Skënderbeu dhe Huniadi

Problemi është se këto pritje janë rralluar… Nuk ka më Katrin Lalumier, Zhak Delor apo Zhak Santer, ata janë ndërruar por ky ka mbetur.  Dhe ata që i kanë zëvendësuar nuk ia kanë dhe aq shumë ngenë Salës dhe aventurave të tij me zgjedhjet dhe me shkeljet e të drejtave të njeriut, ndoshta lekëve të tij, por kjo është çështje tjetër… Ai ka filluar të ndihet i vetmuar dhe sado superprijës me të vetët,  e ndjen shkretëtirën ndërkombëtare rreth tij.  Dhe si Skënderbeu njëherë e një kohë, i zhytur në vetminë e tij për shkak të konjukturave, i ktheu sytë nga Hungaria, nga Huniadi i kohërave moderne, kryeministri Viktor Orban.  Krahasimet me siguri nuk vlejnë.  Nuk ka sesi.  Megjithatë, në mendjen e tyre ata janë mveshur me një mision historik: Viktori me idenë e qartë të rimëkëmbjes kombëtare të Hungarisë, duke dhënë një shembull shumë të qartë se ka akoma njerëz në botë që mendojnë se mund t’ia dalin vetëm dhe se më në fund gjeti një shok që ndan të njëjtin mendim dhe që është Saliu.

Tanimë atyre ju duket vetja heronj të kohëve moderne, sfidues të perëndimit dhe alternativë e lindjes.  Madje këtë sot Saliu e pohoi qartë kur tha se duhet të përgatitemi për një botë post perëndimore.  Orbani vetëm sa mund të konstatonte me kënaqësi mungesën e koherencës së shokut të tij të ri.  Kampion i perëndimit, tani Saliu është kthyer në mik të Kinës, aleat i Rusisë dhe dashuri e parë e Hungarisë.  Hungaria ky vend problematik që po shkel parimet e demokracisë dhe që po i ngre krye Evropës duke paraqitur si alternativë një qeveri me bazë korporatiste, si ato që shembullin e fundit në histori e ka dhënë Mussolini dhe Frankoja.  Dhe ky person e quan Saliun luftëtar të demokracisë.  Një gjë kanë të përbashkët diktatorët dhe ata që duan të bëhen diktatorë në jetë: thurja e lavdeve për njëri-tjetrin si çlirimtarë, njerëz të dalë nga populli apo demokratë të flaktë kur ndërkohë po të pyeten njerëzit dhe po të shikohet praktika e institucioneve rezultojnë varrmihësit më sublim të tyre.

Më në fund Viktori i dha mundësinë Saliut që të dalë në dritë të diellit fytyra e tij e vërtetë.  Më në fund Saliu gjeti dikë që po fiton një peshë ndërkombëtare me lëmshet e veta që të mund të dalë hapur, pa qenë nevoja të mbajë siç ka mbajtur tërë jetën e vet, një fjalim të dyfishtë: nga njëra anë për të mirat e demokracisë liberale dhe nga ana tjetër zbatimin e një politike rrëmujaxhie, fashiste, klanore dhe antidemokratike.

Në një aspekt më të gjerë, kjo palo aleancë shtron për Evropën një çështje shumë serioze: a do të mund ajo të përballojë rritjen e egoizmave shtetërorë të shfrenuar, të shprehur shpesh herë në forma nacionaliste shovine, konservatore deri diku dhe ksenofobe, apo do të struket pas burokracisë së saj që po i kushton rëndë idealeve demokratike dhe të ardhmes së bashkuar të të gjithë Evropës.  Lenini ka thënë se hipotezat e bashkimit të Evropës do të falimentojmë të gjitha, në rastin më të keq, ato përfundojnë në luftë.  Kjo situatë duhet evituar, por duhet bërë diçka për ta evituar dhe kastat drejtuese evropiane po rrinë dhe vështrojnë degradimin e asaj që deri dje ishte ëndrra e të gjithëve por që po rezulton makthi i popujve dhe fati i diktatorucëve.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *