Unë nuk jam Superman!

Sot, edhe prishjen e Kopshtit Botanik do ta ndaloja, si edhe të Muzeut të Shkencave të Natyrës; sot do të pastroja dhe zërin e videos Meta-Prifti, do të siguroja edhe ato 60 video-përgjimet e tjera të Priftit (këtë të fundit do ta katapultoja në Hënë për të qenë më i sigurt, gjynah i shkreti ai nuk është Superman). Po sot, do të tjetërsoja raportin e progresit dhe do e fusja Shqipërinë përfundimisht në Evropë. Sot, do të hapja dhe një galeri tjetër në minierën e Bulqizës, do të pyllëzoja malet e Lurës, do të grumbulloja gjithë makinat e vjetra dhe do t’i çoja për skrap në Elbasan, ah do e thithja për vete gjithë ajrin e ndotur të qyteteve tona, ose do i fryja të shkonte diku gjetkë. Do të ngrija argjinatura të larta e të forta në brigjet e Drinit e Bunës, se po vjen vjeshta e dimri. Do të zbuloja dorën vrasëse të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, do të zbuloja të gjithë gjyqtarët e ndershëm (për kursim kohe). Do përgjoja Arvizu-në, kam dhe unë mëkatet e mia! Do të organizoja sindikata, do të protestoja në emrin e të frikurëve, do të ndërtoja shkolla, do të digjja të gjitha diplomat false. Ah, mbi të gjitha do të mbillja të gjitha tokat bujqësore, do të bëja edhe agjentin turistik, do të mbroja monumentet e kulturës, do të ndërtoja shumë kënde sportive, por të vogla ama… Do të bllokoja të gjitha lojërat elektronike në kompjuterat e administratës shtetërore…
Do ti bëja unë të gjitha, dhe ju do të rrinit rehat!

Po dje, çfarë do kisha bërë dje?! Po ja! Do të kisha ndaluar vrasjen e Skerdilajd Konomit, do të kisha  fluturuar sa nga një kuti votimi në tjetrën për të penguar njerëzit që të hidhnin votën në kutinë e gabuar, do të kisha ndaluar Arvizu-në të shkonte tek shkolla Vasil Shanto, do të kisha ndaluar vrasjet e 21 Janarit, do të kapja të gjithë ata të rrezikshmit pranë gardhit dhe do u sekuestroja çadrat pistoleta, dhe kështu ata të Gardës nuk do shtinin mbi turmën; do të  kisha ndaluar tragjedinë e Gërdecit, do të kisha ndaluar përmbytjet e Shkodrës, e të Otrantos, do të kisha kthyer opozitën në Kuvend, do të kisha votuar ligje me 3/5, do të kisha mbyllur universitete private, por edhe publike, do të  bëja analiza mjekësore dhe operacione falas për njerëzit në nevojë, do të rrisja pensionet e pagën minimale, do të zhdukja gjakmarrjen, do të bëja një xhiro kositëse në Lazarat…
Do ti bëja unë të gjitha, dhe ju do jetonit në parajsë!

Befas (në fakt jo dhe aq), realiteti u kthye brenda meje, dhe ëndrra ime e çmendur e supernjeriut mbaroi, dhe ashtu si dhe Prifti e kuptova pafuqinë time njerëzore… E prapëseprapë një fije shprese ende ekziston brenda meje, që gjithë këto vepra që i presim nga një supernjeri mund ti realizojmë ne njerëzit, të bashkuar në një trup të vetëm, në trupin e vlerave universale të popujve të lirë!

Marka X

PS: dhe nëse ekziston me të vërtetë një supernjeri në Shqipëri, ai është Sali Berisha. Natyrisht që Supernjeriu në fjalë ka të tjera projekte në kokën e tij.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *