Vendi folklorik ku jetojmë

Turma e njerëzve ishte vendosur para një skene të improvizuar, ku në fakt duhej nënvizuar se ishin bërë përpjekje për të sjellë disa elementë teknologjikë në të, gjë që do të kompensonte varfërinë artistike dhe intelektuale të materialeve të përgatitura me këtë rast. Dhe më në fund mbërriti rasti i shumëpritur. Mbërriti shpura e qeveritarëve që sollën me përpjekjet e tyre këtë ditë fatlume për Shqipërinë, me në krye një ministër në ndjekje penale, një tjetër i dorëhequr për shkak të ngjarjes që desh minoi procesin integrues të Shqipërisë dhe Kryeministrin, strumbullarin e të gjithë kësaj mizanskene gogoljane në mes të sheshit Skënderbe. Në fakt, meqë ra fjala, për “ditën e djeshme” sheshi duhet të kishte ndryshuar emrin, mbase sheshi Berisha, sheshi NATO, sheshi rrumpalla… po jo sheshi Skënderbe, pasi mu përpara statujës së heroit kombëtar ishte vendosur skena artistike e futjes në NATO. Në fund të fundit, gjithcka ishte bërë nën kujdesin e SHTZ Sali Berishës, në këtë kuptim asnjë simbol kombëtar nuk mund të përballej me mrekullinë e lirisë që solli në Tiranë pishtari i delegacionit shqiptar.

Pra pasi mbërriti kamioni me vullnetarët e lirisë që kishin marrë flamurin e kuq për ta ekspozuar në mes të sheshit të fshatit, filloi ceremonia. Në fakt festa rezultoi të ishte më shumë një miting i PD-së. Një festë kombëtare që u kanalizua tërësisht nga partia në pushtet për qëllime elektorale. Por nuk është ky thelbi i asaj që duhet të nënvizojmë. Më e rëndësishmja është sesi partia në pushtet edhe kësaj here tregoi se i takon një bote tjetër, një bote të vjetër me zakone të vjetra dhe me mënyra festimi gati paranojake. Madje, po të ishte e mundur, do të bëhej dhe një parakalim i forcave të armatosura në Bulevardin Dëshmorët e Kombit (më falni, Bulevardi që gjendet në këmbë të selisë së SHTZ Kryeministër), por problem është se nuk ka se me cfarë të bëhet parakalimi… Në kujtim të kohërave të vjetra, në kujtim të kohërave kur me të njëjtën iso folklorike festohej futja në bllokun armik të NATOS. Dhe kjo tregon mjaft qartë që koha ka kaluar por mentaliteti ka mbejtur fatkeqësisht i njëjtë. Kalojmë nga një rrymë në një tjetër pa kuptuar hapat që po hedhim.

Është shtruar gjithë ato herë pyetja se kush është e mira e futjes sonë në NATO. Këto të mira janë reale, ndër të tjera dhe kryesorja është futja në një bllok që presupozon se i bën ballë despotizmit që vjen nga Stepat e Rusisë, po a janë shpjeguar ose të paktën pohuar vetëm një herë? Në popull futja në NATO është përcjellë me të njëjtin fjalor që përdorin Dëshmitarët e Jevohait kur trokasin nëpër dyert e njerëzve: do kesh vetëm të mira, mjafton të besosh, do jetosh në prosperitet, në paqe, e ardhmja jote do të jetë më e lumtur… Dhe natyrisht populli duhet të jetë i lumtur për tërë këto të mira dhe s’ka si të jetë ndryshe. Po faktet janë kokëfortë dhe tregojnë shumë qartë se kulmimi i një procesi që ka disa vjetë që ka filluar nuk mund të fshehë situatën tepër kritikë me të cilën përballen njerëzit sot. Papunësia, mungesa e parasë që vjen nga emigrantët si pasojë e krizës botërore, mungesa e investimeve si pasojë e tkurrjes së aktiviteteve të shoqërive të huaja, hapat gjysmakë në zhvillimin e bujqësisë, problematika e arsimit, bomba me sahat që nëse shpërthen do të ketë pasoja që as 15 hyrje në NATO dhe 20 hyrje në BE nuk do t’a kompensojnë dot, konfliktet sociale dhe familjare, mungesa e perspektivave nëpër rrethe të Shqipërisë, korrupsioni anadollak që mbartet nëpër gene pushtetarësh që nga koha e rrëfimeve të Nolit dhe deri më sot, tregojnë se sa pak është punuar realisht për rimëkëmbjen kulturore, shpirtërore, ekonomike, arsimore të shqiptarëve. Nuk duhet menduar se populli shqiptar është dinamik dhe se e can vet rrugën e historisë me shpatë në dorë që shteti të rrijë mënjanë dhe të asistojë si spektator në shpërfytyrimin e një kombi ose si aktor në ndrydhjen e tij të mëtejshme.

Pra, hyrja në NATO, më shumë sesa festime anadollake dhe që fshehin të vërtetën therrëse të varfërisë së shumëfishtë të shqiptarëve, duhet t’i bëjë politikanët tanë të reflektojnë sesi mund të ndihmohet një individ pjesëtar i një shteti që është anëtar me të drejta të plota i një organizmi shumë të fuqishëm ta ndjejë veten të barabartë me një shtetas tjetër anëtar të së njëjtës organizatë. Por mbase është tepër të kërkosh shumë nga një shtet që gjithmonë ka organizuar festime bombastike domethënia e të cilave ka qënë gjithmonë larg problemeve të shqiptarëve dhe asnjëherë të mendojë me largpamësi emancipimin e tij në cdo fushë. Dhe nuk kemi pse habitemi kur sheshi mbushet hareshëm me njerëz që presin, dëgjojnë, shikojnë se cfarë do t’u servirë folkori i radhës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *