Lustracioni-apo-kastracioni

Së pari, na tërheq vëmendjen terminologia e përdorur për këtë ligj. Për pastërti figurash dhe për lustracion (në kuptimin e bërjes së dickaje të ndrisë) mund të flitet vetëm në një sistem si ai i së kaluarës, ku matej individi jo vetëm nga aftësia por edhe nga afërsia me elementë tradhëtarë, si hije që e ndjekin atë pas, duke e ndrydhur atë dhe duke e ostracizuar pa të drejtë. Nëse fryma e ligjit nuk është kjo që terminologia gabimisht po na shtyn të mendojmë, atëherë kryeministri duhet të na shpjegojë se për cfarë bëhet fjalë në të, larg retorikës së tij boshe plot emfazë qesharake, dhe përse kapet me dajot, prindërit e figurave të sotme politike. A nuk është kjo një bolshevizëm enverist? Të paktën, kryeministrin nuk mund ta shajmë në një aspekt, në konsekuencën për sa i përket ndjekjes së logjikës komuniste edhe sot 20 vjet pasi u rrëzuan muret nëpër Evropë.

Së dyti, dhe meqë ra fjala, përse 20 vjet më vonë? Pse jo në 93, 94, 95…? Ose të paktën pse jo në dhjetor 2008, por me kushtin që të ishte bërë një debat i gjerë publik, pasi ky ligj nuk sanksionon sasitë e rrushit dhe kumbullave që do të eksportohen, po flet për historinë e një kombi, dhe përballjen me veten e vet. Po të flasësh për introspeksion është shumë kur shikon fytyrën e kryeministrit, introspeksioni i vetëm i të cilit është “a kam unë mundësi të rri dhe 4 vjet ose më shumë në pushtet?”

Dhe këtu hymë te pika e tretë, te një tentativë profane në shpjegimin e urgjencës së bërjes së këtij ligji në periudhë paraelektorale. I vetmi shpjegim është eliminimi nga gara i kundërshtarëve të rrezikshëm, nëpërmjet komisioneve që do të ngrihen nga ky ligj i shëmtuar, dhe mbajtja nën presion ose nën kujdesin e vecantë të kryeministrit të të tjerëve. Në këtë optikë, ai vazhdon të ketë mundësinë e kontrollit mbi ta pasi edhe pse hoqi sistemin mazhoritar, nëpërmjet këtij ligji kontrollon cdo njeri që do të futet në listat e proporcionalit për  deputet.

     Ne jemi të mendimit se zgjidhja e këtij momenti kyc historik, sic është ligji për ballafaqimin e një populli me veten e vet është një debat i gjerë publik, një farë lloj terapie kolektive, ku të gjithë të shiheshin në sy dhe ku njëra palë të pranonte dëmin që kishin bërë, dhe ku pala tjetër, e respektuar nga shteti dhe e mbrojtur prej tij të dëgjonte në lartësinë e dinjitetit të saj sesi parimet e njerëzimit triumfojnë dhe se asnjëra prej vuajtjeve të tyre nuk harrohet. Praktikat ndërkombëtare ekzistojnë, Afrikë e Jugut etj… Natyrisht, kush është për tu dënuar sipas parimeve ndërkombëtare të pranuara, do të dënohej. Po ne këtu nuk po flasim për këtë kategori.

Po a realizohet dot kjo në Shqipëri? Jemi të mendimit se jo. Mjafton të shohim kush është në krye të qeverisë dhe ne kemi përgjigjen për këtë pyetje. Ne nuk mendojmë se kryeministri do të dëshironte ballafaqimin, se ka shuma gjasa që dhe ai do të ishte një prej njerëzve që do të kishin shumë gjëra për të thënë dhe shumë faje për të pranuar. Nëse bëmat e tij do të kishin një fund… Duket se jo.

Liria ndrydhi artin

art
Artistët e mëdhenj të brezit të vjetër, po shuhen një nga një. Roland Trebicka është ikona e artit skenik shqiptar. Me ndarjen e tij nga jeta skena e Teatrit Kombëtar humbi një vlerë të pazëvendësueshme. Natyra përshkon rrugën e saj dhe dalëngadalë po ndahen nga ne të gjithë artistët e skenës, të muzikës lirike, të pikturës dhe skulpturës; kompozitorë, violinistë, tenorë, instrumentistë, shkrimtarë, poetë e studiues duke na lënë neve, një art të varfër të rreckosur, të pafuqishëm, në ditët e fundit të agonisë. Continue reading “Liria ndrydhi artin”

Dordoleci

dordolec

I thanë dordolecit, fshatarët e rropatur nga puna, nën diellin përvëlues “po ti, për çfarë na duhesh?”.
Ata, që e kishin bërë me duart e tyre, e pyetën sërish “për çfarë duhesh kur arat na i griu miu?” Dhe u gatitën për ti vënë zjarrin.
Donte t’iu përgjigjej Dordoleci “ju vetë më bëtë gjysmë trupi e më ngulët në një hu”…

Një makinë luksoze e tipit BMW me targa të huaja, i preu rrugën autobusit të linjës Tiranë-Kamzë. Katër djem të rinj të veshur me xhinse dhe bluza firmato, me flokë të qethura,me siguri te i njëjti berber, dolën nga makina të armatosur, thyen xhamat e autobusit dhe nxorën zvarrë drejtuesin e tij. Fyerje, grushte dhe goditje çnjerëzore. Blici u zhvillua në mes të ditës, në qendër të Kryeqytetit, përpara Kafe Florës, në rrugën e Durrësit. Continue reading “Dordoleci”

Përpara se të ngremë Flamurin në dritare

perpara
Ne shqiptarët kemi pasur gjithmonë një bindje që na gudulis krenarinë. Bindjen se prej shekujsh, dielli del për të nxjerrë në pah bukurinë dhe fisnikërinë e tokës së shqiponjave. Veçse, këto vitet e fundit, kemi filluar të dyshojmë, kemi filluar të mendojmë se edhe dielli kur del ka si qëllim të na turpërojë, e të na tregojë me dritë dite se sa e shëmtuar po na duket Shqipëria sot. Deri në këtë vit të 100 të Pavarësisë, dyshimi po na kthehet ne konstatim. Duke uruar që konstatimi s’do të kthehet në bindje negative, do të ishte mirë që vetë ne të fillojmë të ndërtojmë një shoqëri dhe një shtet me të cilin të krenohemi pa as më të voglin dyshim. Continue reading “Përpara se të ngremë Flamurin në dritare”

1 Maji i parë

dita_e_punetoreveDuke filluar nga vitet ’90 e deri më sot Shqipëria përjetoi një transformim të paprecedentë. Jo vetëm kalimi nga sistemi diktatorial në atë pluralist, nga ekonomia e centralizuar ne tregun e lirë dhe nga komunizmi në kapitalizëm. Shteti totalitar dhe i kudondodhur deri dje, pushoi së ekzistuari disa herë këto 20 vjet, tragjedi si të Otrantos dhe të Gërdecit gjithashtu nuk mund të shqiten nga kujtesa. Lufta në Kosovë, tranzicioni dhe Pavarësia shënuan një epokë të re për të gjithë shqiptarët. Continue reading “1 Maji i parë”

Principata e Lazaratit dhe despotati i biznesit familjar

lazarat_3125Ndërsa i afroheshim qytezës nuk mund të mos ndjeja një princip eksitimi. Po shkelja aty ku nuk shkel dot asnjë polic. Fuoristrada përparonte me shpejtësi të ulët aty ku asnjë zyrtar i shtetit nuk e merr guximin të afrohet. Me t’u shfaqur ndërtesat e para rruga ngushtohej, kurse një Mercedes modest i parkuar keq paralajmëronte një kontroll rutinë. Dy meso burra me barqe mirëqenieje thuajse identik, na morën në pyetje krejt natyrshëm. Pasi sqarova fije për pe çdo detaj të origjinës time, lidhjet farefisnore me një vendali i cili do martohej të nesërmen (sigurisht që në këtë qytezë njihen të gjithë) dhe kohëzgjatjen e qëndresës sonë, na hapën rrugë e na lanë të kalonim me urimet më të përzemërta… Continue reading “Principata e Lazaratit dhe despotati i biznesit familjar”

Regjim me saktësi snajperi

snaiper f
Dy prej katër viktimave të 21 Janarit u qëlluan me armë preçizioni! Ndërsa nën breshërinë e armëve të gardës humbën jetën dy dhe u plagosen rreth njëqind të tjerë. Shumë prej tyre u mjekuan në shtëpi, jo sepse spitalet nuk ofrojnë higjenë dhe kushte të pranueshme, por sepse shtëpia ofron mbrojtje nga regjime që funksionojnë me saktësinë e një snajperi. Ky është bilanci i një dite proteste në Tiranë, bilanc të cilin të gjithë e kemi harruar, e kemi varrosur në memoriet tona. E megjithatë diçka mbetet edhe kur kemi tendencën të fshijmë horrorin nga kujtesa, mbetet instikti. Askush nuk ka për të dalë më në protesta, jo sepse ato e kryen misionin e tyre, jo sepse ka mbetur në zemrat e qytetarëve frika, ajo varroset bashkë me kujtesën. Por instiktivisht të gjithë do të ruhen, pikërisht nga plumbi i fshehtë, preçiz, i kurdisur me saktësi nga mëndje perverse pushtetarësh të babëzitur. Continue reading “Regjim me saktësi snajperi”