Vdekja e dënimit me vdekje

Ishte 37 vjeç. Kishte lindur në Gjermani, ashtu si dhe vëllai i tij Karl. E ëma e tyre ishte martuar me një ushtar amerikan dhe më pas kishte ikur në Amerikë së bashku me dy djemtë e saj. Në 1982, gjatë një vjedhjeje me armë në një bankë, vëllezërit vrasin një punonjës të saj dhe plagosin një tjetër. Vrasësit në atë periudhë ishin 18 dhe 17 vjeç. Të dy u dënuan me dënimin kapital.  16 vjet të jetës së tyre i kaluan në korridoret e vdekjes. Pasi rekursi i tyre final u hodh poshtë, Karli, me kërkesën e tij u ekzekutua me një injektim vdekjeprurës. Walter-i refuzoi. Ishte një sfidë përfundimtare që ky, shtetas gjerman i bënte drejtësisë amerikane. Ndoshta ai ushqente shpresë deri në momentin e fundit. Por gjithçka rezultoi e kotë, pasi më 3 mars ai u përcoll në dhomën e gazit.

Fati i tij nuk pati një jehonë të veçantë në SHBA. Çështja qëndronte te fakti se vëllezërit LaGrands kishin ruajtur shtetësinë e tyre gjermane. Dënimi me vdekje ishte shfuqizuar në Republikën Federale gjermane. Dënimi i një gjermani me vdekje në një dhomë me gaz u perceptua në Gjermani si një përulje e turpshme. Juristët ngritën shqetësimin se SHBA-të kishin shkelur Konventën e Vjenës, e cila u siguron të arrestuarve ndihmën e vendit të tyre të origjinës. Por në fakt, ambasada gjermane ishe njoftuar vetëm dhjetë vjet pas arrestimit të tyre. Autoritetet e Arizonës u ishin përgjigjur autoriteteve gjermane se të dënuarit kishin përfituar nga të gjitha të drejtat që u njiheshin qytetarëve amerikanë. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë  dërgoi një kërkesë urgjente qeverisë amerikane pak orë para dënimit ku i lypej “të përdorte çdo mjet të nevojshëm për të parandaluar ekzekutimin. Por pak rëndësi kanë isntrumentat ndërkombëtarë kur bëhet fjalë për dënimin me vdekje…

Kjo çështje, si shumë të tjera, paraqesin situatën e përgjithshme të sistemit të drejtësisë në Amerikë. Në fillim të çdo çështjeje qëndron një krim i cili është në juridiksionin e një shteti të caktuar. Sipas rregullave të procedurës amerikane, kryesisht akuzatore, i takon policisë të ndjekë hetimin dhe të mbledhë provat. Çdo person, që nga momenti që është i dyshuar, mund të thërrasë një avokat. Kështu, parimi i barazisë midis akuzës dhe të akuzuarit duket se respektohet.

Por në fakt, prokurori ka në dispozicion të tij shërbime të fuqishem policore të organizuara për të kërkuar prova, dëshmi dhe të kryejë analizat e të dhënave. Ndërkohë, i akuzuari ka mjetet e tij të mbrojtjes shumë të kufizuara. Shumica e atyre që dënohen për vdekje janë individë të cilët janë të margjinalizuar dhe që janë pjesë e komuniteteve më të varfra. Çështjet që lidhen me dënimin me vdekje kërkojnë javë të tëra përgatitjeje, në një kohë kur pagesat e avokatëve të caktuar nga shteti janë të ulta për të mos thënë në disa raste qesharake.
Nga ana e akuzës, përveç ndihmës së organeve policore, shtohet dhe dëshira e autoriteteve për të dënuar të akuzuarin me dënimin maksimal. Të mos harrojmë se personat që drejtojnë këto autoritete zgjidhen nga populli: çdo kokë që ata presin asimilohet me numrin e avionëve armiq që rrëzohen në një betejë.

Pabarazia e konsiderueshme nënvizohet akoma më fort në çastin e përzgjedhjes së jurisë: sipas ligjit amerikan, kualifikohen për të marrë pjesë në juri personat që janë në gjendje të vlerësojnë se sa i bazuar është dënimi me vdekje. Kjo nënkupton se nga shumë juri përjashtohen persona që janë ose shprehen kundër  këtij dënimi kapital.
Rezultati i procedurave të tilla është i tmërrshëm. Që nga viti 1972, më shumë se 72 persona të dënuar me vdekje për krime që nuk i kanë kryer janë liruar, shpesh herë disa ditë para datës së ekzekutimit. Sipas një studimi të bërë në universitetin e Çikagos në vitet 1999, në 450 dënime, pafajësia e 1 të dënuari në 7 është provuar pas ekzekutimit.
Rezultati i politikave të tilla e rendisin Amerikën në krye të vendeve me më shumë dënime për vdekje. Demokracia më e vjetër, fuqia ekonomike dhe ushtarake që ajo përfaqëson ndodhet në këtë rekord të trishtë në krah të Kinës dhe Iranit. Shoqëria po përfshihet nga një marramendje dhune dhe vdekje, por ajo nuk po lirohet dot nga krimi. Vetëm sa i shton karriges elektrike dhe dhomën e gazit…

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *