Si të hamë sapunin për djathë

Të prirur drejt mosmarrëveshjeve, prapaskenave, ideve që skenaret janë përpunuar tashmë dhe vendimi që mund të japë populli është maskarada e radhës që tenton të përligj allishverishet e pazareve të zhurmshme, ne si popull i kemi dhënë një goxha grusht të rëndë idealeve të shumicës për barazi, drejtësi dhe demokraci. Ose më mirë i kemi dhënë një grusht vetes duke u rrëzuar me KO teknik po kësaj here mbase përfundimisht, pasi në analizë të fundit nuk dimë se kush është ai njeri që dëshiron një Shqipëri plot ideale, kush është ai që lufton për të dhe kush është ai që bie pre e dëshirës për të ironizuar dëshirën demokratike. Për mendimin tonë, të treja në rastin e Shqipërisë mund të përmblidhen në një person (në kuptimin përgjithësues të fjalës). Ndryshe nuk kemi si të shpjegojmë një moskokëcarje proverbiale qoftë të elitës, qoftë të popullit të thjeshtë përpara turavrapit tallës të një grushti kacakësh të politikës që pjellin kimera dhe që pastaj na i shesin si sirena. Nuk kemi si të shpjegojmë një revoltë spontane rreth një tavoline për cfarë po ndodh në Shqipëri dhe dorëzimin rreth të njëjtës tavolinë me arsyen se “kështu janë këta, të gjitha gjërat janë të bome gati me kohë dhe se na e kan fut sa krahu”. Ndryshe nuk shpjegohet heshjta e turpshme e sovranit popull pas daljes së sovranit kryeministër, i cili tentoi me stilin unik që ka të na mbushte mendjen se meqënëse dhe në Amerikë vidhen votat, nuk ka arsye pse në Shqipëri të mos bëhet e njëjta gjë. Madje duke flirtuar dhe me dëshirën e tij historike për të na ilustruar këtë me shifra, ai fare mirë mund të na demonstronte shkencërisht se për frymë popullsie vota e vjedhur në Shqipëri është e përafërt me ato të vjedhura në Amerikë… Nëse nuk është koha e maskarenjve, përfundimisht është ajo e mashtruesve, e atyre me patentë, me markë tregtare dhe me të drejtë autori. Në këtë moment, kur absurdi nuk njeh kufi, duhet që këtë t’a integrojmë në parametrat e analizës së shoqërisë dhe të politikës së vendit tonë. Nuk duhet të harrojmë por ta kemi mirë të ngulitur në mendje se jetojmë në absurd, hamë në absurd, pimë në absurd, dëfrejmë në absurd, punojmë në absurd, flirtojmë në absurd dhe flasim në hava. Përurojmë shtatore mbretërish të harruar në bodrumet e historisë duke zhvendosur simbolet e pakta të unitetit, duke futur me dashje ose pa, farën e përcarjes së këtij populli që ka ditur shumë mirë në jetë të jetëve të përcahet për arsye krejt… absurde!
Dhe si pasojë shumë koherente, mbase e vetmja koherencë që na karakterizon si popull, është vijimësia e këtij absurdi dhe në politikë dhe në cdo fushë të jetës. Na duket sikur po bëjmë politikë të madhe, por realiteti është ndryshe. Kemi të bëjmë me një politike që parimit i ka dhënë duart me kohë, cipën e ka pjekur nën dirtën e diellit, ndërsa arrogancën dhe mashtrimin faqebotës e ngre në piedestal. Në fakt, nuk kemi ndërmend të habitemi dhe të analizojmë pse-të, pasi nuk duam të notojmë në absurd. Duam vetëm të cekim pak absurdin duke përmendur ata që shërbejnë si interpretues të orakullit politik dhe që kanë si mision t’i japin popullit mesazhet e rrëmujshme që lëshon politika jonë në mënyrë që populli të qartësohet në lidhje me aktivitetin e tyre: kush është i korruptuar, kush nuk është, kush është konsekuent dhe kush volatil, cfarë qëllimesh kanë dhe si do t’i përmbushin. E kemi fjalën për analistët e shtypit. Kishte nga ata që zinin be e rrufe që e majta nga zgjedhjet do dalë e bashkuar, kishte nga ata që ishin të gatshëm të vetëflijoheshin për ideal, të cilët disa muaj më vonë nuk po gjejnë ende fjalët të për të shpjeguar se si ky ideal u shkel në emër të interesave të ngushta arrogante dhe meskine. Do kishin vajtur disa jetë dëm kot… Por të jesh qesharak nuk vret. Sidomos kur kalojnë disa muaj në heshtje, të bindur se ia hodhën lumit dhe se do të rifillojnë së bashku me vitin e ri shkollor politik, shkrimet e tyre thumbuese ose gudulisëse, varet nga shijet. Ne mendojmë se e humbën një mundësi shumë të madhe për të mos bërë kompromis me ata që demokracinë e shohin si një fjalë të bukur që shkruhet në letër por nuk zbatohet kurrë. Mbase mjeshtrit tanë të politikës u kanë shtënë trutë e gomarit dhe besuan verbërisht në virtytin që qëndron në mes të skakjerës politike. Mund të jetë dhe kështu, në fund të fundit kush do të parashikonte një koalicion të tillë kimerik, atëherë që të gjithë po ndiqnin me një frymë luhatjet e mandatave javën e parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit? Nga ana tjetër, nëse është vërtetë një gjë e tillë, presim prej tyre një analizë të kësaj situate dhe përfundime koherente, ashtu sic janë shprehur se janë dhe do të jenë në analizat e tyre. Por kjo ka shuma gjasa të mos të ndodhë. Arsyet mbeten të errëta, megjithatë duhet të qëndrojmë besnik ndaj absurdit dhe të gëlltisim dhe këtë gjë, pasi duhet t
ë mendojmë si ata dhe të arrijmë në përfundimin se edhe heshtja mund të jetë një mënyrë strategjike e shprehjes së demokracisë…

 

stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *