Wikibuna dhe Wikidrini

Dhe ne, pjesa tjetër e popullsisë do të reagojmë sërish si para një viti: do japim lekë me sms dhe nëpër llogari bankare të hapura nga Qeveria trok për të ndihmuar të papëlqyerit e Zotit… Rrjedhimisht, njësoj si para një viti do mbyllim një sy përpara kësaj talljeje monumentale e orkestruar nga spin doctors-at e Qeverisë. Derisa emra si Dajçi, Bushati, Ana e Malit dhe NënShkodra të kthehen në një zgjatim natyror të Liqenit… Ndoshta kush e di, do të na duhet të rinegociojmë kufirin me Malin e Zi, gjë që Ministria jonë e Jashtme do ta bënte me shumë zell, në emër të fqinjësisë të mirë, të integrimit, të stabilitetit e të kush e di çfarë frazeologjie tjetër të rezervuar për papagallë si Ministri që kemi sot…

Zoti është një komik që ka përballë një audiencë që ka frikë të qeshë… Duke perifrazuar këtë thënie të Volterit, mund të themi se Kryeministri është një komik që ka përballë një popull që ka frikë t’i lëshojë domate në fytyrë aq bajate, e pacipë dhe sidomos e frikshme është bërë shakaja e tij. Kemi arritur në një pikë mosinteresimi, neglizhence ose ndoshta jemi mësuar me këto fenomene dhe i tolerojmë në mënyrën më të paturpshme. Edhe sikur Wikileaks të nxjerrë dokumenta sekrete të Kryeministrit ku thuhet troç se portat s’duhen hapur se duam lekë, paçka se do të ketë njëçikë përmbytje, ne prapë nuk do të reagojmë, por do të ketë shumë mëndjendritur që do të deklarojnë se e dinin dhe se Wikileaks-i ka vërtetuar ato që të gjithë i mendonin. Shumë mirë. Po më tej? Do presim që kjo situatë të përsëritet dhe vitin tjetër? Po vitin tjetër çfarë do të thonë? Dhe për më shumë, ne çfarë do të mendojmë? Si do të reagojmë? Apo sërish do të dërgojmë sms në ndihmë të të përmbyturve ndërkohë që Kryeministri do të harxhojë kohë në Tiranë duke hapur debate të pavlera mbi mungesën e zbukurimit të Tiranës me rastin e festave?

E vërteta është se pavarësisht se i dimë të gjitha, paçka se kemi etje dhe për më shumë (Wikileaks, presim të na dërgosh nja dy pagure të tjera me ujë…), edhe pse këto “më shumë” i dinim gjithashtu, ne nuk reagojmë!  Kultura e lëmoshës dhe e keqardhjes do të triumfojë sërish në dëm të kulturës së reagimit, protestës, revoltës kundër një fataliteti fals. Sepse nuk është fatalitet, as përmbytja, as tallja, as lajmet që na vijnë nga Australia e largët. Fataliteti do të triumfojë që nga çasti që do të besojmë në të dhe nëse qysh nesër do të qajmë lotë krokodili për vëllezërit tanë shkodranë në vend që të ngrejmë zërin dhe të bërtasim kundër kësaj situate, do i bëjmë një dëm të madh jo vetëm Shkodrës por dhe të gjithë Shqipërisë, sepse do të kontribuojmë në përjetësimin e një stili qeverisjeje që i shmanget përgjegjësisë duke ja lënë në derë fajin Zotit, fajin Bunës që fryhet pa leje dhe Drinit që del nga shtrati kur t’i dojë qejfi. Nëse duam një gjë të tillë, duhet të njohim dhe pasojat: Mos të habitemi kur të na merret prona sepse nuk e kemi mbjellë, mos të habitemi kur të ketë rrëshqitje dherash mbi rrugë, mos të habitemi kur të vriten kamarierë për tekat e një personi që lind nga hiçi por që ka në brez çelësin e suksesit… Mos të habitemi sepse fajin do ta ketë Zoti, Buna dhe Drini…
                                                                                                                                                          Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *