Zogu i Zi

Gjithashtu vlerësime pozitive erdhën nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i vlerësuan zgjedhjet si një hap i rëndësishëm përpara. Kujtoj se si, jo shumë kohë më vonë, në valën euforike të këtij suksesi për demokracinë, u nënshkrua edhe MSA-ja me BE-në. Kryeministri i cili përgatitej të ulej në karrigen që drejton vendin, kishte ndryshuar fytyrë. Nuk ishte më ai, që të gjithë ne kishim mësuar të njihnim mirë. Premtimet ishin sensancionale: lufta kundër korrupsionit, shkatërrimi i monopoleve, drita dhe ujë 24 orë, ishin ndër më kryesoret. Përpara na shfaqej një Shqipëri e re, energjike, një periudhë prosperiteti na priste…

Po sot Shqypni pa me thuej si je?/Po sikur lis i rrzuem përdhe… Mu kujtuan këto vargje të Pashko Vasës sa të largëta në kohë aq edhe tmerrësisht aktuale. Mu kujtuan sepse, nëse deri dje na vlonte dëshira për ta ndryshuar këtë vend, sot vërej me keqardhje dëshirën vec për të ndryshuar vend, për tu larguar një orë e më parë nga ky tmerr mesjetar. Shqiperinë gjatë këtyre katër viteve e pashë në terr, PA DRITA, PA UJE, një krizë që s’është përjetuar as në momentet më të vështira ekonomike gjatë fillimit të viteve ’90 apo gjatë krizës së ’97-ës. Dikush na udhëzoi të vepronim si në epokën e gurit, të ngrinim sytë lartë, drejt qiellit, se aty fshiehej celësi që zgjidhte krizën. Dhe vërtetë: “Këtë vit Zoti na dha shiun dhe me të dritën”… apo mos vallë ky është vit elektoral dhe ne Shqiptarët duhet të shpresojmë që zgjedhjet të bëhen sa më shpesh, për të patur atë pak dritë, që komshinjte tanë evropianë gëzojnë pa shumë vuajtje?! KORRUPSIONI që kishte hedhur rrënjë kur qeveriste e majta, sot ka celur lule, madje lulëzon më shumë se kurrë në ballkonin e kryeministrit. E padobishme do të ishte të përmendnim këtu aferat korruptive që lidhen me stafin më të ngushtë të Kryeministrit dhe familjen e tij. Skandalet e qeverisë bëhen publike nëpër televizione me një frekuencë marramendëse, që do të thyente cdo rekord Guinness, ndërsa dikush i ka llogaritur në një mesatare prej një skandali në muaj. E megjithatë ky togfjalësh: “Lufta ndaj korrupsionit”, a nuk është mbase statistikisht më i përdoruri në fjalimet e qeveritarëve? MONOPOLET ishin dhe mbeten. Për ato vec heshtja bën statistikë. Mjafton të kujtojmë kompaninë e vetme ajrore që egziston sot në Shqiperi… Por nuk mbaron me kaq: Ajo demokraci e brishtë që menduam se vendi ynë arriti me zgjedhjet e fundit parlamentare, demokracia që Doktori na e trumbetonte aq fortë në ’91-shin, sot lëkundet e me zor qëndron në këmbë. Ja përse në sytë e Shqiptarëve është shuajtur edhe shpresa për të ardhmen, sepse aty ku demokracia zhduket shpresa vanitet. Me sa duket, Kryeministri gjate fushatës elektorale të para korrikut 2005, nuk kishte ndryshuar fytyrë por thjeshtë kishte bërë një “lifting”. Dalë-dalë shtiu në dorë të gjitha institucionet, të cilave kushtetuta u garanton pavarësi. Duke filluar nga KQZ-ja për të vazhduar me Presidentin, KLD-në dhe duke perfunduar me kapitullin më të turpshëm, atë të Prokurorit të Përgjithshëm. (sherre të vakëta po vërejmë midis Kryeministrit, Presidentit dhe sidomos Kryeprokurores, që i përafrohen shumë një farse). E njëjta situatë me qeverisjen e tij të parë. Asnjë ndryshim. Metodat më të rafinuara, rezultatet po të njëjtat. Asgjë më shumë nuk duhet të prisnim nga Doktori, që nuk e ka pranuar kurrë këtë kushtetutë. Asgjë më pak nuk duhet të prisnim nga Kryeministri, që e filloi punën me shkatërrimin e mbikalimit tek Zogu i Zi, duke e transformuar këtë akt në një parodi, në pasqyrën e vërtetë të qeverisjes së tij. Akt tragjikomik që duhet të na shërbente si një sinjal paralajmerues. Si një zog i zi që vjen

kobshëm e sjell lajmet e këqia edhe kjo qeveri e filloi punën e saj me një sinjal ogurzi për kohë të vështira…

Sot një hije shprese qëndron akoma tek mediat, sot një fije shprese qëndron akoma e pakëputur tek ndërgjegja e shqiptarëve, tek vetëdija që demokracia duhet të jetë guri themeltar i shoqërisë shqipëtare, për të cilën duhet të luftojmë e ta ngremë zërin sa herë që kjo vihet në dyshim. Të mos rrimë në heshtje, vetëm sepse lëkura na është rregjur me vuajtje dhe nëpërkëmbje, të terhequr zvarrë nga drejtues që nuk meritojnë të drejtojnë as familjet e tyre. – “Që e keqja të triunfojë mjafton që të mirët të qëndrojnë në heshtje”!

Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *