Të kapesh pas një fije (s)Pangoje

Gjithashtu, këto probleme bëhen edhe më të mprehta kur sistemi gjyqësor është i gatuar në mënyrë të tillë që flak tutje çdo lloj dyshimi mbi integritetin e tij. Tashmë, mund ta themi hapur se sistemi gjyqësor, dhe këtu nënkuptoj të gjitha hallkat e tij, është i paaftë që të ndërtojë një korpus rregullash që do t’i jepte shoqërisë shqiptare disa piketa mbi të cilat të ngrihej qoftë dhe në aparencë, hija e shtetit të së drejtës.

Aktorët e kësaj ndodhie treguan nëpërmjet kësaj ngjarje si funksionon Shqipëria nën trysninë e pushtetit: një ministër i plotuqishëm që ka të drejtë “jetë a vdekje” mbi këdo që ai drejton, një media që ka të drejtë “varjeje ose linçimi” publik kundër kujtdo dhe një shtet që absurd, i cili driblon me parimet në mënyrën më hipokrite të mundshme.
Vendimi i Gjykatës mbart në vetvete idenë se kush ka pushtet do të dalë i larë nga çfëradolloj situate. Çdo fjalë, çdo presje e atij vendimi është një arbitraritet në vetvete, një grusht kundër fjalës së lirë dhe një përçudnim kundër tërë atyre njerëzve që për shkak të mungesës së transparencës duhet të vuajnë tekat e njerëzve publikë që përpiqen të nxjerrin figurën e familjarit të mirë dhe të mbrojnë në mënyrë arrogante privilegjet e tyre të paligjshme që burojnë nga të qënit në pushtet. Vendimi përpiqet të na hedhë hi syve duke iu referuar Vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke marrë ato pasazhe që i leverdisin dhe duke lënë mënjanë vendime të tjera të cilat janë të ngjashme me rastin Pango dhe që kanë vendosur krejt ndryshe. Nuk do hyjmë në analizë të vendimeve të Gjykatës evropiane, thjesht duam të vëmë në dukje se roli i gazetarit është mëse i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Ai ka të drejta dhe detyrime deontologjike që t’i bindet ligjeve (të cilat në fakt në Shqipëri mungojnë, si për shembull një ligj për shtypin).

 Por, liria e shprehjes është e sanksionuar kudo, ajo mund të kufizohet vetëm me ligj dhe për një nevojë shoqërore të rëndësishme. Natyrisht mund të mendohet se jeta private është një nevojë shoqërore e rëndësishme, këtë nuk e vë në diskutim askush, për më tepër duke patur parasysh të kaluarën tonë diktatoriale. Por,  liria e shprehjes përbën themelin kryesor të një shoqërie demokratike, një nga kushtet parësore të progresit dhe të emancipimit të gjithsecilit. Liria e shprehjes vlen jo vetëm për qarkullimin e informacioneve  ose të ideve pozitive por edhe për ato që prekin sensibilitetet, që shokojnë ose që shqetësojnë: këtë gjë e kërkon pluralizmi, toleranca, mendimi i lirë dhe i hapur, pa të cilat nuk ka demokraci. Përjashtimet ndaj lirisë së shprehjes janë jo vetëm të kufizuara, por dhe interpretohen në mënyrë strikte në mënyrë që liria e shprehje të mos dalë e gjymtuar ose e denatyruar.

Tani, ç’mund të jetë më e nevojshme për një shoqëri: jeta private e një politikani duke nëpërkëmbur dinjitetin e gruas (pak rëndësi ka nëse ajo është e infiltruar ose jo, pamjet tregojnë që ai e ka stil të sjelluri…), apo nevoja për të zbuluar të vërtetat e njeriut që jeton me lekët dhe me votat tona? Çfarë mund të jetë më e nevojshme në një shoqëri demokratike: jeta private e një politikani, i cili kur ja kërkon fushata, del nëpër fusha me lëndinë bashkë me familjen për të na u shtirur si familjar i përkushtuar, apo vënia para përgjegjësisë së tij duke nxjerrë lakuriqësinë e sjelljes së tij hipokrite në marrjen në punësim? A mos vallë, njerëzit duhet të injorojnë ofendimet e njëpasnjëshme që mund të durojnë kategori të shumta individësh, dhe të mbrohet jeta private e një politikani që vet vendos kur një lajm është privat dhe kur është publik? A duhet të fshihemi pas ilegalitetit të përgjimit për të shpëtuar dhe për të mbajtur me para një politikan që përfaqëson të kundërtën e asaj që mbron forca e tij politike?

Po mbërrijmë në standarde të dyfishta dhe në drejtësi, gjë që e kemi nënvizuar dhe më parë. Për një politikan që shfrytëzon postin, jeta private është e shenjtë. Për një roje private, që sistemi i kalbur i mbrojtur nga ky politikan të cilit i duket vetja perëndi e shtyn të kërkojë një lëmoshë për kush e di se ç’shërbim krejt të pavlerë, jeta private është një detaj i parëndësishëm. I pari ka mbrojtje, i pari di të manovrojë para kamereva, i pari ka miq e shokë që e mbrojnë, ndërsa i dyti është i dënuar të jetojë nën peshën e një faji nga i cili vuajnë të gjithë, fajin e të qënit ngushtë në gjithçka: në jetë, në ekonomi, në mirëqënie, në familje, në shtëpi, në aspirata për të ardhmen. Ylli Pango meritonte një fat tjetër nga ai që ka sot. Për hir të të gjithë atyre njerëzve, të cilët për shkak të një çasti dobësie, kanë qënë pre e filmimeve të fshehta duke pranuar rryshfet ose kanë tentuar të bëjnë një allishverish, nga ato që Ylli ynë ka bërë dhe do të bëjë derisa të ketë karrige që t’i mbajë prapanicat e ngrohta…

Me këto që po themi nuk duam të mbrojmë Top Channel, televizioni simbol të një mashtrimi që s’ka fund. Duhet të kujtohemi pak për reklama e famshme për Botërorin: “blini kartën Supersport, do të keni Botërorin falas…”. Botërori transmetohet falas, është e vërtetë, po ama pa qënë nevoja e blerjes së kartës Supersport. Nuk di nëse do të ketë njeri që do të kërkojë lekët mbrapsht pas këtij mashtrimi në dritë në diellit. Po nuk duam të zgjatemi më tej në këtë pikë. Top Channel mori vendimin e merituar, por jo për çështjen Pango. Për këtë rast, demaskimi vlen më shumë se mbrojta e një palo jete private dhe nuk do të rreshtim kurrë së thëni një gjë të tillë. Por ky vendim, së bashku me dëmshpërblimin, duhet të shkonte jo në xhep të SuperStarit Ylli, po në xhep të atyre dhjetra njerëzve të cilëve realisht jeta e tyre private është më e shenjtë dhe më e vlefshme sesa e një politikani abuzues.
                                                                                                                                                                Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *