Thikë pas shpine çështjes çame!

Mund t’ia filloj edhe unë nga e para, të analizoj secilën çështje me radhë, por jam i sigurt që nuk do të arrij të nxjerr në pah asgjë të re dhe asgjë më shumë nga sa dëgjohet në cdo edicion lajmesh. Informacionet, mbi marrëveshjet e dyshimta mes dy kryetarëve të qeverive  janë të shumta , por se cfarë ka ndodhur vërtetë, cfarë është hedhur  e zezë mbi të bardhë,  nuk do ta zbulojmë dot dhe ajo që është më e rënda për t’u pranuar, nuk kemi mundësi ta ndryshojmë dot.

E sigurtë është tradhëtia që Kryeministri i bëri çështjes çame.

Partia për Drejtësi dhe Integrim, e cila mbron kryesisht të drejtat e popullsisë çame, vetëm pak kohë më parë, hyri në koalicion me Partinë Demokratike për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Zgjedhja u bë mbi bazën e disa kushteve, ku më i rendësishmi është fryma patriotike e aleatëve. Dhe vërtetë Kryeministri me deklarata është më patrioti në skenën politike Shqiptare, vetëm se me vepra, kurrë nuk ka treguar e nuk ka marrë ndonjë inisjativë, që të jetë e denjë për tu quajtur Patriotike. Në historinë e njëzet viteve të fundit, të popullit tonë, rastet sigurisht që nuk i kanë munguar! Për të mos përmendur këtu disa gafa (eufemizëm)  të zotit Berisha, që kanë cënuar integritetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. PDI organizoi edhe një tubim paqësor përpara vizitës së Kryeministrit grek Karamanlis, për ti kujtuar qeverisë tonë dhe asaj të fqinjëve çështjen çame, një plagë e vjetër por akoma e pambyllur. Përgjigja që mori ishte e thjeshtë dhe shurdhuese: Heshtja! Ndërsa homologu Grek e fillonte cdo ligjëratë të tijën me të drejtat e minoritetit, kryeministri ynë mohoi pa kurrfarë turpi ekzistencën e ceshtjes çame. Madje mohoi ekzistencen e një problemi të pa zgjidhur mes dy shteteve duke mos patur as guximin ta përmendte fjalën Camëri!

Pra edhe sikur të mos i japim shumë rëndësi (e pamundur në fakt) marrëveshjes së fshehtë që u nënshkrua në Tiranë, mbetet fakti tronditës që edhe një herë, u harrua dhe u përdhos interesi kombëtar, që është i pandashëm nga çeshtja çame. 

Nuk janë lajmet që trondisin botën, por faktet dhe këta është e pamundur t’i ndryshosh, pasi kanë ndodhur më parë se lajmet të mbërrijnë.

Onufri 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *