Vive la France!

Një fitore e tillë tejkalon dhe fitoren simbolike të François Miterrand në 1981, kandidati i parë socialist që fiton zgjedhjet presidenciale në Republikën e Pestë. Shkaqet e kësaj fitoreje janë të shumta, duke filluar nga stili qeverisës i Sarkozisë, pasojat e krizës financiare, që i bëri reformat ekonomike vështirësisht të kapërdishme nga populli, sidomos ai punonjës, dhe duke vijuar me një lodhje dhe çorientim të forcave të djathta për shkak të qëndrimit shumë të gjatë në pushtet dhe për shkak të marrëdhënieve “tërhiq e mos e këput” me ekstremin e djathtë, i cili në kohë dyshimesh dhe frike merr një numër të konsiderueshëm votash.

Një rotacion kaq i plotë politik vjen dhe prej një argumenti kushtetues, i cili zhvlerëson një prej zgjedhjeve më të rëndësishme, atë për Parlamentin të ri. Thelbi i Republikës së pestë qëndron në rikonceptimin e kompetencave të Presidentit të Republikës, duke e kthyer atë në institucionin më të rëndësishëm kushtetues. Kushtetuta franceze në fakt, është, në një lexim të parë, një dokument që përcakton qartë vartësinë e institucioneve të tjera ndaj Presidentit të Republikës. Një nga shembujt është fakti që ai ka kompetencë të shpërndajë Parlamentin pa pasur domosdoshmëri të veçantë, përveç bindjes së tij të brendshme.

Kushtetuta parashikon se nëse Parlamenti dhe Presidenti janë të së njëjtit krah politik, Parlamenti do të luajë kryesisht rolin e jetësuesit të politikave të Presidentit për të cilat ai është angazhuar gjatë fushatës zgjedhore. Por ka ndodhur që sovrani të ketë zgjedhur një Parlament të së njëjtit krah dhe një President të një krahu tjetër. Kjo ndodhte pasi mandati i Presidentit në Kushtetutë ishte parashikuar të ishte shtatë vjet, ndërsa mandati i deputetit pesë vjet. Populli, në mbarim të mandatit parlamentar kishte mundësinë të shprehte pakënaqësinë ndaj një qeverie duke votuar një Parlament të krahut të kundërt politik me Presidentin. Në këto kushte, logjika institucionale ndërrohej, dhe Parlamenti rifitonte atë rol që ne i njohim një Parlamenti në një regjim parlamentar, duke e katandisur Presidentin në një rol institucional të kufizuar, me përjashtim të marrëdhënieve me jashtë.

Në 2002, Presidenti i atëhershëm Shirak inicioi një ndryshim kushtetues që u pranua nga zgjedhësit, duke e bërë mandatin e Presidentit pesëvjeçar. Në atë vit, kalendari i zgjedhjes së Presidentit përkoi me kalendarin e zgjedhjes së Parlamentit dhe fill pa zgjedhjes së Presidentit, francezët shkuan sërish në kutitë e votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri. Për të evituar konfliktet, populli ia dha votën partisë së Shirak-ut, duke i dhënë atij mundësinë e qeverisjes së qetë pa konflikte që do të kishin lindur detyrimisht midis një Presidenti të djathtë dhe një qeverie e dalë nga një Parlament i majtë. Mirëpo, me këtë logjikë, tashmë votimi për Parlamentin është kthyer në një formalitet që francezët po i binden: nëse zgjidhet një President, i duhet dhënë një Parlament funksional (domethënë i të njëjtit sensibilitet politik) në mënyrë që të ketë qeverisje koherente. Në këtë mënyrë, ndoshta për herë të parë në histori, një demokraci liberale zhvlerëson maksimalisht një nga gurët themeltarë të saj, zgjedhjen e Parlamentit. Një gjë e tillë mund të shikohet si një rrezik për demokracinë.

Por a është vërtetë ashtu? Edhe mundet. Por Franca ka një jetë të tërë që bën nga këto gjëra, nga këto çudira demokratike sui generis, por askush nuk mund të mohojë funksionimin e shëndetshëm të demokracisë së saj. Kjo vjen sepse balancat sociale dhe institucionale të pushtetit i funksionojnë: Franca ka një autoritet gjyqësor të palëkundur në parimet e tij, një administratë shtetërore, e cila nëse nuk respekton të drejtat e shtetasve, censurohet rëndë nga autoritet gjyqësore administrative. Franca ka një vetëdije demokratike që buron prej historisë së saj, ku çdo cep i territorit të saj ta kujton një gjë të tillë dhe çdo manifestim është një kambanë për këdo që përpiqet të zhveshë njerëzit nga të drejtat e tyre të fituara. Ka një sistem përkrahjeje sociale reale që shkon përtej kombësisë, një sistem edukativ të pashoq. Të gjitha këto bëjnë që, edhe pse në sojin e saj, Franca mbetet një nga demokracitë më të shëndosha të botës perëndimore. Nga ana tjetër, mungesa e këtyre balancuesve në vende, si për shembull Shqipëria, i kthen ndryshimet institucionale të improvizuara në një rrezik konstant për demokracinë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *