Vdekja e autorit

Një përkufizim i tillë është ai që i afrohet më shumë realitetit të procesit të krijimtarisë.  Vepra del nga tërësia e ndjenjave të një autori, çka e bën atë të lidhur në mënyrë gati intime me autorin.  Për këtë arsye, koncepti i pronësisë mbi veprën nuk përputhet me konceptin e pronësisë që njihet nga Kodi Civil: mund të blihet kopja e një libri ose një pikturë, por nuk mund të “zaptohet” kurrsesi mendja dhe shpirti krijues i autorit të librit ose të pikturës.

Në këtë kuptim, koncepti i origjinalitetit ndihmon në një mënyrë thelbësore në vendosjen në qendër të vëmendjes si mediatike ashtu dhe të tregut, të autorit dhe të procesit të tij krijues.  Me anë të konceptit të origjinalitetit, koncept subjektiv, që lidh botën e autorit me ndjesitë e publikut, autori luan një rol parësor në drejtimin dhe në kuptimin që ai dëshiron t’i japë veprës.  Në saj të këtij koncepti, ai ruan një autonomi të shprehjes së mendimit të lirë, duke mos qenë nën presionin e një censure që mund të vijë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndonjë autoritet publik ose në mënyrë të tërthortë, nga dëshirat e tregut dhe industrisë artistike, e cila shqetësohet më shumë për fitimet sesa për aspektin artistik të veprës.

Është pikërisht kjo censurë e tërthortë që po tenton të instalohet në radhë të parë në praktikë dhe në radhë të dytë, edhe në ligj.  Nuk është ndonjë zbulim i madh nëse zëmë dhe konstatojmë drejtimin që po merr arti sot: gjithçka në funksion të rritjes së fitimit, deri në atë pikë sa muzika, për të cituar vetëm këtë degë, i bindet disa formave të gatshme brenda të cilave çdo artist i ri duhet të lëvrojë që të ketë mundësinë e lidhjes së një kontrate (pra të gëzojë pëlqimin e industrisë artistike) dhe të pëlqehet nga masat (të cilat, dhe këtu nuk përjashtojmë as veten, asimilojnë muzikën e mirë me muzikën që shitet mirë).  Një zhvillim i tillë e cungon artin dhe e detyron atë të qëndrojë brenda disa kornizave që nuk i binden më krijimit si proces i komunikimit të botës së brendshme të autorit, por si një proces intelektual i detyruar krijimi dhe i diktuar nga faktorë të jashtëm nga vullneti i autorit.  Një zhvillim i tillë e kthen autorin në një marrës urdhrash ose porosish.  

Autori në cilësinë e personit që i bindet urdhrave të të tjerëve ekziston dhe parashikohet dhe në ligjin aktual për të drejtën e autorit: bëhet fjalë për autorin punëmarrës dhe në mënyrë të veçantë për autorin krijues të veprave kompjuterike.  Duke patur parasysh investimin e madh që bëjnë industritë kompjuterike, pranohet në njëfarë mënyre një pronësi gati automatike mbi veprat kompjuterike nga ana e investitorëve duke lënë në hije autorët e vërtetë.  Në këtë rast, mbizotëron statusi i punëmarrësit më shumë sesa ai i autorit.  Këtu do të vihet më shumë theksi te procesi krijues intelektual i autorit: ai nuk shfaq origjinalitet, por shfaq dije të caktuara në një proces krijues intelektual.  Këto raste përjashtimore janë të njohura në legjislacionin e tanishëm.

Mirëpo me ligjin e ri që do të hyjë në fuqi shumë shpejt, termi “origjinalitet” përkufizohet ndryshe.  Harrohet togfjalëshi “shprehje e botës së brendshme të autorit” dhe zëvendësohet me një togfjalësh tjetër i cili është “krijim intelektual i vetë autorit”.  Një ndryshim i tillë semantik nuk është i paqëllimshëm: direktivat evropiane të stimuluara nga shembulli përtej Atlantikut vënë theksin gjithmonë e më shumë në një marrëdhënie të tipit të ri midis autorit dhe investitorit, një marrëdhënie e karakterizuar nga vartësia punëmarrës-punëdhënës që lë mënjanë konceptin e autorit krijues.  Dhe kështu, arti si shumë fusha të tjera, do të vihet nën hyqmin e fitimit, duke vendosur kështu një censurë të tërthortë në procesin krijues të pavarur.

Ndoshta një përfundim i tillë është i nxituar.  Por përse ky ndryshim me ardhjen e Ligjit të ri?  Askush më mirë se vetë autorët nuk mund ta shprehin më mirë procesin e tyre krijues.  Dhe këtu duam të citojmë piktorin ekspresionist amerikan Jackson Pollock, i cili i pyetur mbi procesin e tij krijues u përgjigj duke thënë se “kur pikturoj, nuk e kuptoj mirë se ç’jam duke bërë.  Vetëm pas një periudhe “njohjeje” (me pikturën), e kuptoj se çfarë kam qënë duke bërë”.  Një përkufizim i tillë nuk ka të bëjë aspak me procesin e krijimit intelektual të autorit, përkundrazi, autori ka shprehur në shpërthim e sipër ndjesitë e tij të momentit.  Por kjo mënyrë krijimi nuk e bën atë pikturë të qëndrojë jashtë përkufizimit ligjor të veprës.  Veprat e tij, sikundër të gjitha veprat letrare dhe artistike hyjnë automatikisht në përkufizimin e veprës artistike dhe zënë një vend të veçantë për sa i përket mbrojtjes që u siguron ligji.  Përkufizimi i ri nuk ia heq këtë cilësi veprave letrare dhe artistike por ama dobëson lidhjen që ekziston midis veprës dhe autorit dhe vë detyrimisht theksin mbi lidhjen e vartësisë së autorit nga urdhrat e një porositësi që do të kërkojë përtej veprës, fitimin e tij të mundshëm.  Një përkufizim i tillë, jemi të mendimit se duhet riparë.

Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *