Të ishte për ju

Ndonjëherë më lind pyetja: a do të kishte rënë ndonjëherë komunizmi në Shqipëri po t’i varnim shpresat te ju?! Me siguri që po! Megjithëse ndryshimi erdhi nga revolta mbarë popullore, nga studentët zemra dhe shkëndija e çdo ndryshimi, së paku asokohe mbaj mend që ishit në krahë të lëvizjes. Ndërsa sot jo, sot jeni diplomatikë në qëndrime, të dyfishtë në deklarata dhe hipokritë në predikime. Sot jeni të vonuar me dashje në reagime ashtu sikur ishit të vonuar në 1996-ën me pasojat që të gjithë i dimë se të gjithë i përjetuam. Kujtoj që Evropa drejt së cilës aspirojmë dhe Shtetet e Bashkuara, mbrojtësit dhe aleatët tanë madhorë, qenë dramatikisht të vonuar edhe në Bosnje, me gjithë pasojat që mbarti ajo vonesë, asokohe e padëshiruar. Natyrisht nuk dua të heq një paralele midis ngjarjeve të ndryshme historike të vendit tim dhe konfliktit në Bosnje Herzekovinë. Por një emërues të përbashkët e gjej fare thjeshtë. Në Shqipërinë e Berishës së Parë, në Bosnjen e Jugosllavisë në shpërbërje, në Tunizinë Ben Aliut, popujt ndëshkohen sepse i kanë sytë nga ju dhe ju rigorozisht vononi, hezitoni, gaboni dhe më pas korigjoni… por më pas është tepër vonë.

Po t’iu dëgjojmë ju të premten nuk duhet të dalim në shesh për të nderuar tre dëshmorët e 21 Janarit, nuk duhet të ngremë zërin për të bërtitur gjithë zemërimin tonë që Shqipëria e shekullit XXI, antare e NATO-s dhe gati pjesëtare e familjes Evropiane, numëron ende viktima nga plumbat e shtetit. Të ishte për ju nuk duhet të dilnim në shesh as në 21 Janar, për hir të stabilitetit, për hir të përtacisë tuaj për t’u angazhuar me një vend të vogël në cepin jug-lindor të Evropës. Makina e rëndë burokratike e Evropës nuk lëviz as kur ka viktima. Po të varej prej jush, një diktator i vogël që ju vjen pas oreksit e nuk ju thote kurrë jo do të ishtë më i dobishëm se një lider i zgjedhur me votë dhe liberal. Vitalitetin dhe ekzigjencat e një populli si ky i joni, një dorë e hekurt i mban të mbyllura me kapak dhe ju dihet, jeni për moskokëçarje. Por kujdes se një “diktator i vogël” mund të bëhet telash i madh për ju në momentin që nuk ka më forcën të përmbajë revoltën popullore.

Shqipëria dërgoi 45 trupa të freskëta në Afganistan, na kujton zoti ambasador i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që ka problemet e veta që nuk po i ndreq prej vitesh dhe vendi ynë nuk mjaftohet vetëm me kaq të nderuar  miq e aleatë perëndimorë. Shqipëria ka investuar për shkolla në Afganistan ndërsa ka mungesë shkollash edhe në periferi të metropolit Tiranë edhe në fshatra të thella ku femijët nuk kanë prekur me dorë libra e nuk kanë parë me sy mësues. Për ju Shqipëria është një votë më shumë në asamblenë e OKB-së, një aleat (edhe pse me pak peshë) në arenën ndërkombëtare, për ne është vendi ku lindëm e ku duam të jetojmë me dinjitet dhe të lirë. Të ishte për ju edhe udhëheqja e vjetër do të ishte e pranueshme mjafton të ndryshonte emërtim e kah politik. Por meqenëse në këtë vend do të jetojmë ne dhe jo ju, edhe ndryshimin s’duhet ta presim nga jashtë, si një dhuratë që vjen nga perëndia. Lirinë duhet ta fitojmë dhe ta meritojmë. -“Lavdi perëndisë gjërat varen nga ne!”
                                                                                                                                                           Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *