Tryeza lavire

Media, nga frika për të mos cakitur as dhe një grimcë të vogël të interesave të saj, bën si e çorientuar: “të hapen kutitë, apo të rrinë ashtu, të takohen liderat apo jo, do na bien rrufetë nga Evropa apo jo…?!” E gjithë kjo harrakatje vjen nga fakti që nuk thuhen gjërat siç janë, mbyllet një sy në mos dy, në një kohë kur mund të kuptohet mjaft qartë ku qëndron problemi duke pyetur specialistë të fushës (dhe Shqipëria ka të tillë) dhe për shkak të një neverie tipike diktatoriale ndaj transparencës. Dhe në këtë vorbull futen jo vetëm mediat, por edhe publiku, edhe Evropa, dhe të vetmit që fërkojnë duart duke përfituar nga kjo katrahurë janë persona që vetëm interesat nuk i kanë të përbashkëta me ato të Shqipërisë.
Kam dëgjuar se murosja e Rozafës përtej legjendës përbën dhe një kompleks të cilin do të bënim mirë ta shtjellonim modestisht në këto rreshta. Siç dihet, tre djemtë falë aftësisë së tyre dhe vullnetit që i karakterizonte ditën ngrinin muret e kalasë, ndërsa natën forca të errëta të pashpjegueshme e rrëzonin atë. Në këtë gjendje dyshimi, në të cilën legjitimisht u ndodhën vëllezërit, ata pyetën një të urtë që kishte cilësinë e të qënit i huaj. Ata i parashtrojnë shqetësimin këtij plaku të moçëm, por të urtë, i cili u jep atyre një zgjidhje arkaike por të huaj… U këshillon që të murosnin një nga gratë e tyre nën muret e sapo ndërtuara në mënyrë që të evitohej një fenomen i tillë. Thënë ndryshe, i moçmi i huaj u propozoi një zgjidhje me kosto dhe që nuk jepte sigurinë se një gjë e tillë do të funksiononte.

Vazhdimin e dimë, po është shumë interesante që të heqim një paralelizëm me kohën e sotme dhe të shikojmë se legjenda realisht mund të ngrihet në rangun e kompleksit. Sot jemi në një situatë kur shqiptarët (vëllezërit), përfshi dhe politikanët përballen me fenomene të cilat nuk duan, nuk dinë dhe s’kanë ngenë t’i zgjidhin vetë, pasi përpiqen të fshihen, të hiqen sikur nuk ka ndodhur gjë dhe të kërkojnë zgjidhje nga jashtë për çdo gjë që nuk na shkon për shtat ose për çdo gjë që nuk duam ta zgjidhim vet. Dhe kuptohet plaku nga jashtë na jep zgjidhje të një bote tjetër, që nuk kanë lidhje me botën tonë shqiptare dhe rrjedhimisht secili e interpreton zgjidhjen në favor të tij, pavarësisht kostos shumë të madhe që interpretime të tilla i sjellin vendit dhe popullit.  

Sërish jemi në një situatë të tillë ku kemi binomin “vëllezër – plak i urtë po i huaj”, vetëm se nuk jemi në kushtet e legjendës po në të tashmen e dhimbshme ku jetojmë. Kemi një plak të urtë që është shumë i kënaqur që më në fund po bëhet faktor, pasi më në fund do të shënojë në CV-në e tij që ka zgjidhur një superkrizë, në një vend që prodhon me shumicë të tilla, kemi vëllezërit që çirren lart e poshtë që krizë nuk ka, që zgjedhjet u çertifikuan nga të huajt (koncept i ri ky i çertifikimit të zgjedhjeve nga të huajt, po ne ç’m.. sovraniteti kemi?!), se kutitë nuk hapen pasi kështu ka thënë gjykata, po ama jo çdo lloj gjykate, po flas për këtë të mirën, të bukurën, me gjykatës që e kanë drejtësinë në ADN, pasi 6 muajt ju dolën për të përvetësuar dijet juridike, dhe jo për gjykatën e vrasësve dhe mafiozëve që japin vendime të kobshme (term shumë i përdorur nga pretendentët e ndryshimit të Shqipërisë), me pak fjalë që tentojnë të maskojnë realitetin, për të mos thënë që nuk duan ta shohin me sy. Tamam si në kohërat e diktaturave ku kriza, vuajtja dhe mjerimi bërtasin po dylli i senilitetit u kishte bllokuar aparatçikëve veshët, zemrën dhe trurin për të kuptuar se vendi ishte në prag përmbytjeje. Një aftësi e pashoq për të injoruar transparencën. Se këtu qëndron çështja. Përpiqen të fshehin të vërtetën, duke ngritur teorira juridike nga më të çuditshmet për të legjitimuar të palegjitimueshmen. Dhe në këtë valle futen të gjithë, me jurist, që struken, me media, që u mbin lepuri në barkë dhe me fqinjë që gajasen.

Kundër kësaj verbërie të kërkuar, plaku i huaj së bashku me çunin e kombit mendojnë se do i japin zgjidhje duke i ulur të gjitha palët në tavolinë. Gabimi është i shumëfishtë. Së pari, çuni i kombit është çuni i partisë dhe nuk e dimë sa i aftë do të jetë të ruaj figurën e Presidentit. Së dyti, i huaji i moçëm që do të vijë për negociata nuk e kupton se përveçse nuk mund të hyjë në imtësitë e politikës shqiptare të paprinciptë nuk mund të sigurohet se pas njëfarë kohe kjo bandë të krekosurish nuk do të shkojë sërish te ai për t’i marrë mendim ose për t’i treguar që unë jam shembullor ndërsa tjetri është vagabond. Së treti, duhet ta ketë të qartë se kjo tavolinë nuk vlen as një lek, flas për lekun e kohës së tanishme se ai i monizmit vlente diçka. Nuk vlen sepse do të ishte një kompromis i turpshëm me të vërtetën dhe transparencën, do të ishte shembulli më i shëmtuar që do t’i jepej këtij populli nga i dërguari i Evropës, që rrezaton ndryshe nga Ai, vlera të tjera.

Do të ishte një dështim nëse tavolina do të kishte sukses, pasi do të anashkalohej e vërteta dhe do të humbisnim si popull mundësinë që njëherë e mirë ta shikonim veten në sy të paktën njëherë gjatë historisë sonë moderne. Një dështim i tryezës nuk duhet parë si një shans i humbur për Shqipërinë për të ecur përpara drejt Evropës. Përkundrazi. Dështimi i asaj tryeze na afron akoma më shumë me Evropën. Si? Nëse arrihet një kompromis, praktikisht do të kishim lëshime nga të dyja palët: pala opozitare do të hiqte dorë nga hapja e kutive dhe kësisoj do t’i jepte një goditje shumë të rëndë transparencës për të cilën të gjithë jemi të etur, ndërsa mazhoranca do të lëshonte në disa poste kyçe duke i lënw opozitës të vendosë njerëzit e vet në disa poste politike ose institucionale. Rrjedhimisht, do të mbetemi në të njëjtin batak. Do i lëmë fatet e kombit tonë në duar të disa batakçinjve që po vërtetojnë se kombin e kanë si plaçkë (shih marrëveshjen e turpshme mbi detin) dhe do të largohemi gjithmonë e më shumë nga vizioni evropian për shtetin tonë. Prandaj themi se kjo tryezë është e pavlerë dhe se e vetmja rrugëdalje është mbyllja e kësaj farse, ku për herë të parë kompromisi duhet përçudnuar dhe kërkesa për të vrojtuar se çfarë është bërë me votat tona duhet mbrojtur, duke luftuar për këtë ide parreshtur. Megjithatë, të shkulësh një kompleks nga një pacient është e vështirë, atëherë ç’duhet të mendojmë për këtë operacion kirurgjikal kur flitet për një popull? Këto dy muaj do të na e tregojnë…
                                                                                                                                                                    Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *