Universiteti në rrezik (Kundër mediokritetit në arsimin e lartë)

Në njëfarë mënyre, kemi një mohim jo vetëm të një të drejte që mund të garantohet me ligj, por edhe shmangien me vullnet nga ndërgjegjësimi se një e drejtë mund të shkelet.  Pra njerëzit shmangen nga diskutimet, duke i pranuar gjërat shabllon ashtu siç janë.  Në këto kushte, asnjë regjim në botë nuk do të gjente dot fjalë për të shprehur kënaqësinë e qeverisjes së njerëzve të tillë; dhe kjo vlen edhe për një qeverisje si kjo e sotmja, me prirje ultra-liberale në ekonomi.

Në politikat arsimore, gjithashtu vërehet e njëjta dukuri.  Shumëkush nuk e di për rrezikun në të cilin është futur sistemi arsimor universitar në Shqipëri.  Sot, shumë pak janë ata që  diskutojnë për këto rreziqe, por nga ana tjetër, ndjejmë detyrimin që ti ndajmë me sa më shumë njerëz dhe mbi të gjitha studentë, për të kuptuar se Qeveria po prek atë fushë në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme.  Tre janë “reformat” rrënuese në fjalë.

Së pari, është reforma ende në diskutim në lidhje me financimin e arsimit të lartë.  E nxitur nga një universitet privat, shteti nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se është kthyer në krahun ekzekutues të vendimeve të marra prej tij.  Buxhetet e universiteteve publike, me anë të kësaj reforme, do të jenë tërësisht të pavarura, do të braktisen nga financimi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit.  Aktualisht, autonomia financiare e universiteteve publike vlen për sa i përket menaxhimit të tyre, por jo për sa i përket financimit, që është një detyrë e shtetit. Shteti, shteti i publikut, jo ai i interesave meskine, ka për detyrë që të rrisë buxhetet për arsimin publik për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë.

Mënyra e re e financimit do të largojë vëmendjen e shtetit ndaj universiteteve publike. Buxheti do të përcaktohet në bazë të kuotave të pranimit dhe një pjesë e fondeve publike do të shkojë drejt universiteteve private, të cilat për të evituar pagesat e taksave të shumta do të kthehen në organizata jofitimprurëse.  Nëse kuotat do të bien në universitetet publike, atëherë buxheti i universitetit do të rishikohet në ulje.  Në këtë kuptim, universiteti publik do të futet dhe ai në garën e shfrenuar të tërheqjes konkurrenciale të studentëve, duke harxhuar më shumë energji në marketing sesa në investime, kualifikime dhe kërkim shkencor.  Më tej, kjo do të sjellë si pasojë rritjen e tarifës së regjistrimit, uljen e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimin e një nivelimi total të universiteteve tona drejt sistemit privat, që është sot që flasim sistemi me peshë ende të papërfillshme, përsa i përket numrit të studentëve, në krahasim me sistemin arsimor publik.

Qeveria në programin e saj parashikon një sistem kreditimi për studentët për të përballuar tarifën e regjistrimit që mund ta shlyejnë kur të fillojnë punë.  Por për cilën punë të paguar e ka fjalën Qeveria?!  Me Ligjin e ri për Profesionet e Rregulluara, dhe këtu kalojmë në pikën e dytë, periudha pas diplomimit deri në datën e dhënies së provimit për profesione të tilla si mjek, infermier, arkitekt, inxhinier, mësues etj… punëmarrësve të rinj u është hequr e drejta për të përfituar pagë (me ligjin e vjetër ishte 50% e saj)!  Ata do të përfitojnë vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësi.  Sistem i bukur dhe me perspektivë për zhvillimin e kombit!  Sistemi që duan të vënë në jetë ka vetëm një precedent: Kilin.  Në Kili, kohët e fundit po bëhen protesta të mëdha, nga studentët dhe nga ish studentët që ende nuk kanë shlyer borxhet, për të hedhur poshtë këtë sistem shkatërrues.

Nëse kësaj torte të mrekullueshme me prapashije farmaku, i vendosin edhe qershinë sipër, atë të provimit të anglishtes (së treti), atëherë do të na mbetet vetëm të urojnë një vit të ri plot surpriza për të gjithë studentët shqiptarë që janë të parët të interesuar për këto çështje, por më pak të pyeturit dhe të informuarit në lidhje me to.  Ligji për Arsimin e lartë parashikon në nenin 26, se studentët duhet të japin në përfundim të masterit edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.  Pra, o anglisht o rashë e vdiqa!  Krahas detyrimit profesional i diktuar nga tregu, detyrimit prindëror i nxitur nga egot e sëmura prindërore shqiptare, tashmë kemi dhe detyrimin shtetëror jo për të mësuar anglisht, por për të marrë një certifikatë që vërteton se ke qenë pjesë e kontingjentit që ka dëgjuar të flitet anglisht.  Kjo motivohet me idenë paternaliste që e ka qeveria jonë liberale se anglishtja na duhet, dhe meqenëse jemi të paaftë të vendosim vet, atëherë na e bëjnë të detyrueshme, pasi nuk ka diplomim në Master pa marrë provimin e anglishtes në një organizëm privat (me shumë gjasa TOEFL).  Kjo do të sjellë tre gjëra: minimizimin e rëndësisë së gjuhëve të tjera (në BE kërkohet njohuria e të paktën dy gjuhëve të BE dhe JO vetëm të anglishtes), përçudnimin e sistemeve tona publike të nxënies së gjuhëve të huaja dhe përjetësimi i idesë se të rinjë janë një tufë delesh që duhet t’u tregosh rrugën dhe jo t’i ndihmosh të mendojnë në mënyrë të pavarur.

Këto tre reforma përbëjnë kambanat e gjithçkaje të mirë që është bërë deri tani, nën trysnitë dhe presionet e kohërave, qeverive dhe sistemeve që ka njohur Shqipëria.  Diktatura e mendimit njësoj do të zëvendësohet me diktaturën e tregtimit të njëjtë të punëmarrësve të rinj të paformuar mirë dhe të atakueshëm pikërisht për këtë arsye.  Kështu nuk bëhesh dot konkurrent në treg (për ata që vdesin për pak liberalizëm) por kështu nuk bëhesh dot i aftë të rimëkëmbësh shoqërinë shqiptare.  Qeveria ngatërron prioritetet, duhet që ne t’i bëjmë të kuptojë se i kemi të qarta ato dhe nuk do të lëshojmë.

(Ky shkrim është bazuar në dokumentet e hartuara nga Organizata Politike në lidhje me reformat në arsim dhe në profesionet e rregulluara.  Aktualisht, veprimi për t’iu kundërvënë nismave qeveritare në fushën e arsimit është shtrirë dhe në ambientet universitare, ku studentë nga disa fakultete të Universitetit të Tiranës kanë shprehur pakënaqësinë në lidhje me to.  Megjithatë, sensibilizimi për luftën kundër këtyre reformave duhet të prekë dhe shtresat e tjera të shoqërisë, pasi arsimi nuk është një problem i studentëve por i gjithë kombit).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *