Xhamia e Namazgjasë në kërkim të siluetës

Kjo qartësisht ka ndodhur me procesin e projektimit te saj, i cili ka paraprirë ne kohë vendimmarrjen për ndërtimin e saj. Pikërisht kjo rrjedhë e përshpejtuar është shqetësimi im si qytetare, banore e kryeqytetit, si arkitekte. Shqetësimi është i lidhur së pari ngushtësisht dhe qartësisht me procedurën e ndjekur për përcaktimin e projektit të ofruar dhe njëkohësisht të përcaktuar përfundimisht, si varianti i vetëm i mundshëm për ndërtimin e saj. Shqetësimi është i lidhur së dyti me trajtat arkitekturore të përzgjedhura për t’i veshur kryeqytetit në këtë fillim shekulli 21-të një produkt arkitekturor të qepur në përmasat e shekullit 16-të.
A duhet të projektojmë e ndërtojmë me përgjegjësi e vetëdije të plotë, duke u ndjerë të realizuar e krenarë me punën e zgjedhjet që bëjmë? Duke patur gjithmonë në mendje se punët tona, zgjedhjet tona do të jetojnë më gjatë se ditët tona mbi këtë tokë, në këtë qytet?  Burimet e shqetësimeve dhe pikëpyetjeve do të mundohem t’i shpjegoj e arsyetoj ne vazhdim për lexuesin me argumente e shembuj përkatës, jo vetëm si qytetare, por edhe si arkitekte.

Cfarë dihet sot në opinionin kryeqytetas mbi Xhaminë e Re në pritje për t’u ndërtuar?

Në mbledhjen e qeverisë së datës 4 prill 2013 është miratuar sheshi i Namazgjasë si territori mbi të cilin do të ndertohej Xhamia e Re. Premtimet elektorale 20-vjecare (sepse të tilla kanë qene, mbetemi me shpresën për të mos qene pranë bllofit të radhës), janë përmbledhur e përmbyllur saktësisht në datën 20 prill (vetëm 2 javë e 2 ditë pas vendimit të qeverisë), ditë në të cilën simbolikisht u vendos guri themeltar për fillimin e punimeve. Ndërtimi i saj u perceptua më afër se kurrë në kohë, lajm i shumëpritur ky për të gjithë besimtarët dhe Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH). Gjatë ceremonisë për inagurimin e fillimit të punimeve u paraqitën të printuara në shkallë të madhe imazhe të projektit të Xhamisë. Mesazhi ishte mëse i qartë: Ndërtimi i saj po bëhet realitet dhe këto fotomontazhe na ndihmojnë në përfytyrimin se si do të jetë silueta e ardhshme e namazgjasë. Projekti zbërthehet sipas parametrave të mëposhtëm. Ndërtohet mbi një sipërfaqe rreth 7000 m², sipërfaqja e katit përdhe 4000 m², sipërfaqe e gjelbëruar 3000 m². Xhamia ka një sipërfaqe prej 2500 m², me kapacitet për të mirëpritur rreth 5000 besimtarë njëkohësisht. Do të përmbajë një sallë konferencash 400 persona, një bibliotekë 200 m², muze të kulturës dhe historisë islame, zyra për institucionin e K.M.SH.-së, qendër argëtimi për të rinj, ambjente tregtare, etj. Xhamia klasifikohet lehtësisht si perfaqesuese e arkitekturës klasike të periudhës osmane, simotër e Xhamisë së famshme Blu të Stambollit dhe është prezantuar si një objekt në të cilin janë ndërthurur dhe elemente te arkitekturës shqiptare (të cilat unë personalisht, bazuar mbi projektin, nuk i kam gjetur as në formë, përmbajtje, simbolike,-etj). Studioja “Hassa” me qendër në Stamboll dhe e themeluar në vitin 1984 nga kryearkitekti Muharrem Hilmi Senalp, është studioja projektuese e Objektit të Xhamisë së re të Tiranës. “Hassa” ka eksperiencë në ndërtimin e xhamive në disa qytete të rëndësishme si në Tokyo 2000, Berlin 2005, Koln 2006, Dubai 2004 etj. Në linja të përgjithshme ky është informacioni i vetëm që është dhënë në shtypin e përditshëm apo television përgjatë këtyre dy muajve nga perfaqesues të K.M.SH.

Shqetësimi në lidhje me renditjen e përgjithshme proceduriale të përzgjedhjes së projektit.

Kërkesa e hershme e KMSH-së për ndërtimin e Xhamisë është hapi i parë që përligj juridikisht aplikimin drejt autoriteteve vendimmarrëse. Miratimi paraprak i kërkesës si dhe i sheshit në pronësi të KMSH-së si sheshi i mundshëm për realizimin e saj janë hapat pasardhës. Miratimet në fjalë i hapin rrugën palës së interesuar për ndërtim (KMSH-së) për përgatitjen e një detyre perkatëse projektimi në të cilën parashtrohen të gjitha kerkesat e investitorit (KMSH-së) që duhet të plotësojë projekti i Xhamisë. Analiza të detajuara të situatës urbane ekzistuese realizohen në vazhdim me qëllimin që projektuesit të kenë një njohje të plotë të gjendjes ekzistuese të zonës në cdo aspekt. Të gjitha procedurat e sipërpërmendura i paraprijnë fazës më të rëndësishme të realizimit të projektit, përpilimit të varianteve të ndryshme të zgjidhjeve urbanistike dhe arkitektonike që mund t’i integrohen natyrshëm e harmonishëm konteksit urban ekzistues dhe më gjerë.
Lind natyrshëm pyetja: A është varianti (tashmë) i miratuar varianti më i mirë si nga pikëpamja  urbanistike, funksionale, përmbajtësore, estetike etj? A do të ishte e nevojshme që ai të ishte në pozita krahasimore përballë propozimeve të tjera që mund të sillnin risi pa fund sa i takon formës arkitekturore duke respektuar përmbajtjen? Nuk është e nevojshme të jesh arkitekt për të kuptuar, besuar e artikuluar se PO, nevojiteshin projekte të tjera!
Prandaj e theksoj me bindje të plotë se vëmendja dhe serioziteti me të cilën domosdoshmërisht duhej të shoqërohej procesi i përzgjedhjes së projektit, duhej të pasqyroheshin me shtrirjen në mënyrë të njëpasnjëshme në kohë të fazave të projektimit, krahasimit dhe përzgjedhjes përfundimtare. Duke pretenduar gjithashtu që ato të ishin të lexueshme nga besimtarët, qytetarët dhe gjithë opinioni publik i interesuar.

Rrugëtimi i projektit të Xhamisë së re në qendër të Prishtinës dhjetor-maj 2013.

Dua qëllimisht të sjell në vëmendjen e lexuesit mënyrën se si Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka proceduar për të mundësuar miratimin e kërkesës për sheshin dhe përzgjedhjen e varianteve të projekteve të propozuara. Autoritetet lokale të Prishtinës miratuan gjatë fundvitit 2012 sheshin për ndërtimin e xhamisë së re, në lagjen “Ulpiana”, pranë selisë së Post-Telekomit në qendrën e qytetit. Në datën 7 dhjetor 2012 BIK shpall të hapur Konkursin Ndërkombëtar për hartimin e projektit arkitektonik për “Xhaminë Qendrore të Prishtinës”, duke iu vënë në dispozicion konkurentëve të interesuar informacionin e nevojshëm, hartat përkatëse si dhe detyrën e projektimit me të gjitha kërkesat. Dorëzimi perfundimtar i projekteve u bë me datë 13 shkurt. Nga 136 studio të cilat aplikuan, 81 prej tyre dorëzuan projektet e tyre përkatëse. Në datën 26 mars u bë hapja e ekspozitës me maketet e projekteve konkuruese. Studio dhe arkitektë nga të gjitha trojet shqiptare, diaspora dhe studio të huaja të njohura botërisht kanë qenë pjesë e konkursit. Duhet përmendur arkitektja me një karrierë të shkëlqyer në dy dekadat e fundit Zaha Hadid, shpërthimi i formave arkitekturore që mbartin projektet e saj i ka hapur diapazone të reja zhvillimi përtej imagjinatës strukturave ndërtimore, 2 herë fituese e cmimit “Pritzker” (Cmimi “Oskar” i arkitekturës). Pas 4 raundesh përzgjedhëse është bërë e ditur se deri më tani juria e përbërë nga 3 arkitektë të huaj dhe përfaqesues të BIK kanë shpallur 2 projekte fituese të vendit të parë dhe 1 projekt të vendit të dytë. Studiot fituese të vendit të parë mbeten ende ne garë për të sjellë propozimet e tyre të përmirësuara.
Në gjykimin tim personal, atë të rrethit të arkitektëve dhe jo vetëm (mes të cilëve është hapur ky diskutim) me një procedim të admirueshëm, në respekt të plotë ndaj kërkesës për vëmendje që parashtron rëndësia e një objekti të tillë, ka vijuar përzgjedhja e propozimeve në këtë Konkurs, gjë e cila nuk ka ndodhur me Xhaminë e Re të Tiranës.

Rrugëtimi i projektit të Xhamisë së Re në qendër të Tiranës dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare prill – maj 2011.

Mendoj se ia vlen të kujtojmë konkursin e zhvillluar në prill-maj 2011 për ndërtimin e Xhamisë së Re të Tiranës dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare, në atë kohe ishte propozuar (në përputhje me parashikimet e Planit Francez për qendrën e Kryeqytetit) që vendi të ishte territori prapa Pallatit të Kulturës. Konkurs në të cilin u ftuan të merrnin pjesë të gjithë studiot dhe arkitektët e interesuar brenda dhe jashtë territoreve shqiptare. Shprehën interesin dhe paraqitën projekt-idetë e tyre përreth 100 studio. Pas fazës së parë u seleksionuan 5 projekte, të cilat erdhën në paraqitjen e fazës së dytë më të plotësuara. Këto 5 projekte ishin punimet e 5 studiove si Ark. Andres Perea Ortega, Architecture Studio, BIG, Search dhe Zaha Hadid Architects. Fituese e projektit u shpall projekti i studios BIG-Architects nga Danimarka, të afirmuar tashme në arkitekturën evropiane dhe më gjerë. Projekti realizonte një ndërtim prej 2500 m² në total, në të cilën 1650 m² ishin vënë në dispozicion të pavioneve të Muzeut të Bashkëjetesës Fetare. Kapaciteti i saj ishte për rreth 1000 besimtarë të cilet mund të kryenin ritet fetare njëkohësisht. Përfaqësues të KMSH kanë argumentuar në vijim se (i) kapaciteti i xhamisë nuk permbushte nevojat në numër të besimtarëve, (ii) problematika e shumë pronësisë mbi truallin e bënin të paqartë mbarëvajtjen e realizimit të tij dhe për këtëarsye konkursi dhe projekti fitues thjesht u arshivua si një ndër të parat në listën e përpjekjeve demokratizuese vendimmarrëse nga autoritetet vendore te kryeqytetit. 
E solla në vëmendje shembullin e Konkursit Ndërkombëtar të realizuar në Prishtinë dhe në Tiranë 2011 për të dëshmuar se:  së pari besoj fort se kjo është forma më e drejtë, transparente dhe që respekton në mënyrë gjithpërfshirëse besimtarët muslimanë, institucionin e KMSH, kryeqytetin e sfilitur nga “turbo-arkitektura” eksperimentale e 20-viteve të fundit, respekton të gjithe gamën e profesionistëve të lidhur e të apasionuar me fushën e projektim-ndërtimit, respekton të gjithë qytetarët në vëmendjen e të cilëve projektohet vizioni i qytetit të së ardhmes, respekton rregullat e përzgjedhjes së projektit më të mirëartikuluar i denjë për ti paraprirë denjësisht me formë dhe përmbajtje dhjetëvjecarëve e shekujve që do të vijnë.
Së dyti për të dëshmuar interesin e padiskutueshëm që zgjon në rrethin e studiove brenda dhe jashtë vendit (madje të ndër më të njohurave) për të folur me idetë dhe propozimet e tyre për një Objekt kaq të rëndësishëm dhe me një ndjeshmëri të vecantë sic është Xhamia e Re.
Së treti sepse mendoj se Tirana në ambicjen për të qënë një kryeqytet i spikatur europian ka mundësinë që me anë konkurseve të tilla të gjejë hapësira për tu përfshirë ne hartat e objekteve të reja të arkitekturës bashkëkohore.
Doja të theksoja gjithashtu se e perceptoj si tentavivë korruptive (nga ana e pushtetit) që zhvlerëson qasjen (në dukje të sinqertë) të politikës ndaj kërkesave (jo politike) të subjekteve social-kulturore-fetare, kur kjo qasje ekzekutohet vetëm para momenteve të konjukturave të fushatave parazgjedhore elektorale. Kjo ka ndodhur në prill-maj 2011 e po ndodh këtë prill-maj 2013.

Xhamia e Namazgjasë “në kërkim” të siluetës.

Arkitektura është ndër të tjera artikulim i funksionit në krijim. Dëshmon në mënyrë të qënësishme mbi historinë, gjeografinë, teknologjinë e ndërtimit, pasurinë e varfërinë e vendit dhe periudhës kohore në të cilën ajo është jetësuar në ndërtim. Ajo i flet për së jashtmi qytetit, i flet arkitekturës fqinje, prezantohen krahasohen dhe shkëmbejne, secila flet gjuhën e saj. Dua të ndaj me ju, sic kam ndarë me të gjithë bashkebiseduesit përgjatë këtij muaji, disa pikëpyetje e shqetësime:
Së pari – Stilizimi i projektit të perzgjedhur nuk mendoj se përfaqëson gjuhën e përshtatshme me të cilën duhet ti flasë për së jashtmi ky objekt kulti kryeqytetit tonë. Ai flet një gjuhë të shquar, por gjuhën e një kohe të largët, e një vendi tjetër. Xhamitë klasifikohen si objekte të ndjeshmërisë së lartë, me vlera shpirtërore, me simbolika si kupola dhe kulla e minares që e bëjnë atë të dallueshme ndër arkitekturat e ndërtimeve të tjera, me kërkesa specifike si orientimi, akustika, trajtimi i hapësirës së brendshme etj. Megjithë simbolikat dhe kërkesat për tu marrë parasysh, hapësirat e projektuesit për krijimtari janë të pafundme, duke mundësuar që Xhamia të flasë një gjuhë tingëlluese e më të njohur. Si shembull mund të sjell inagurimin në datën 4 maj 2013 të Xhamisë së Re në qytetin Rijekë të Kroacisë. Profili arkitektonik i së cilës është një ndërthurje e gjetur e stilizimit modern të simbolikave të minares e kupolës dhe përdorimit të materiave bashkëkohore në rifiniturë. Qartësisht e lexueshme si Xhami me gjithë reflektimin e paqes, unitetit e vlerave shpirtërore (që duhet natyrshëm të pasqyrojë), por që na flet njëkohesisht me frymën e mijëvjecarit të ri.
Së dyti – Tipologjitë e ndërtimit të xhamive të Perandorisë Osmane renditen si kryevepra të padiskutueshme të arkitekturës botërore, si dëshmitare stoike të një periudhe të cilën mund ta njohim ndër të tjera dhe nëpërmjet tyre. Por a është ky argument i qenësishëm për tu riprodhuar identikisht e pambarimisht në kohë? A duhet të ndërtojmë sot në fillim të shekullit të 21-të për brezat që do të vijnë apo për brezat që lamë pas?
Së treti – Shpalljet hyjnore që transmetohen nëpërmjet 3 feve monoteiste nuk diktojnë absolutisht mbi formën e strukturën e vendeve të tyre të shenjta apo objekteve te kultit. Argumenti për ti qëndruar besnik deri në fanatizëm trajtave të kulteve të ngritura përgjatë shekujve të kaluar nuk mbetet bindës.
Së katërti – Sipas bindjes sime, objektet e kultit duhet të pasqyrojnë e frymëzojnë në vazhdimësi mendjet e shpirtrat kërkues të besimtarëve, duke i prirë ata drejt hulumtimeve të pandërprera në fenë e tyre si dhe në krijimtarinë e jetës së këtejbotëshme.
Qasja ndaj thellimit teorik dhe krijimtarisë përmirëson natyrën shumë kulturore të njohjes njerëzore. Veshja e imazhit të objekteve te kultit  me imitime të trajtave hermetike nuk përligj ftesën e kultit ndaj besimtarëve dhe  marrëdhenien e sinqertë e të fortë që lind e zhvillohet mes tyre.
Së pesti – Procesi i projektimit të objekteve me karakter të kësaj natyre është i pafund në rast se kjo kombinohet me dëshirën e pashtershme për përmirësim drejt perfeksionit. Me këtë nuk nënkuptoj aspak qëllimin se idetë që propozohen duhet të jenë produkte për të kënaqur pritshmëritë  e fantazitë e arkitektëve, apo të befasojnë juritë e konkurseve. Ato duhet të përmbushin shumë më tepër se kaq, të realizojnë një përmbajtje të plotë të funksioneve duke qenë në marrëdhenie simbiotike me strukturën. Dë fundi, dua të theksoj se ambjentet me përdorime plotësuese (por jo jetike) të objektit multifunksional të projektit të prezantuar të Xhamisë, mund të integroheshin në mënyra harmonike duke qenë të trupëzuara e jo domosdoshmërisht me nje shpalosje aq te dukshme (siç rëndom ndodh me katin përdhe të projektit të propozuar).
Për këto arsye e të tjera duhet të flisnin me krijmtarinë e tyre sa më shume frymëzime, sa më shumë gjuhë arkitektonike, të përballeshin ide, të përzgjidhej një projekt me bindjen e plotë se është ai më i mirëartikuluari në vlera arkitekturore e shpirtërore të kohëve që po jetojmë. Duke patur gjithmonë në mendje se punët tona, zgjedhjet tona do të jetojnë më gjatë se ditët tona mbi këtë tokë, në këtë qytet!
E. K.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *