Zonjë, kthejani dorëshkrimin… Ose jo

Historia e dorëshkrimit të librit të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe” mund të mos merret vesh kurrë.  Autori mund ta ketë dhuruar realisht (nuk besoj se mund të kishte krenari më të madhe asokohe se fakti që krijimtaria e dikujt të lexohej nga sytë e udhëheqjes), por mundet që dorëshkrimi të jetë ruajtur, me kërkesë të kësaj udhëheqjeje, në një vend më të sigurt për arsye që mbeten të panjohura dhe më pas, ndoshta për forcë të zakonit, ndoshta për arsye se u kuptua se ai mbartte gabime ideologjike, u vendos të mos nxirrej më nga ajo arkivë.  Sot, dorëshkrimi gjendet në posedim të Nexhmije Hoxhës dhe autori i atij dorëshkrimi kërkon kthimin mbrapsht, sipas tij, në zbatim të ligjit për të drejtën e autorit.

Për t’i dhënë ca copëza përgjigjeje konfliktit të krijuar, duke mos patur pretendime shqiptare për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare një çështjeje që do të mbajë zgjuar opionionin thashethemdashës publik, duhet të bëjmë një përpjekje dhe të vendosemi në një kuadër juridik të këtij problemi.
Gjithçka ka një pikënisje.  Dhe kjo histori e ka me çastin e kalimit të posedimit të dorëshkrimit nga duart e shkrimtarit në atë të udhëheqjes.  Ky moment nuk ka për t’u zbardhur ndonjëherë, sepse ekziston mundësia reale që asnjëra prej palëve nuk dëshiron të zbardhë tërësinë e çështjes.  Por nëse do të hamendësojmë se çfarë ka ndodhur do të vendosemi përpara dy opsioneve: ai i faljes ose i dhurimit dhe ai i “konservimit” ose ruajtjes së dorëshkrimit, që në fakt përbën një sekuestrim të tij.

Në rastin e parë, a ka të drejtë potencialisht Ismail Kadare që të kërkojë kthimin e dorëshkrimit?  Po, por jo tamam; jo tamam se e ka dhuruar.  Po, sepse është autor dhe lidhja midis veprës dhe autorit është e një natyre krejt të veçantë.  Që do të thotë se ekziston gjithmonë një konflikt midis të drejtës së kontratave dhe të drejtës së autorit.  Dhe në këtë kontekst, duhet bërë ndarja midis dorëshkrimit fizik dhe të drejtës së autorit mbi përmbajtjen e dorëshkrimit që përbën dhe veprën.  Nëse e para mund të disponohet lirisht nëpërmjet një kontrate dhurimi, e dyta (vepra që përmbahet në dorëshkrim) jo.  Ekziston ajo që quhet e drejta morale e krijuesit të veprës që përfshin ndër të tjera respektimin e tërësisë së veprës, vendosjen në vepër të emrit të autorit dhe atë që quhet e drejta e divulgimit ose e përhapjes së veprës, sipas së cilës autori gëzon të drejtën të vendosë nëse, në ç’mënyrë dhe kur vepra e tij do t’i paraqitet për herë të parë publikut.  Kjo është një dispozitë ligjore që ka për synim t’i tregojë autorit dhe të tjerëve se ai është zot i veprës së tij dhe se ai dhe vetëm ai duhet te vendosë çastin e publikimit të veprës.  Nëse ky dorëshkrim përmban elementë që nuk janë botuar ende, pra që nuk janë bërë publike, mungesa e dorëzimit të dorëshkrimit përbën një shkelje të kësaj të drejte.  Por kjo nuk do të thotë se që të vihet në vend kjo e drejtë, dorëshkrimi të dorëzohet.  Ekzistojnë mekanizma ligjorë dhe teknikë që lejojnë kopjimin ose dorëzimin përkohësisht të dorëshkrimit në duart e autorit në mënyrë që ai të ketë akses drejt veprës së tij dhe kësisoj ta kopjojë atë dhe të nisë procedurat e publikimit të veprës.  Në këtë mënyrë, respektohet e drejta e kontratave dhe kalimi i pronësisë të suportit fizik që është dorëshkrimi dhe vihet në vend e drejta e autorit e mohuar për kaq shumë vite.  Pra nuk do të ketë kthim fizik të dorëshkrimit, pasi është kryer kalimi i pronësisë nëpërmjet dhurimit, parim i sanksionuar nga urtësia popullore me shprehjen “gjëja që falet nuk kthehet”.  Por duke patur parasysh specifikën e të drejtës së autorit dhe të lidhjes së ngushtë midis veprës dhe autorit, do të menaxhohet një mënyrë që autori të ketë akses drejt veprës së tij.

Rasti i dytë është ai i konfiskimit de facto të veprës.  Nëse dorëshkrimi nuk është dhuruar, shitur ose nëse nuk ka kaluar pronësia e tij në asnjë nga format e parashikuara nga Kodi Civil, atëherë familja e Nexhmije Hoxhës është në situatë të tillë që e posedon atë pa të drejtë.  Nëse do të vërtetohet se jemi në një kontekst të tillë, autori duhet të rivendoset tërësisht në të drejtat e tij, duke ju kthyer pronësia mbi dorëshkrimin, me të gjitha të drejtat që e shoqërojnë këtë kthim.

Faktet do e vërtetojnë momentin e kalimit të dorëshkrimit nga duart e autorit në duart e poseduesve aktualë.  Thashethemet dhe fjalët shoqëruese me lloj lloj komentesh nuk do të rreshtin kurrë.  Megjithatë, disa sqarime minimale duhen dhënë, në mënyrë që të bëjmë një përpjekje minimale të fokusohemi aty ku duhet.  Të tjerat janë fjalë, pa të cilat çdo demokraci do të ishte një iluzion, pa të cilat nuk mund të ushqehen veprat aktuale dhe ato të së ardhmes.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *