Zgërlaqje : Shqipëria e Diktatorëve (fashitja e diktaturës)

Prandaj meritojnë më tepër të cilësohen si përkujtime të squllta të LANÇ-it sesa si një përkujtim që na ndihmon për të reflektuar mbi Luftën Antifashiste të shqiptarëve. Në një anë janë grupime lokale veteranësh, familje dëshmorësh, e brezash e qytete, që duan të rikthejnë me njëfarë hovi kujtesën e tyre të kësaj Lufte Antifashiste (më saktë të LANÇ-it) mpleksur edhe me një adhurim me tepri për Komandantin (Enver Hoxha: mikroborgjez, anti-fashist i vonët, stalinist për nga hera).

Nga ana tjetër, qëndron dyzimi i të majtës mbi regjimin komunist. Përkujtimi i Luftës Antifashiste sikur e ndihmon të gjejë sërish rrënjët ideologjike pa reflektuar mirë mbi pasojat e të ashtuquajturës diktaturë e proletariatit, apo demokraci popullore. Ka një farë shfazimi kohor mjaft të çuditshëm. Duket sikur vitet e rrëzimit të regjimit, pra ato vite të para të 90-ës, të ndryshimit nuk kanë ndodhur. Shpërfaqet me një farë pakujdesie një rehabilitim i tërthortë i diktaturës. E në këtë mes llamburit një grupim politik që pasi ka ecur më shpejt e ka mbërritur ne destinacion po kthehet osh e osh në të kaluarën. Portretet e Komandantit (Dullës në slang-un e 90-ës) valëviten përmes kujtesës lokale së cilës nuk i kundërvihet fare, në mos në mënyrë të ndrojtur, kujtesa zyrtare e pushtetit të sotëm.

Paradoksi është se lufta antifashiste, përkujtohet si me sforco pikërisht sepse tentohet të riprodhohet e njëjta gjuhë (e marrë nga festimet e përkujtimet e regjimit komunist) dhe i njëjti ritual. Ajo që vlen të përkujtohet nuk është fort zyrtarizimi i një ushtrie antifashiste (pra LANÇ-i) po lufta antifashiste si e tillë. Në këtë mënyrë përkujtimi do të çonte më tepër drejt një reflektimi e nuk do kish stampën e vendosur pas një diktature. E aq më pak të identifikohet për refleks e inerci me Komandantin që rrugës u bë diktator (një histori banale që riprodhon kultin e individit e të të parit të vendit apo fisit). Madje gjithnjë e më tepër duhet folur më pak për Shqipërinë e diktatorëve, sado që këta kanë ekzistuar ca si shpesh në historinë tonë, dhe më shumë për Shqipërinë e diktaturave. Antifashizmi nuk është vetëm komunist. Eshtë e qartë që anti-fashizmi naiv, e kurajoja e një të pafuqishmi është më me vlerë se kolaboracionizmi i arsyetuar, e se fuqia e plogështisë.

Coli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *