidentin e zgjedhshëm nga populli. Ky është propozimi i Bashës. Edhe njëherë që hoqi dorë nga qeveria teknike (për pak, se në fakt, ai është refreni i çdo fund monologu ditor), hodhi një ide që e komplikon akoma më shumë situatën, një propozim që kërkon ndryshimin e Kushtetutës, që nuk zgjidh asnjë problem të hapur, për zgjidhjen e të cilëve jemi duke pritur të gjithë: vetingu, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e presidentit.
Asnjë prej tyre nuk trajtohet seriozisht, por me shumë seriozitet kalohet nga dega në degë, duke krijuar probleme të reja, të panevojshme dhe duke lënë të pazgjidhur problemet ekzistues.
Nga kjo kakofoni e qëllimshme e budallait që po i hapet rrugë, nuk kemi dhe s’duhet të presim qendrim serioz nga ndonjë parti tjetër në spektrin politik shqiptar. Nëse PS dhe LSI kanë hallin e koalicionit të tyre dhe sa të zgjidhin këtë çështje, luajnë me budallain, parti të tjera që mund të luajnë kartën e luajalitetit ndaj Kushtetutës, duke dalë kështu në sy të publikut si parti parimore, fillojnë e heqin vallen e budallait, madje duke u përpjekur të tregohen të mençur. Mesila Doda, e PDIU-t, e priti propozimin e zgjidhjes së Presidentit nga populli me një “ua kemi thënë” triumfues, a thua se ideja e budallait është e vërtetë që legjitimon çdo shpikje që thuhet lart e poshtë, mjafton që të mos jetë në Kushtetutë.
Gjithçka që po bëhet këto ditë ka vetëm një viktimë: Kushtetutën. Nëse të gjitha këto janë inskenime, strategji, taktika, lojëra, makinacione, zgjuarsira, vobektësira intelektuale, asnjëra nuk i përafrohet sadopak asaj që kërkon Kushtetuta. Është shumë interesante të shikohet sesi, kur është e shkruar e zezë në të bardhë, të gjithë bëjnë sikur nuk dinë të lexojnë ose hapin një libër tjetër, sipas qejfit dhe atëherë, kur nuk është e shkruar e zezë mbi të bardhë, shpikin konceptin e “frymës” së ligjit ose të Kushtetutës. Këtu nuk jemi as në grahmat e fundit të gërmës, as në shprehjen e fundit të frymës. Kushtetuta i ka të qarta çdo afat dhe procedurë që duhet ndjekur. Mirëpo Kushtetuta nuk ka parasysh dhe nuk mund të ketë parasysh, nivelin intelektual, skuthëror dhe debilizues të atyre që duhet dhe kanë për detyrë ta lexojnë.
Kjo lojë e budallenjve që qarkullojnë dhe flasin lirshëm në rrugë do të mbarojë në një moment. Mirëpo është mirë që ta kujtojmë këtë periudhë. Kjo periudhë është simptomatike e çdo veprimtarie shoqërore në Shqipëri: të gjithë e dimë se si bëjnë si budallenj dhe të paditur ata që duhet të shërbejnë popullin, kur interesi i tyre qendron tjetërkund, por kurrsesi te shërbimi i popullit dhe forcimi i shtetit.
Në pritje të rrugës së re që do t’i hapet budallait…