Turqia e Ataturkut apo Turqia osmane?

Le të shohim shkurtimisht cfarë ka ndodhur në rajonin e Azisë së Vogël qysh prej periudhës në të cilën është aktiv kjo figurë politike…

Gjatë muajve të fundit, Turqia ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me kryetarë shtetesh dhe ministra të jashtëm të Irakut, Sirisë dhe Iranit. Ahmet Davutoglu gjatë muajve të verës (Qershor-Gusht) ka bërë disa udhëtime në Damask ku është takuar me Ministrin e Jashtëm të Sirisë, dhe Bagdad ku ka takuar Kryeministrin dhe homologun e tij irakian. Ndërsa gjatë muajve shtator-tetor ishin ministrat dhe kryeministrat e këtyre vendeve të cilët do të kryenin vizita të rëndësishme në Turqi. Objektiv i këtyre takimeve ku Kryeministri Erdogan ka marrë rolin e liderit, ndërsa shefi i diplomacisë turke atë të shtytësit ose nxitësit, është krijimi i një Hapësire të Përbashkët Ekonomike midis këtyre vendeve, hapësirë që dikur përfshihej në atë që quhej Mesopotami dhe me tej Perandori Osmane.
Kjo rrjetë kontaktesh dhe takimesh pati pikën kulminante me Samitin dy ditor në 17-18 shtator 2009 në Stamboll  ku morën pjesë nëntë ministra turq (pothuajse i gjithë Kabineti) dhe homologët e tyre irakianë. Nëpërmjet kësaj iniciative është duke filluar një epokë e re bashkëpunimi me një model të ri integrimi ekonomik. Kjo iniciativë i ka rrënjët që në fillim të 2007-ës kohë gjatë së cilës Davutoglu ishte këshilltar i Kryeministrit turk Erdogan për politikën e jashtme por që kurorëzohet në 2009-ën pas dy vjetësh pune intensive. Sigurisht që në këtë kuartet (Turqi-Irak-Siri-Iran) peshën më të rëndësishme e mbajnë Turqia dhe Iraku që përbëjnë edhe boshtin e këtij rajoni. Nëpërmjet këtyre lëvizjeve Ankaraja synon të bëhet hallkë lidhëse midis; Lindjes së Mesme dhe Evropës, pasurive energjitike të Azisë së Vogël dhe etjes gjithmonë në rritje të Kontinentit të Vjetër për këtë energji. Eksportet turke drejt Irakut dhe anasjelltas kanë pësuar një rritje të jashtëzakonshme duke i dhënë oksigjen ekonomisë së vendit, faktor ky që edhe i vetëm do të ishte i mjaftueshëm për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike midis këtyre shteteve.


Por si cdo marrëveshje e rëndësishme edhe kjo e ka pikën e saj të dobët. PKK (Partia e Punëtorve të Kurdistanit), e cila i ka bazat e saj në jug-lindje të Turqisë, por që nga rënia e regjimit të Sadam Huseinit edhe në Irakun verior, ka ndërmarrë një sërë sulmesh guerrilase kundër ushtrisë turke, duke shkaktuar shumë viktima në radhët e kësaj të fundit. Turqia ka nisur një valë të re bisedimesh me eksponentët e politikës lokale kurde me qëllim aritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe në këtë iniciativë ka gjetur mbeshtetjen e pjesës më të madhe të popullsisë kurde. Ankaraja ka premtuar më shumë të drejta dhe liri në këto zona por mesa duket PKK nuk është e interesuar. Atëhere përgjigja e menjëhershme e ushtrisë turke ishin bombardimet në veri të Irakut. Me një ligj të posaçëm në 2007-ën parlamenti i dha të drejtën ushtrisë që t’i kryente këto bombardime, por duke parë  zhvillimet e fundit dhe humbjet e mëdha, gjeneralët turq, kanë kërkuar që të ndërhyjnë edhe me forca tokësore në Irak. Ndërsa Bagdadi është qartësisht i irrituar nga kjo sjellje e fqinjit Euroaziatik. Kjo pra është nyja problematike që me çdo kusht duhet të zgjidhin të dy shtetet në mënyrë që marrëveshja strategjike ekonomike të ketë jetë sa më të gjatë.
Davutoglu në politikën e jashtme turke përbën pa më të voglin dyshim, një faktor revolucionar. Teoritë e tij qysh kur ishte docent në Universitetin e Stambollit shkojnë ndesh me frymën izolacioniste të Qemal Ataturkut, babait të shtetit të ri turk. Teori që filluan të zbatohen që në vitin 2003 kur ai u bë ambasador, më pas këshilltar i kryeministrit Erdogan dhe së fundmi Ministër i Jashtem i Turqisë. Vizioni i tij mbi botën dhe vendin që zë Turqia në të, apo edhe vendin që ka zënë Perandoria Osmane më parë, është ilustruar në dy libra të publikuar prej tij: “Pozita Ndërkombëtare e Turqisë” dhe “Qytetërimi Osman”.
Në uraganin që ka sjellë Davutoglu në politikën e jashtme rajonale të Turqisë duhet të përmendim dhe ndërhyrjet dhe interesat e SHBA-së. Kjo e fundit i sheh me interes dhe pozitivisht zhvillimet që po sjell “Marrëveshja” , por nuk sheh aspak me sy të mirë përfshirjen e Iranit në të. Kjo është arsyeja përse Uashingtoni po bën përpjekje për ta përjashtuar Iranin nga përfitimet që mund t’i sjellë bashkëpunimi katërpalësh me vendet e rajonit. Por pavarësisht nga përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë, edhe pse më të ngadalta qysh pas vizitës së Obamës në Ankara, Davutoglu ka arritur t’i shtojë ndjeshëm raportet midish Turqisë dhe Iranit.
                                                                                                                                                               Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *