Telenovelëpolitika

Krejt e kundërta ndodh me pjesën tjetër të popullsisë e cila nuk i ndjek telenovelat (por që mund të bjerë shumë thjeshtë pre e vartësisë). Ka nga ata që nuk shfaqin interes. Të tjerë shohin një episod në vit, dhe ju mjafton për të kuptuar 365 të tjerët. Buzëqeshin me nje buzëqeshje të trishtuar për kohën e humbur, për rëndësinë që merr një fiction ( në shqip: trillim).

 Ka një ngjashmëri të madhe midis politikës shqiptare dhe fenomenit Telenovela…

 Mund të shohësh episodin e parë dhe të qëndrosh një vit larg saj. Pas një viti asgjë nuk do ketë ndryshuar edhe pse ndërmjet kanë kaluar plot 365 episode, po aq skandale, disa dhjetra tragjedi, dhe në thelb një dramë e cila zgjat deri në fund të telenovelëpolitikës. Vartësia nga politika edhe mund të kurohet dhe e vetmja metodë e njohur shkencërisht është forca e vullnetit. Mund të fillohet duke rralluar dozat. Duke parë vetëm disa episode në vit. Gjatë ketij viti përshembull mund të kishit ndjekur: episodin “Hapni kutite I” , episodin “Shqipëria në shengen brenda 2009-ës”, episodin “Natyra zemërgjerë me rreshjet në Shkodër” episodin “Hapni kutitë II”, episodin e parë dhe rikthimin “SHISH-i është me ne”, episodin “Rekordi kryeministror i notit II” dhe të paktën një nga episodet e sezonit “Ti ke vjedhur çfarë ke për të thënë? – Edhe ti ke vjedhur”.

   Dikush edhe mund të qeshi me kotësinë e politikës por në ndryshim nga telenovela ajo është e lidhur drejtpërdrejtë me fatet e shqiptarëve. Trafikantë të të dyjave janë mediat. Viktima populli.

 Ka kaluar pak më shumë se një vit bashkëpunim midis forcës së vetme të djathtë shqiptare dhe njërës  prej dy forcave të majta.Nga njëra anë PD-ja e cila nuk ka rivalë dhe ushtron hegjemoni në elektoratin e djathtë, nga ana tjetër LSI-ja e cila edhe pse me diferencë të ndjeshme, tërheq pas vetes një pjesë të elektoratit të majtë. Qeveria po reziston. Sukseset nuk kanë fund. Kontestimet ndaj punes së saj gjithashtu. Shpesh dëgjon të thuhet se ky koalicion përbën në vetvete një risi. Regjizori me sa duket e ka menduar mirë, sepse dëshiron të rrisë shikueshmërinë e trillimit. Por nëse telenovelpolitika shqiptare zgjat prej 20 vjetësh, unë këtë risi nuk mundem ta dalloj. Është një seri e serialit të pafund. Kam parë episodin e parë me titull: “Vendi i fundit që lëshon diktaturën e proletariatit” gati me nostalgji dhe pashë këtë të fundit me titull: “Vendi i fundit që ka mbetur jashtë Evropës”. Aktorët janë të njëjtët dhe mund të kenë aktruar shkëlqyeshëm plot 7300 ditë, por mbetet ngjarja që përshkon gjithë serialin: Shqipëria është gjithmonë e fundit. 

                                                                                                                                          Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *