Vera e nxehtë evropiane

Ekonomia gjermane për hir të së vërtetës gjate 2010-ës pati një rritje të konsiderueshme të prodhimit dhe eksporteve, duke shënuar nje rritje shembullore prej 4%. Por ja që ekonomia evropiane eshte shumë e brishtë, mjaftoi kriza greke e pasuar nga rreziku i një krize të ngjashme në Itali që e gjithë zona e euros të përfshihet nga paniku dhe rrokullisja në bursat e Milanos, Frankfurtit, Parisit, Londrës…

Është e rëndësishme të theksohet që Italia nuk është as Greqi as Irlandë: është debitori i dytë në kontinent me rreth 22% të totalit (e para eshtë Gjermania por me një ekonomi sigurisht më të shëndetshme). Përveç borxhit Italia përjeton edhe një situatë politike të paqëndrueshme. Kryeminsitri Berluskoni do të dëshironte të ulte taksat për të rifituar disi simpatinë e elektoratit i cili e braktisi në zgjedhjet e fundit lokale, por kriza që ka përfshirë vendin i imponon rritjen e tyre. Ndërsa zgjedhjet politike po afrojnë Kryeministri italian ndodhet përpara dilemës nëse është më mirë të shpëtojë vendin apo veten. Në fakt ajo çka është e qartë në këtët moment është që vetëm Gjermania mund ta shpëtojë Italinë, ashtu sikurse ndodhi me Greqinë. Por në ndryshim nga kjo e fundit situata me Italinë shfaqet më e komplikuar. Italia është “too big to fail” dhe nëse Greqia kishte një problem me Evropën tani është Evropa dhe Gjermania që kanë një problem me Italinë.

Të hysh në negociata me Romën nuk është e njëjta gjë si me Athinën, nuk mundet thjeshtë t’i imponosh një shkurtim të shpenzimeve publike dhe një rritje konsistente të taksave. Duhet të hysh në negociata shumë me komplekse dhe më të gjata, gjë që e rikthen vëmendjen tek e ardhmja e monedhës së përbashkët, Euros (nëse ka një të ardhme) dhe akoma më gjerë tek e ardhmja e Evropës. “The Economist” shtron një pyetje: A kanë dëshirë gjermanët të financojnë ristrukturimin e borxhit grek dhe atij italian? Që ky plan të realizohet Gjermania duhet të marrë kontrollin politik të kontinentit dhe jo vetëm atë ekonomik. Dhe këtu ndodhemi përpara pengesës kryesore, që ka sidomos arsye historike.

Gjermania është vendi që filloi dy Luftërat Botërore dhe teatër i Luftës së Ftohtë. Atëhere shtrohet pyetja: kush do të dëshironte që Gjermania të “rimarrë” kontrollin e Evropës dhe për më tepër cilën figurë politike do të propozonte? Personaliteti që duhet ta drejtojë Evropën, e cila vështirë të ketë një të ardhme të sigurt pa një lidership të fortë, në radhë të parë nuk duhet t’i frikësojë evropianët dhe në radhë të dytë duhet të negociojë kryesisht me Romën, të sëmurin e madh të Evropës. Pa një lider të tillë Berlini ka dy zgjidhje, ose të dalë jashtë Euros ose të harxhojë miliarda për të shpëtuar Italinë.

Nuk janë zgjedhje të thjeshta për një vend i cili duhet të marrë lidershipin e Evropës, e cila nëse e ruan unitetin përbën ekonominë më të madhe në nivel ndërkombëtar. Sigurisht duke mos harruar Republikën Popullore Kineze, që nga ana tjetër e rruzullit, shikon jo pa interes zhvillimet në kontinentin plak.
Tre vjet pas krizës së fundit ndodhemi sërish aty ku e filluam. Evropa në udhëkryq.

Onufri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *