Thirrje!

Ky mur i padepërtueshëm tashmë është një realitet dhe ç’është më e keqja asksush në kampin e qeverisë nuk po përpiqet që t’a fshehë ose ta zbukurojë. Jo! Ai është ashtu siç është: me rroba blu të deformuara nga deforimimi fizik i ruajtësve të rendit dhe nga deformimi moral i atyre që ditën luajnë rolin e caktuar brenda shtetit dhe natën veshin petkun e kanunit interpretuar në natyrën më primitive për të rrahur njerëzit në mënyrë kafshërore. Ku është shteti ligjor? Ku janë policët që të ndëshkojnë këto akte? Harrova. Ata kafshë janë vet përfaqësues partiakë të forcave policore. Janë nga ata që shteti i ka me kimet, sepse bëjnë punën e pisët natën që njerëzit të jetojnë të frikësuar ditën.

Të gjithë themi me njëri-tjetrin se nëse të shikon ndonjë kamera në mitingjet e opozitës, të bësh kujdes se mos të heqin nga puna. Të gjithë kemi dëgjuar nga të afërmit tanë sesi drejtorët e shkollave hartojnë lista me mësues të kuq e mësues blu, të gjithë kemi ngritur pikëpyetjen mbi fluksin e të ardhurve nga Kosova për shkak të fillimit të stinës verore më datë 7 maj (mjafton të shikoni në arkivë lajmet e Top-Channël të asaj dite). Po ama askush nuk i trajton këto gjëra me seriozitet. Duke filluar nga opozita. Dhe kjo shkakton konfuzion te njerëzit të cilët, veç në qënçin tërësisht pa asnjë ndjenjë qytetare, e kuptojnë se diçka e ulët ka ndodhur ditën e zgjedhjeve dhe më pas, dhe që tani po kulmon me magjitë e Ristanit në KQZ.
Dhe pavarësisht këtyre, vazhdojmë jetën normale, vazhdojmë të jetojmë me frikë, sidomos qytetarët e Tiranës, kryeqytetit, simbolit të qytetarisë shqiptare, për të cilin po bëhet kjo betejë aspak e barabartë dhe e vesuar me një vjedhje që duhet të turpërojë të gjithë ata që jetojnë brenda vijës së verdhë.

Përpara kësaj mefshtësie gati gjenetike, dëgjojmë këmbanat që po bien për demokracinë dhe qytetarinë, të cilat në fakt tingëllojnë si një jehonë e largët për faktin se sirenat e jetës së bukur tiranase janë më të forta. Dhe këtu del mjaft mirë në pah tipari i keq që kemi: mungesa e një vizioni qoftë dhe afat-mesëm, pasi ato që mund të gëzojmë sot mund t’i humbasim shumë shpejt nesër nëse lëmë të tjerët të vendosin vjedhurazi për ne.
Përballë kësaj alternative, ne bëjmë një thirrje për të gjithë që t’i bashkohemi njerëzve që çdo ditë përballën me pjesën e rrënuar të murit që ka ngritur shteti, përballë KQZ-së në mënyrë që të tregojmë se kush shkon atje nuk është mish për top për askënd, por qytetar i etur për pak demokraci. Duhet ta keni të qartë. Atje do të gjeni përfaqësues të popullit të thjeshtë, ndoshta dhe njerëz që kanë lidhje interesi me opozitën, po ama duke vajtur atje do të tregoni se forca e atyre që kërkojnë demokraci shkon përtej jo vetëm pushtetin që ka sakatuar shtetin dhe demokracinë por dhe përtej atyre që varviten rreth lidershpit të opozitës për ndonjë interes më shumë.

Dhe së fundi, i bëjmë dhe një thirrje organizuesve të mitingjeve: e vetmja thirrje që duhet të kumbojë aty përballë kasolles së Ristanit është “Liri demokraci”. Nuk ka arsye përse Kryeministri që po sakaton votën ta kthejë këtë thirrje në një monopol të vetin. Ajo thirrje ka lindur nga populli dhe i takon vetëm atij, as PD-së, akoma më pak Sali Berishës.
                                                                                                                                                             Stavri                                                               

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *