Tokë e premtuar konflikteve

Në vorbullën e konflikteve të këtij rajoni është përfshirë edhe Afganistani, paçka se lufta që zhvillohet atje erdhi si pasojë e atentateve të 11 shtatorit. Vazhdimi i konfliktit dhe zvarritja e tij deri më sot, 9 vjet pas fillimit, flet qartë jo vetëm për një strategji të nxituar të Aleatëve, por sidomos për ndërthurjen e interesave strategjikë të shteteve fqinje, Pakistanit dhe Iranit. Sot është pikërisht ky i fundit që është kthyer në qendrën kryesore të konfliktualitetit të rajonit. Teherani synon lidershipin në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme duke qenë se zotëron gjithçka të nevojshme për t’ia arritur qëllimit. Por me zhvillimet e kohëve të fundit po kuptohet se ëndrra e Iranit nuk ka gjasa që të kthehet në realitet. Le të shohim më nga afër disa prej faktorëve në favor dhe në disfavor të Republikës Islamike.

 Dy vendet fqinje me Iranin,  si Iraku dhe Afganistani prej disa vitesh ndodhen në  një situatë mjaft të vështirë. Ndërhyrja ushtarake amerikane në këto dy shtete jo vetëm që nuk solli demokracinë (një prej arsyeve të pushtimit), por prishi edhe atë pak rregull dhe qetësi që garantonin regjimet diktatoriale që u rrëzuan. Sot të dyja këto shtete kanë hyrë në një vorbull konfliktesh ndëretnike ndër të tjera, dhe për zotërimin e trafikut të drogës. Terrorizmi përbën problemin më të madh për aleatët, por më të voglin për qeveritë e Bagdadit dhe Kabulit. Dobësimi i këtyre shteteve ka sjellë si pasojë fuqizimin në rajon të Iranit. Sot, Republika Islamike kontrollon pjesën më të madhe të Irakut nëpërmjet influencës që ka në krahinat e jugut, shiite dhe persianofone. Teherani ushtron influencë të ngjashme por disi më të vogël edhe në disa krahina kufitare të Afganistanit. Shtete të tjera shiite ose nën influencën e Iranit janë Siria, Libani, Rripi i Gazës në Izrael, dhe Omani. Kështu pra në pjesën më të madhe të rajonit, Republika Islamike ushtron një hegjemoni jo vetëm kulturore dhe fetare por edhe ekonomike e politike dhe pajisja me armën bërthamore do të ishte elementi përfundimtar në ndërtimin e një perandorie të padiskutueshme. Këta janë të gjithë faktorë që shkojnë në favor të ambicjeve iraniane.
Por cilët janë faktorët që i shkojnë ndesh kësaj logjike?

Irani është një teokraci e ndërtuar pas Revolucionit Islamik të 1979-ës, ku Lideri Suprem është figura më e lartë e shtetit.  Deri përpara një viti dukej se themelet e këtij sistemi qeverisës ishin të palëkundshme. Presidenti Ahmadinexhad ndjehej aq i sigurt sa të sfidonte (dhe te sfidojë) në mënyrë të hapur SHBA-të dhe Izraelin, duke mohuar edhe ekzistencën e Holokaustit. Ndërsa faktet po tregojnë se këto lëvizje të forta politike të tij, shërbenin për të maskuar problemet reale të vendit. Revoltat popullore të kohëve të fundit tregojnë për një pakënaqësi të madhe të popullsisë, e cila vjen qoftë për arsye të embargos ndërkombëtare, qoftë për shkak të gërryerjes që po pëson një sistem jo i qartë ekonomik, i diktuar nga ambicja e Iranit dhe megalomania e Presidentit. Pas zgjedhjeve jo të rregullta të qershorit të 2009-ës, Irani ndodhet shumë pranë një revolucioni të dytë (pas atij islamik) i cili ka marrë emrin Revolucioni Jeshil. Por kjo nuk është e vetmja lëvizje që gëlon në brendësi të gjigandit shiit. Prej disa muajsh, edhe pse larg vëmendjes së mediave ndërkombëtare, ka shperthyer një valë protestash punëtore nëpër fabrikat e zonave industriale. Nëse do të kemi bashkimin e këtyre dy lëvizjeve të cilat kanë fillesa të ndryshme por qëllim të përbashkët, atëherë shkërmoqja e Republikës Islamike do të ishte e paevitueshme…

Koha do ta tregojë më mirë se kush do të mbizotërojë, dora  e hekurt e Revolucionit Islamik apo shpresa që buron nga Revolucioni Jeshil për një të ardhme ndryshe. Fitorja e njërës apo tjetrës rrymë do të diktojë edhe zhvillimet e mëtejshme në rajon. Ndërkohë një gjë është e sigurtë. Vëmendja shumë shpejt do të kthehet aty ku është zanafilla e cdo konflikti. Në tokën e shenjtë.
                                                                                                                                                      Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *