Theçër – burrë shteti për të majtën shqiptare

Figura të të majtës shqiptare po rizbulojnë së fundi liberalin që gëlon në zemrën e tyre. Figura të të majtës shqiptare po rizbulojnë faktin që nuk kanë qenë ndonjehërë të majtë dhe figura të të majtës shqiptare po tregojnë anën e tyre sipërfaqësore ideologjike, duke deklamuar keqardhjen e tyre shumë të madhe për vdekjen e Margaret Theçërit, ish Kryeministres britanike.

Po qajnë të gjithë, por kryesisht figurat që qëndrojnë majtas. Kjo është e pashpjegueshme, misteret e sjelljes shqiptare në politikë. Këto ditë po planifikohet një seancë speciale në Parlamentin britanik, ku pritet që laburistët, të njohur për të qenë më katolikë se papa në fushën e liberalizmit, do e kritikojnë rreptë zonjën Theçër për politikat e saj ultraliberale, pasojat e së cilës po i jetojmë sot në formën e krizës botërore. Dhe të majtët në Shqipëri e kujtojnë me elegjira të pashoqe. Nëse e kanë për karakterin e saj, ndoshta dhe mund të vijojnë me kumtet e tyre plot zjarr për një figurë konservatore që të majtët i ka urryer me tërë fuqinë e këmbënguljes së saj. Por nëse e kanë për faktin që ka zbatuar me përpikëri politikat ultraliberale duhet të dinë se ato lloj politikash nuk kanë modernizuar Britaninë e Madhe, por kanë krijuar në mënyrë të pashmangshme një shtresë të varfër në atë vend dhe së cilës i thuhet dhe i është bërë tashmë refren jete se duhet t’ia dalin me forcat e tyre. Ato politika nuk kanë modernizuar Britaninë e Madhe por kanë zhdukur sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi, atë të prodhimit, në favor të sektorit terciar, atë të shërbimeve financiare, ku Britania është shquar gjithmonë. Një valle që kanë dashur ta heqin të gjitha shtetet perëndimore dhe në zhvillim, por që po mbeten tani me një gisht të madh në gojë sepse nuk kanë dhe nuk janë të afta të prodhojnë asgjë, pasi të gjitha kursimet e tyre i bazuan në parimin e shumëfishimit të parave në bursë ose nëpërmjet hedge funds-eve, fabrika të mëdha parash nga hiçi. Dhe ja ku jemi sot: pothuajse të gjitha vendet e BE-së janë në krizë, hiq (dhe si për çudi) Gjermaninë, sepse është e vetmja që nuk iu dha totalisht dalldisë liberale, por mbështeti ekonominë e saj mbi prodhimin. Për këtë duhet të mbahet mend Margaret Theçër, për faktin që ultraliberalizoji gjithçk na favor të disave dhe në dëm të shumicës.

Nëse të majtët tanë u bënë përshtypje karakteri i saj i fortë, pse të mos u bëjë përshtypje karakteri po aq i vendosur i Cavezit? Apo jo. Se ky është diktator. Jo sepse është diktator gjakatar (ndoshta ne mendjet e tyre qe u bien shkurt gjerave, edhe po) por sepse nacionalizoi burimet natyrore, aty ku u dhemb më shumë liberaleve ne shpirt dhe ne mendje, për të cilat shtetet nuk ja kanë nevojnë shumëfishimit të parave nga hiçi. Por kam frikë se të majtët tanë e preferojnë si figurë edhe sepse ishte liberale dhe të majtët këtu janë në radhë të parë, liberal. Të paktën, e dimë për kë do të votojmë. Jemi të paralajmëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *