Unë rreshtohem!

invalidët, senati amerikan, rezoluta, stabiliteti, konkurset, testimet, kush na siguron që edhe herë të tjera nuk është shitur dhe nuk është zbuluar, liberalizmi i universiteteve, kalueshmëria, pacienti-klient, transparenca, arsim-biznesi, veshi i shurdhër, Kushtetuta, përkëdhelja e minoriteteve, ojf-të, kanalet vaditëse, faturimi abuziv i energjisë elektrike, urrejta fallco dhe dashuria fallco e politikaneve, shpërdorimi i mandatave, zyra e përmbarimit, idiotët. Siguria në rrugë, Skënderbeu, monumentet e kulturës, trashëgimia kulturore, grekëzimi i emigrantëve, dhuna në stadium, zgjedhje të lira e të ndershme, komuniteti myslyman, kudo ku ka zgjedhje ka probleme, kartat e identitetit, sikur edhe një person i vetëm të marri dy karta( dhe kjo ka ndodhur) kjo tregon për keqrealizimin e këtij procesi dhe ul besueshmërinë.
Më shqetëson që shteti harxhon miliarda lekë për një tufe “studentësh” që nuk kanë dëshirën minimale për të marrë dije, më shqetëson që buxheti për arsimin i shprehur në përqindje të GDP-së është më i vogël se 5%…

Kam qenë gjithmonë i mendimit që Shqipëria ka 1000 probleme, po po 1000 probleme, mos ju duken ca si tepër?! Dhe gjatë kësaj fushate elektorale, megjithëse e kam ndarë mendjen më herët se ku do shkojë vota ime, prapëseparapë jam ulur para televiziorit në shumë debate apo përballje për të dëgjuar ndonjë gjë rreth problemeve dhe halleve të vendit tonë, por fatkeqësisht më tepër kam parë retorikë, fyerje, kërcënime (Paloka), një mungesë totale të etikës qytetare. A nuk është e tmerreshme që një politikan i thotë tjetrit kriminel, ndërsa tjetri ia kthen me mafioz, i korruptuar dhe se e kanos që do ta vrasë me duart e veta (!), nuk është akoma më skandaloze kur eksponentë të lartë të qeverisë nga njëra anë akuzojnë kundërshtatër si kriminelë, mafiozë, të korruotuar, dhe nga ana tjetër krenohen me reformën në drejtësi. Kaos!

Më shqetëson fakti që harxhohen miliona euro për fushta elektorale. Më shqetëson fakti që qeveria harxhon paratë e taksapaguesve për reklama qeveritare. Më shqetëson fakti që rrugët janë mbushur me ngërshjen e liderve partiakë. Më shqetëson fakti që nesër Ndoka mund ti shtrëngojë sërisht dorën Topallit ose Berishës.

Më shqetëson fakti që rrugët tona nuk janë aspak të sigurta.

Më shqetëson fakti që nuk parandalohen dëme shumë të mëdha.

Më shqetëson fakti që Mediu e mban kokën lart! Më shqetëson fakti që qytetarët nuk protestojnë fuqishëm. Apati qytetare në rastin më të mirë dhe frikë, apo mungesë demokracie në rastin më të keq. Zgjidh e merr. Europa është larg, shumë larg!

Sindikatat. O zot, ka apo s’ka sindikata? Ku janë? Me se merren? Apo vetëm me menaxhimin e ish kampeve të pushimit?! Më shqetëson fakti që rruga për në Parkun e Dajtit nuk është më rrugë.
Më shqetëson fakti që shumë procese gjyqësore nuk fillojnë për pretekste procedurale. Më shqetëson fakti që përsërtiten gjyqe pafund, vetëm sepse dashnores së avokatit i dhemb koka!
Më shqetësojnë ata studentë që sjellin prindërit në auditore për të takuar profesorin. Më shqetësojnë ata prindër që nuk shkojnë kurrë në takime me mësuesit. Më shqetësojnë ata pedagogë që ju fusin duart studentëve, disa ju marrin dhe para.

Më shqetëson fakti që karburanti që djegin automjetet tona nuk është sipas standardeve europiane.
Më shqetësojnë zhurmat e trapanit të dielen në orën 8 të mëngjesit, më shqetësojnë gjeneratorët. Rrugacët e lagjes. Bijtë e kurvave.
Më prishin gjakun lypsarët, që s’mund ti ndihmoj, më neveriten tutorët e tyre kur i plasin sakatët nga dum-dumet në mes të bulevardit ”Zog I”, në ditë me diell dhe në ditë me shi.

Shqetësohem që ka njerëz që shtriqen në poltronat e kuçedrave (pishinat), ndërkohë banorët e lagjes s’kanë ujë të lajnë brekët!

Më shqetësojnë lavazhet që përdorin ujin e pijshëm, më shqetësojnë njerëz që lajnë pluhurin e rrugës, ndërkohë që fqinjët e kateve të sipërm kanë rreshtuar bidonat me ujë të ndenjur, si ushtri të vdekurish në ballkone të mbuluar nga pluhuri.

Më shqetëson fakti që mund të jem i manipuluar nga media, apo dhe nga muhabete kafenesh, nga njerëz të ndryshëm, që gjoja dinë shumë më tepër.

Më shqetëson profesori që pi më shumë raki, se sa pi ujë.

Më tmerrojnë vrasësit ordinerë, që vriten me thika.

Më tmerrojnë vetvrasjet nga varfëria, fotoksina që shitet si çaj mali. Farmacistët që shesin ilaçe pa pullë. Më shqetësojnë duhanpirësit, më shqetëson vetja ime.
Më shqetëosojnë telenovelat e pafund, më shqetëson kronika e zezë, pompoziteti i lajmit të parë,

Ndihem keq kur një roje “fukara” i maternitetit fiton më shumë se dekani i fakuletit! Tmerrohem kur nga pakujdesia e mjekëve, operacione të thjeshta të bajameve përfundojnë tragjikisht, tmerrohem me urrejtje kur raste të tilla përsëriten. Është e vërtetë që sot shumica e mjekëve nuk ju kërkojnë rryshfet pacientëve, por është po aq e vërtetë që shumë pak prej tyre e refuzojnë “bakshishin”. Skandalizohem kur mësoj që një zëdhënës shtypi në ministri ka një pagë zyrtare më të lartë se një mjek kirurg!!!

Politikanëve ju bie bretku gjatë muajit të fushatës elektorale, rrinë pa gjumë e bëhen copë, ju ikën zëri nga premtimet, premtojnë për popullin; ndërsa në 47 muajt e tjerë ose punojnë për vete ose bëjnë pushime dhe punojnë të tjerët për ta.

Më shqetëson zelli i terpruar i të rinjve, i zëdhënësave të shtypit, për të mbrojtur shefin, që flasin si dëshmitarë okularë. E turpshme!

Më shqetëson mburrja e të diplomuarve në perëndim, më shqetësojnë ata që kthehen, por akoma më shumë më shqetësojnë ata që nuk kthehen, më shqetëson përçmimi  që ju bën garda e vjetër këtyre të rinjve.

Doris Pack, edhe ajo mi ngre nervat. Ndërsa më pëlqen ambasadori Withers.

Po prodhimet bujqësore bio të vendit tim përse kalben, ose shiten për pesë lekë? Po peshku që shitet jashtë pse nuk shkon tek djersa e peshkatarit, por tek tregtati që punon veçse me celular?  Po ofertat e celularëve për të folur natën cfarë janë? Unë natën dua të fle gjumë jo të flas në telefon!

Po si mund të flesh gjumë kur lokalet paraditeve vihen në shërbim të partive dhe në darkë në shërbim të një ahengu që ka si klientë pronaret, kamarierët dhe dy tre veta tek tuk, po që bën të tundet një lagje e tërë. Më shqetëson kjo arrogancë e cila dhunshëm po nxjerr kokën e saj dhe në këtë fushatë zgjedhore.

Më shqetësojnë lajmet që më vijnë cdo ditë nga njerëz që i njoh, dhe që u premtojnë celularë me foto që të vërtetojnë se kanë votuar partinë e duhur, më shqetësojnë zhvendosjet e gjendjes civile si me magji vetëm për muajin e bekuar të qershorit, më shqetësojnë vonesat e aplikimeve cuditërisht në vendet ku nuk votohet partia në pushtet, më neverisin disa dhënie duarsh që mbajnë erë fëlliqësirë. Shtrëngime duarsh që na bëjnë të besojmë se njeriu parimor është i tepërt në këtë botë dhe se nuk ka marrë vesh asgjë nga funksionimi i saj.

Dhe ne asistojmë si spektatorë në agoninë e vazhdueshme 20 vjecare të vendit tonë duke mos guxuar të bëjmë asgjë. Po më mirë vonë se kurrë. Kemi pasur disa herë raste që të tregojmë se kujt ane i përkasim, të vjetrës apo të resë, folklorizmit partiak apo pjesëmarrjes kritike, shikimin drejt së ardhmes apo soditjes së të kaluarës, pra kemi patur disa herë raste që të rreshtohemi! Sot më shumë se kurrë duhet që të mos lëkundemi, të mos tregojmë skepiticizëm të kotë përpara një situate që mund të na cojë drejt një autokracie gati dinastike, e cila është e aftë të gjunjëzojë cdo ëndërr lirie dhe demokracie në këtë vend. Dhe tundimi është shumë i madh. Mbase dhe për hir të ndonjë stabiliteti të rremë, shumë opinionistë të autopatentuar, mendojnë se zgjidhja më e mirë është vazhdimësia e qeverisjes. Po kjo do të ishte dritëshkurtësi viktimat e së cilës do të jemi ne dhe liria e këtij vendi.

Gjeneralmegafoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *