Zonja e Parë e republikës së fundit

Por hiç. Mund të interpretohet në shumë mënyra kjo iniciativë e Zonjës së Parë të republikës së fundit. Ajo do të jetë në lartësinë e një roli që nuk ia kërkon askush, por që duhet luajtur në kuadrin e modernizimit të shtetit, jo në aspektin institucional por atë sa për sy e faqe, pak a shumë siç bënte Zogu me motrat e tij, në kohë të vet. Me nisma shkel e shko, me financime që do të mbeten tërë jetës të zymta, ato justifikojnë një pozitë që nuk kanë pse ta kenë, akoma më pak ta justifikojnë: atë të Zonjës së Parë të republikës së fundit, një endje e kotë paralelisht me institucionet e Republikës, si për të thënë që gjërat e mira bëhen bamirësisht dhe jo institucionalisht. Si për të na treguar se duhet të puthim duar dhe të jemi mirënjohës tërë jetën dhe jo të kërkojmë të drejtën tonë, atë që na takon dhe nuk ka Zonjë të Parë e zotëri të dytë që ta jep e ta merr.

Një mënyrë tjetër interpretimi mund të jetë dhe një dëshirë për kthim prapa. Një dëshirë për të marrë shembuj nga një kohë e kaluar, një vullnet për të shpluhurosur ato gjëra që kanë qenë të mira, janë menduar si të mira, janë stigmatizuar si komunistë ata që i mendonin si të mira dhe tani kastat e reja i rizbulojnë si të mira sepse e kuptojnë që nuk mund të endesh në shkretëtirë në kërkim të një kulture jete që nuk e ke, nuk e ke njohur dhe nuk do të bësh as përçapjen më të vogël për ta njohur. Prijësit e rinj të demokracisë u lodhën nga demokracia. Nuk i lodhi ajo, por i mundoi përpjekja e tyre cfilitëse për ta përdhunuar rregullisht, me orar dhe pa orar, me axhendë dhe pa axhendë, institucionalisht apo miqësisht dhe tani duan të pushojnë. Dhe si legena me mendje të shkurtër dhe reaksionarë, për shkak të pasurisë që kanë krijuar dhe dëshirës për ta mbrojtur atë, i referohen atyre normave sociale që i kanë pështyrë për 20 vjet. Dhe tani që janë plakur dhe rrjedhur njëkohësisht, sepse e para nuk nënkupton domosdoshmërisht të dytën, duan qetësi, nuk duan zhurmë, duan që të tjerët të punojnë për ta, në paqe, vullnetarisht, pa lekë, pa manifestime, sepse e meritojnë, kanë sjellë demokracinë. Çfarë doni më shumë o turma të pagdhendura?

Duam të zhdukeni siç erdhët. Jo paqësisht, por me zhurmë, të merret vesh se Shqipëria nuk mund të flejë, të zgjohet, të hajë, të lajë shkallën dhe të dhjesë kur doni ju. Të merret vesh botërisht se Shqipëria ka dashur të marrë frymë e lirë dhe jo të shkatërrojë veten në gjendje të lirë. Atë e donit ju, që të pasuroheshit pafund, të përjetësonit pushtetin dhe lidhjet tuaja të zymta me armiqtë e interesave të Shqipërisë dhe ia dolët.

E latë katrahurë Shqipërinë dhe tani na kërkoni që ta ndreqim bashkërisht. Po. Do e ndreqim. Po ikni ju, Zonjë e Parë dhe zotëri i dytë dhe shpurat respektive, vullnetarisht. Dhe pastaj, vullnetarisht do e pastrojmë Shqipërinë.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *