Udhë pa krye për të paangazhuarit

 Gjatë ditës së djeshme në Parlament u diskutua buxheti dhe ndryshimet në ligjin për SHISH-in. Shumë pak prej nesh, madje edhe ata që hiqen si specialistë në këto fusha, janë në dijeni të problematikave që implikojnë këto tema. Sado të interesuar të jemi, sado përzemër ta kemi Shqipërinë, sado pasion politikën, askujt nuk i intereson realisht pse u shkurtuan këto fonde dhe ku do të shkojnë apo si do të ri-investohen ato fonde të tjera. Se çfarë po ndodh me ligjin për SHISH-in është edhe më pak e kuptueshme për pjesën më të madhe të shqiptarëve, madje edhe interesi është i ulët si asnjëherë tjetër. Emrin e kryetarit të Shërbimit Informativ nuk e njihnin as gazetarët deri në mars të këtij viti, kur çështja papritmas u bë e nxehtë. Dimë që ShBA-ja dhe NATO-ja e kundërshtojnë ligjin që Kryeministri në fakt e ka përzemër dhe që Opozita e kundërshton. Po çfarë na intereson ne? Pse duhet të dimë arsyet që çuan mbrëmë një grusht deputetësh të grushtonin njëri tjetrin? A mos vallë ndryshon gjë po të mbahemi të informuar?! Mediat në anën tjetër janë të interesuara të ketë sadopak gjullurdi. Dërgohen në terren (Parlament p.sh.) dy pseudogazetarë që dinë të krijojnë një lajm prej thashethemit, por nuk dinë as rregullat elementare të gramatikës së gjuhës shqipe. Kështu na servirin në ekrane dhe gazeta atë çka ne konsumojmë çdo ditë si lajm por që në të vërtetë askujt nuk i intereson. Indiferenca dhe harresa janë ilaç për shpirtin.

    Liri do të thotë pjesëmarrje. Por ne nuk jemi të lirë dhe nuk kemi më as dëshirën për të qenë të tillë. Duket qartë një dorëzim përpara realitetit. Dëshirës për ta ndryshuar këtë realitet nuk i duket as nami e as nishani. Edhe thirrjet për të qenë më aktivë në jetën e vendit, më të kujdesshëm në problematikat sociale, më të pranishëm në zhvillimet politike, po shuhen dalëngadalë, po meken në grykën e dy tre intelektualëve të fundit…

     Në Shqipëri edhe puna nuk është më punë dhe askush nuk do të punojë. Në Shqipëri qytetari mëson t’a urrejë punën dhe s’ka si të jetë ndryshe. Këtu ata që nuk punojnë por vjedhin ose bejnë politikë, varet nga kendvështrimi, pasurohen dhe të tjerët mbeten në vend numëro.

    Morali këtu është i ndaluar me ligj. Mjafton të dëgjosh deputetët apo ministrat sesi përshëndeten me fjalor rruge, duke i përmendur njëri-tjetrit tangat e kuqe që përdor natën, sa miell tërheq njëri e sa femra ka korruptuar tjetri. Është e pamundur të mbyllësh veshët, pasi lajmet jepen në çdo orë të ditës dhe s’ka fëmijë të kësaj Republike që të mos e ketë pasuruar zhargonin e tij me fjalë politikançe. Këtu mund të gënjesh, mund edhe të shpifësh dhe del i nderuar. Mund të lypësh, mund t’iu përulesh shefave dhe prapë të jetosh me “dinjitet”. Skepticizmi madje nuk është edhe aq i keq, përkundrazi është gjëja më e mirë që mund të përftosh duke jetuar ne Shqipëri. Shefi i të gjithë shqiptarëve, në këtë rast Kryeministri ka një fuqi të pafund. S’do mend që mësohet me këtë fuqi dhe fillon ta konsiderojë veten me të drejtë zot. I vetmi që ka pushtetin mbi secilin prej 3 milion shpirtërave që popullojnë këtë copë toke të ballkanit perëndimor. Ndërsa ushtarët janë ushtarë dhe plot privilegje.

    Dhe është keshtu që qytetari i Shqipërisë shikon sesi paska njerëz që mund të jetojnë për së mbari edhe në këtë mënyrë. Kështu fillon e kopjon sjelljen e atyre që kanë arritur majat, mëson zhargonin e tyre, e ve në përdorim dhe zbulon kënaqësitë e sjelljeve prej komandanti, zbaton çdo urdhër dhe mëson t’i adhurojë politikanët, ose… ose zgjedh të qëndrojë më vete, të largohet prej rrëmujës, zhurmës dhe imoralitetit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve e kanë bërë zgjedhjen e tyre…

    Për sa kohë fjala liri nuk do të ketë kuptimin e pjesëmarrjes aktive në jetën e vendit, sidomos në politikë, për sa kohë liri do të ketë kuptimin e të qëndruarit veçmas, në indiferencë, për sa kohë liri do të përkthehet si liri për të harruar, ose për të mos u angazhuar; për aq kohë ne do të vazhdojmë të mbetemi të lidhur në zinxhirët e një pushteti të krikmbur dhe fati ynë si të paangazhuar do të jetë në dorën e pushtetarëve, të cilët, kjo gjë është e sigurt, nuk e kanë për zemër fatin tonë dhe të Shqipërisë.

 

                                                                                                                                                  Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *