Të gjithë njerëzit e Kryeministrit

Behet fjale për goditjen me grusht prapa koke që një biznesmen mik i Qeverisë i dha një gruaje të moshuar ndërsa po protestonte për më shumë dinjitet para kullës së përçudnimit kryeministror.(protestë e organizuar nga shoqata e të verbërve)

Një pyetje animonte shpirtrat e hutuar para asaj pamjeje, një pyetje shumë e thjeshtë, po që është shumë e vështirë për t’iu përgjigjur. Si ka mundësi? Si ka mundësi që nën hundën e Kryeministrit, garantit të futjes në Europë, garantit të demokracisë, paqes sociale, mirëqënies kombëtare, GDP-së stratosferike, luleve që mbijnë, dashurisë së cifteve nën diell ashtu si dhe nën carcafe, në sytë e një roje të Republikës që më shumë sesa të ruajë dinjitarin duhet të ruajë dinjitetin e vet dhe të detyrës që i është dhënë, si ka mundësi që një person krejt i rastësishëm të godasë pa pikë mëshire me një inat shtazarak një grua që fare mirë mund të ishte e ëma e tij?!

Ajo pamje është simptomatike e mënyrës sesi qeveriset Shqipëria, ose cdo vend në hapat e parë për tu bërë vend diktatorial. Nuk është hera e parë që para një përfaqësuesi të ruajtjes së rendit publik një individ i panjohur tregon burrërinë e tij ndaj njerëzve më të dobët fizikisht, duke treguar një zell në mbrojtjen e ngjyrave të partisë. E mbaj mend shumë mirë venitjen e forcave të rendit në 1997, kur u shfaqën disa persona xhupzinj të dalë si cakej nga makina pa targa për të rrahur në mënyrë shtazarake një tufë gjimnazistësh në fazat e para të edukimit të tyre shoqëror ndërsa po marshonin kundër shenjave të para të një autoritarizmi të rreziskhëm që po tregonte dhëmbët dita-ditës.

Mund të rrimë me orë të tëra të analizojmë këtë ngjarje. Për shembull mund të themi se gardisti e kupton detyrën e tij në mënyrë haxhiqamiliste, pasi marrëdhënia e tij e punës është një marrëdhënie bese midis tij dhe dinjitarit, pra të themi që ai ka një vështrim fisnor të detyrës që i kë dhënë shteti, mund të themi se gruaja e moshuar po kalonte kufijtë e mirësjelljes dhe e një proteste paqësore pasi po i hakërrehej shumë gardistit ose feudalit të tij dhe kësisoj po bëhej një rrezik i madh kundër ruajtjes së rendit publik. Mund të themi gjithashtu që ky element subversiv i turmës po merrte në qafë pa arsye një qytetar të ndershëm që mbron shtetin deri në vetëmohim duke u përballur me turmat që duan të godasin shtetin tonë demokratik. Mund të themi shumë gjëra, po mendoj se do të ishte shumë e gabuar. Të diskutohet mbi atë pamje është e tepërt, përkundrazi heshtja duhet të mbizotërojë. Po jo heshtja bashkëpunëtore në krim, si kjo që po sundon këto kohë në Shqipëri ku skandalet politike ndjekin njëri-tjetrin por indinjatat publike jo. Përkundrazi, ato shkojnë në përpjestim të zhdrejtë me rritjen e numrit , të sasisë dhe të cmendurisë të skandaleve. Sa më shumë të dalin në pah, aq më shumë njerëzit nuk flasin, heshtin ose përfundojnë debatet e tyre duke thënë se kështu është këtu, duhet të mësohemi me Shqipërinë.

Mirëpo nëse Shqipëria është ajo ku njerëzit rrihen barbarisht pa arsye dhe nga individë të dyshimtë, nëse Shqipëria është ajo ku monopolet u përfitojnë kastës së arrogantëve dhe ku krimi është virtyt, nëse Shqipëria duhet t’i ngjasojë ndonjë vendi afrikan në orën e tij më të keqe atëherë ajo pjesë e popullit që hesht duke bërë sikur s’ka ndodhur gjë është bashkëpunëtore në krim.

Heshtja për të cilën në flasim duhet të jetë si moti i mirë që i paraprin furtunës, si shtrëngimi i nofullës para zbrazjes së grushtit të revoltës qytetare në fytyrën e kujtdo qoftë, qeveritar i tanishëm ose i ardhshëm, që prek dinjitetin e qytetarëve të vet, sepse një frymë e ardhur nga thellësia e injorancës e bën atë të ndjehet superior duke mos njohur asnjë kufi. Nuk duhet të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë, edhe pse është e vështirë që një ngjarje të tillë ta vendosësh jashtë kontekstit të arrogancës me të cilën udhëheqin politikanët tanë. Arrogancë e përzier me mashtrime forma dhe përmbajtja e të cilave nuk mbulojnë dot më  karakterin e tyre tejet fyes për shqiptarët. Na u premtuan vizat, sipas të gjitha gjasave nuk do t’i kemi, na është premtuar rritje e punësimit por e vërteta është se punësimi varet gjithmonë e më shumë nga afërsia me partinë në pushtet, na u premtua liria po në fakt shohim dita ditës sesi njerëz të paidentifikuar dhe të afërm me udhëheqjen shkelmojnë dinjitetin e një individi, të sigurt se mashtrimi dhe arroganca, armë shumë të efektshme kur shkojnë bashkë, do të triumfojnë dhe kësaj here. Dhe në fakt nuk kanë pse mendojnë ndryshe. Nëse një deputet kërcënohet për vdekje në parlament nuk ka arsye pse një ushtar anonim mos të tregojë fuqinë e tij barbare mbi këdo që e shkel atë në kallo. Dikush mund të thotë që merremi me stilin dhe me veprime të individëve të izoluar në raste të izoluara. Mirëpo shumatorja e këtyre rasteve të izoluara na con drejt një përgjithësimi të këyre rasteve, të cilat mbase sot nuk i ndjejmë mjaftueshëm, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ngremë zërin. Mbase dyshimet tona mbi rruëgn që po merr Shqipëria do të duken me kohën që kalon si të pathemelta, ndoshta kështu do të ishte më mirë. Por historia na ka treguar që është më mirë ti paraprish veprimeve të pamenduara sesa të pësosh pasojat e saj, të cilat mund të jenë të pariparueshme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *