Solitaire!

E hënë në mëngjes, ndihem shumë i acaruar (kam harrur t’ju them se sëmurem rrallë, çdo 4 vjet) që shëndeti im nuk është i rikuperuar plotësisht, kisha dalë jashtë kontrollit, dhe kështu mendova: “Po mirë hajde se po e bëj një vizitë te mjeku”. Problemi ishte se ku do të shkoja?  Bashkëshortja më tha: “Te mjeku i lagjes se ti e ke edhe librezën shëndetësore”. Por unë në fakt e kisha harruar librezën në shtëpi. Ndërsa mendja ime po më thoshte të shkoja te një klinikë private…. e nejse, mbasdite më bie rruga andej nga ambulanca e lagjes, ku gjendet njëkohësisht edhe urgjenca (pranë shkollës Emin Duraku). Në godinën fillestare po kryhej rikonstruksion, kështu që më orientuan të drejtohem mbrapa godinës… hyj dhe befasohem në fakt, se shikoj një dhomë të madhe me tre shtretër, 2 gra (me përparëse të bardhë) dhe dy burra (me përparëse të bardhë) dhe nuk kishte asnjë pacient.
Unë:  Më falni mjeku i lagjes ku ndodhet?
Ata: Është transferuar përkohësisht tek ambulanca 8. 
Unë: Po ju a mund të vizitoni?
Ata: Po varet sa rëndë je.
Unë: Pshshhhh!
Ata: Mirë, mirë mund të ulesh!

Ulem në një stol, pranë mjekut (te të gjashtëdhjetat), i cili po shikonte a po bënte diçka në kopjuterin e tij. Edhe gratë shfaqnin interes drejt kompjuterit. Filloj t’i shpjegoj kronologjinë e sëmundjes time : i them që mund të kem edhe pak temperaturë. Më japin një termometër, të cilin e vendos në vendin e duhur, dhe ndërkohë vërej që mjeku vazhdon dhe punon në kompjuter. Në fakt vërej që nuk është se po punonte por po luante Solitaire. Aty ndihem keq, e megjithatë mu kujtua që Kryeministri i Shqipërisë kishte folur para nja dy javësh në një mbledhje qeverie se askush nuk do të guxojë në të ardhmen të luajë më zyrat shtetërore. Dhe kështu filloj ta ngacmoj pak mjekun që po luante, e i them: “Ja dhe pak se do jua heqi ai sipër”.
Ai qesh: “Ah po”.
Unë: “Po, po, ai e ka seriozisht”.
Mjeku: “Ishalla  s’më heqin kompjuterin mua, se pastaj s’kam ç’ti bëj. Se lojën s’e kam problem, e fus me CD”.
Më tregoi dhe ca kuriozitete të tjera rreth lojrave, që nuk i mbaj mend, ndërkohë që vazhdonte të luante, ishte nga fundi i lojës, por edhe nën presionin e atij kolegut tjetër që donte ti zinte vendin. Lojën e fitoi, ishte e dyta radhazi, dhe ndihej në qiellin e shtatë për këtë, mburrej, dhe në fakt nuk e mohoj, pashë që kishte edhe admirimin e grave.
I them që nuk kam temperaturë (paksa i habitur me veten time, sepse ndihesha sikur kisha temperaturë).
Mirë më thotë mjeku, çohet nga karrigja e tij dhe spostohemi drejt krevateve. Ndërkohë në karrigen e mjekut tim u ul ai mjeku tjetër (te të dyzetat) dhe filloi turnin e tij të lojës. Mjeku më dëgjon për të ftohtë. Kthehet nga të tjerët dhe iu thotë: “Keni lugë”? (Aty tmerrohem, “O zot” them “Ishalla është sterile”)… “Po” përgjigjet ky mjeku që po luante, dhe me shpejtësi nxjerr nga xhepi lugën, që për fat ishte një përdorimshe.

Mjeku vazhdon dhe më viziton grykët dhe sikur përmend fjalën laringit. Pasi mbaron e pyes: “Çfarë kam”? Më përgjigjet që ndoshta jam ftohur pak. “Po ndonjë mjekim do më japësh”?  “Po”  më thotë, drejtohet te tavolina e grave dhe plotëson një regjistër, më kërkojnë emrin. “Andrea” ju them dhe pas një pauze të shkurtër: “Shqiptar”! Aty, marr aprovimin e grave dhe të atij mjekut tjetër. Ndërsa mjeku im më thotë: “Do të isha gëzuar më shumë po të më thoje grek”. “Po pse” e pyes? “Unë jam nga Mallakstra më thotë, por ne shqiptarët jemi mosmirënjohës, grekërit na kanë mbajtur me bukë”. “Jo” i them, “pas luftës së dytë edhe ne i kemi mbajtur me bukë”. “Jo” kundërshton, “ne jemi mosmirënjohës”. Unë revoltohem edhe më shumë dhe nga ky moment e tutje mbaj mend më mirë ato që kam thënë vetë sesa ato që ka thënë mjeku. Unë i them për herën e dytë që ne i kemi ndihmuar grekët pas luftës se ma kishte thënë gjyshi, ai kundërshton, por ato gratë më dalin në mbrojte, madje njëra thekson se ajo që thoja unë ishte e vërtetë sepse asaj ia kishte treguar vjehrri që ishte nga Gjirokastra. Unë i vë gjithashtu në dukje që Greqia ka pretendime territoriale…

Ndërkohë afrohet me recetën në dorë, dhe kur më erdhi afër unë nxjerr pesëmijëlekëshin e vjetër që kisha futur në xhepin e pantallonave paraprakisht, pasi kisha thyer një dhjetëmijëshe duke blerë një pako me çumçakiza (ka kohë që nuk ju kërkoj shitësve të më thyejnë lekë, më duket sikur ju kërkoj një gjë të madhe) dhe ia fus në xhepin e përparëses. Në fakt mbase ia vlen të ndaloj pak në faktin që në ato dy tre minuta që unë po rrija në këmbë, po studioja skemën se si do ti jepja pesëmijë lekëshin mjekut. Në fakt më vinte turp që në prani të katër vetave t’ia jepja pa ndrojtje. Prandaj duke parë mundësitë praktike (kisha avantazhin e të qenit në fund të dhomës),  kur mjeku të afrohej për të më dhënë recetën, unë me shpejtësi do ti fusja pesëmijëlekëshin në xhep, duke shmangur kështu shikimin e të tjerëve, por edhe duke shpresuar që ai nuk do të thoshte gjë. Dhe në të vërtetë gjysma e planit tim shkoi sipas parashkimit, por mjeku nuk e mbajti gojën mbyllur dhe më tha: “Po ç’e deshe!” Natyrisht nuk u habita aspak, se kjo është shprehja standard.

Mora recetën, shkëmbeva dhe nja dy batuta të tjera patriotike dhe dola.
U çlirova. “Punë e madhe” thashë, “kur s’i erdhi turp atij (për lekët që pranoi në sy të kolegëve), pse duhet të ndihem keq unë”. Menjëherë, me recetën në dorë, shkova te farmacistja ime, që njëherazi është edhe një shoqe e imja dhe i them: “shiko kam këtë recetën por ai mjeku s’ma mbushi  shumë mendjen prandaj më jep çfarë të duash”. Aty për aty bëmë një modifikim të recetës. Shkova në shtëpi, bashkëshortja më pyet: “Hë, çfarë të tha mjeku?” Unë që i them aq sa më kujtohej, që mund të jem ftohur pak, se pjesën më të madhe të kohës nuk fola me mjekun për shëndetin tim (edhe për fajin tim) po për lojën dhe grekërit. Bashkëshortja më thotë: “Ç’do të thotë pak i ftohur?”. “E pra”, i them edhe unë i çuditur. Vendos termometrin, i cili pas dy minutash tregon 37.7 gradë Celcius.
Aty vendosa që herën tjetër do të shkoj në një spital privat dhe do ta mbaj gojën mbyllur.

Marka X

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *