Xhaxhi Enveri dhe Baba Saliu

Nuk duam sërish të përmendim ligjet e tij antikushtetuese, marrëveshjet ndërkombëtare që mbajnë era Esatizëm (si teori dhe praktike politike), intimidimi i gjykatave dhe i nëpunësve të administratës civile. Këto tashmë të gjithë i kemi dëgjuar dhe fatkeqësisht askush nuk ka reaguar. Duam më shumë të përqëndrohemi të imazhi që idhtarët e tij duan të krijojnë rreth tij: punëtor i paepur, intelektual i pashoq, sportist i lindur, i palodhur deri në vetëmohim, i pajisur me fat që e kanë vetëm udhëheqësit historikë të kombeve, njeri i kompromiseve por edhe i parimeve, njeri që respekton gjykatat dhe nuk lejon shkeljen e Kushtetutës… Këto nuk janë trillime, janë shumë të vërteta. Është shumë e vështirë për këdo të kundërshtojë këtë imazh që shqiptarët, sidomos fanatikët e PD-së kanë krijuar rreth Sali Berishës. Dhe një imazh i tillë, i ushqyer kaq shumë në anët tona, amplifikohet kur bëhet fjalë për dashurinë që gëzon Kryeministri pranë bashkëkombasve tanë jashtë kufijve. Kjo për faktin se i ka dalë nami i një demokrati të kulluar, atdhetar dhe që pati vizionin e duhur në kohën e duhur që të nxiste shpërthimin e Revolucionit demokratik në Shqipëri.

Mirëpo faktet janë krejt të kundërta: Sali Berisha ka qënë zbatuesi i projektit të ardhur nga ish kupola për kalimin e Shqipërisë në mënyrë të butë nga diktatura e proletariatit në ekonomi të tregut. Ai është mbrojtësi i piramidave që çuan në një rrënim ekonomik të shqiptarëve dhe në një ngadalësim së paku pesëmbëdhjetë vjeçar të aspiratave për të hyrë në BE. Ai është ushqyesi i dhunës verbale kundër ish kryeministrave të Shqipërisë, të cilët sot i ka ose konsulentë, ose shokë ose vartës. Vetëm se ai harron se kjo dhunë verbale ka ndikuar në jetën e çdo shqiptari duke krijuar një gjendje lufte të përhershme ndërkohë që të gjithë kërkonin stabilitet të situatës dhe ecje përpara. Ai është arkitekti i shitjes së trojeve shqiptare, nëpërmjet artificeve të varreve greke dhe të detit. Për këtë të fundit edhe pse Gjykata Kushtetuese tregoi mjaft qartë se negociatat ishin ndërmarrë nga profanë të fushës, ai megjithatë nuk heq dorë nga dëshira për ta marrë me të mirë mikun e ti të ri jugor. Ai është themeluesi i shtetit tonë kioskë, i udhëhequr në rrëmujë, përmes rrëmujës dhe për rrumpallat, në mënyrë që të vjelin sa më mirë shtetin shqiptar, i cili as hapat e parë drejt modernizimit nuk po i hedh dot normalisht.

Por këto nuk i hyn në sy njerëzve. Me sa duket, është shumë e vërtetë që njerëzit kanë nevojë të ëndërrojnë dhe në lartësinë e mjerimit intelektual të shqiptarëve, ëndrrat e tyre kanë të barabartë vetëm atë që u lejon atyre të vjedhin, të korruptojnë, të fitojnë lekë sa më shpejtë e sa më shumë, të jetojnë mirë brenda oborrit, paçka se jashtë kutërbon mjerim. Dhe Sali Berisha i përgjigjet mjaft mirë këtyre ëndrrave. Si njëherë e një kohë Xhaxhi Enveri, superstari i një periudhe të errët, sot kemi Kryeministrin, superstarin e një periudhe rrumpalliteti të kudondodhur. Ai mbron të fortin, mahnit të dobëtin dhe tredh kundërshtarin. Në këtë kuadër skepticizmi, menefregizmi dhe mungese të aftësisë për të reaguar, ai është shumë afër së vendosuri një regjim absolut. Në të mirë të tij dhe të idhtarëve të tij dhe në dëm të idesë që rilindasit kanë patur për Shqipërinë: kryelartë, e begatë, e kulturuar, që do të rrezatonte historinë e saj mijëravjeçare dhe mënyrën e saj të veçantë për të mbrojtur konceptin e lirisë.

Po le të kthehemi në ditët  e sotshme, në momentin e grevës se 200 qytetareve shqiptarë, në periudhën e Kryeministrit që qeveris pavarësisht Gërdecit, pavarësisht përmbytjeve në veri, pavarësisht rishfaqjes së kënetave në Maliq 40 vjet pas tharjes, në periudhën e pushtetit që është i pavarur nga vullneti i popullit. Sot së paku parimisht duht të kërkojmë transparencën e zgjedhjeve. Përse kutitë mbahen të mbyllura kur po na thuhet troç dhe hapur që rrezikojmë integrimin në Evropë nëse kriza vazhdon? Përse mbahen të mbyllura kutitë me çdo kusht dhe me çdo kosto. Kosto që sigurisht do të paguajmë ne qytetarët e Shqipërisë. Çfarë e fshehtë profane qënka kaq e pamundur për t’iu treguar “njerëzimit”?! A ka vallë ndonjë militant të Partisë Demokratike pa dyshime mbi përmbajtjen e të shumëpërfolurave kuti? Në këtë pikë ku jemi edhe militantin më të djathtë po e ha përbrënda kurioziteti si puna e atij trimit që donte të dinte me çdo kusht se “çfarë ka ajo dera”.

I shtrenjti Kryeministër hapi kutitë se je i plotfuqishëm. Hapi se je burrë që je rritur mbi kalë. Hapi se kjo opozitë kokëfortë që urrehet nga të gjitha mediat, pikërisht për karakterin e saj të poshtër, po na hap telashe me Evropën dhe me të ardhmen. Hapi Sali kutitë dhe të na rrosh sa malet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *