Vetia debilizuese e të qenit politikisht korrekt

Por kjo sjellje ka pasoja, duke filluar nga vrasja e ndërgjegjes pa pasur si objektiv ndryshimin e sjelljes, duke vazhduar me ndërgjegjësimin se duhet bërë diçka për të ndryshuar këtë sjellje, akoma më tepër kur mendimi nuk përputhet me veprimin dhe, duke përfunduar, fatkeqësisht, me pranimin e kësaj situate dhe duke e futur veten në një guaskë intelektualisht boshe që fsheh disa ide të marra dhe që pranohen si të vërteta absolute, ose ndryshe, promovimi i sjelljes politikisht korrekte. Burimi i kësaj sjelljeje mund të jetë i ndryshëm: fillon me mamin ose babin, vijon me zyshën ose pedagogun, vazhdon me punëdhënësin ose qeveritarin, vijon me ligjin dhe, së fundi, me Evropën.

Qëllimi i promotorëve të idesë politikisht korrekte është që të vërtetat absolute të mos diskutohen në asnjë mënyrë. Çfarëdolloj pseudo-argumenti që bllokon sensin kritik duhet vënë përpara, për të na bindur me hir por kryesisht pa, se ato të vërteta absolute nuk preken. Për fatin e tyre, tani ka dalë dhe Evropa. “Evropa thotë se duhet bërë, duhet ta bëjmë”, thonë ata duke prerë çdo iniciativë individuale kritike, përfshi dhe të tyren (nëse interesat nuk ua kanë tharë trutë përfundimisht) për të menduar se a e kërkon Evropa filan reformë dhe nëse e kërkon, a kemi të drejtë ne që t’i themi jo?

Në asnjë mënyrë! Kritikës i duhen prerë krahët, dhe jo me argumente, por duke shantazhuar atë që shtron pyetjet, duke e kërcënuar dhe duke e përndjekur deri në shpifje dhe vetëm kështu do të kenë arritur të triumfojnë me aksionin e tyre të neveritshëm. Kështu veprohej më parë, kështu veprohet dhe sot. Por ajo që është e neveritshme është se pasuesit e politikisht korrektes janë të rinj në moshë, kanë kurajë prej budallai për të sharë, për të thënë gjëra absurde dhe për të shtypur që në vatër çdo tentativë zgjimi, që nuk është qëllim në vetvete, por është mjet për të t’u emancipuar kolektivisht dhe, mbi të gjitha, u shërben dhe vet atyre për t’i larguar nga një debilitet mendor i plotë që thonë si papagall gjëra që u pëshpëritin në vesh disa mendje të mykura. Sjellja e tyre në fakt, i largohet kuptimit që i dhamë në fillim: ajo nuk shpall tolerancën, por organizon urrejtjen. Ky lloj politikisht korrekti duhet shpartalluar një herë e përgjithmonë. Dhe kjo mund të bëhet vetëm me veprim.

Viroi

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *