T’rujt ndera

Të shohim fëmijë rrugëve të Tiranës duke lypur nuk na bën më çudi. I shikojmë me neveri, i përcjellim me neveri dhe i harrojmë me shpejtësi. Lajmin se një vajzë është vrarë se ka dalë me të dashurin pa lejen e babës e lexojmë me revoltë, e diskutojmë si humanistë, e harrojmë si pa gjë të keq dhe e kujtojmë me shpotitje ndaj këtij mentaliteti të mykur.

Po hedhjen nga ballkoni të një foshnje të sapolindur nga babai i tij nën pushtetin e një xhelozie të verbër, të mbrujtur në një mentalitet ku ka më shumë rëndësi nderi se jeta, dhe që duan të na e shesin për “depresion”, si duhet ta shikojmë? Si duhet ta lexojmë? Si duhet ta komentojmë?

Nuk duhet të bëjmë asnjërën prej tyre. Duhet ta dënojmë dhe të demaskojmë çdo tentativë të ndonjë nëpunësi policie ose gjykatës që mentalitetin e një patriarkalizmi mjeran dëshiron ta shfaqë dhe në dyert e shtetit. Ai shtet që ka marrë fund, ku nuk vlejnë më parimet e drejtësisë por parimet e klanit dhe nderit që marrin jete njerëzish dhe mbysin dëshirën për emancipim dhe zhvillim të një kombi të shkretë. Ai duhet dënuar! Nuk është një rast specifik. Kemi dëgjuar për periudhën e vështirë që kalon nëna e re pasi lind, tani teoricienët e policisë po na shpikin dhe rastin e depresionit të babait (?!) Është rast që tregon për mendësitë ku ne jetojmë. Duhen flakur tutje, sa më shpejtë aq më mirë. Se bëhet fjalë për jetë fëmijësh, bëhet fjalë për mbijetesën e një kombi!

Viroi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *