Stina verore e Kryeministrit

Midis një Kryebashkiaku që shkel simbolet e kombit, dy ministrash pa imunitet për shkak hetimi dhe një miku serbo-boshnjak nën hetim në vendin e tij, nuk dimë se c’të mendojmë për vet të zotin e punës. Megjithatë, është e qartë tashmë se ato janë muhabete të harruara, cudira që zgjatën shumë pak, sa për t’u hedhur hi syve të popullit dhe baltë parimeve të demokracisë. Si mos të mjaftojnë këto harresa, që besoj të paktën nuk do të fshihen nga kujtesa pasverore e njerëzve, duhet të përballemi dhe me propozimet e harrakatura të Kryeministrit në atë ditë të bukur inaugurimesh. Mund të priste shiritin, të shprehte kënaqësinë për reformat e kryera deri më tani, të thumbonte Kryetarin e PS-së, të bënte që sytë e shqiptarëvetë të xixëllonin duke parashtruar mrekullitë e katër viteve që do të vijnë, por jo. Kaq është shumë pak. Shumë pak për një mendje pjellore si ajo e Kryeministrit që cdo dalje në televizor e shikon si mënyrë promovimi të cfarëdolloj batute, autor i së cilës, më mënyrë të pazëvendësueshme është. Kështu, ndër të tjera perla mbi perlën e Shqipërisë, ai e mendoi se, që t’i bëhet ballë turizmit gjithmonë e më të madh në numër në Shqipëri, do të ishte e udhës që fashatarët e zonës së bregdetit të zmadhojnë kapacitetet pritëse të tyre në mënyrë që t’i bëjnë ballë flukseve turistike dhe në një kohë të dytë të mendohet për planin rregullues. Dhe këtu kemi shpalosjen më të mirë të politikës shumë konsekuente të Kryeministrit në lidhje me pronën në përgjithësi dhe zhvillimin urban. Pra, thënë me fjalë të tjera, ndërtoni, harxhoni lekë, ndërtoni ca kanalizime ujrash të pisëta aty për aty sa për 3 a 4 muaj, s’ka rëndësi se derdhën aty ku njerëzit zhyten për t’u freskuar, ndërtoni dhoma, packa se kushtet mund të jenë të mjerueshme dhe se bumerangu i fluksit mund të kthehet mbrapsht dhe pavarësisht këtyre, mos u habisni po iu erdhën fadromat dhe prishin ndërtimet që keni ngritur. Dhe të mos harrojmë dëmin e pariparueshëm që masa të tilla absurde i sjellin të vetmes zonë bregdetare të virgjër në Shqipëri.
Kryeministri mbase nuk i ka bërë pushimet aty ku mbante fjalimin, po ama duhet të jetë i ndërgjegjshëm se në situatën aktuale nuk është më shumë problem i strehimit të turistëve sesa c është problem i pastërtisë, kanalizimeve, kushteve të pritjes, cmimet e ushqimeve që lëvizin nga dita në ditë si të ishim në Dow Jones dhe jo në fshatra Shqipërie, ndërtimet pa kriter të lëna përgjysëm etj. Këto mbase janë shqetësimet kryesore që do të mbajnë fluskin e turistëve larg dhe jo mungesa e ambjenteve të pritjes.
Nuk e di pse Kryeministri e mbajti këtë fjalim, pasi nuk është as në fushatë elektorale, megjithatë koha do të tregojë pse dhe cfarë e ka shtyrë Kryeministrin të bjerë në kontradiktë për të disatën herë me ligjet që miraton vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *