Shteti vetëshpallet në falimentim

Por nëse kalaja ka vuajtur prej pushtimeve të njëpasnjëshme dhe prej humbjes së rëndësisë së saj strategjike, nuk e kuptojmë nga ç’armik po luftohet ky shteti shqiptar që duhet medoemos të shpallë betejën si të humbur pa e filluar ende? Përse është kaq e nevojshme dhe kaq e ngutshme të shiten mbi 1300 objekte publike? Thuhet se paratë që do të vijnë nga këto privatizime do të ushqejnë buxhetin e shtetit. Është e vërtetë, pjesërisht. Megjithatë, e kemi të vështirë të besojmë se një fitim afatshkurtër, nëse këto objekte do të shiten me çmime të arsyeshme, mund të jetë më i frytshëm se përfitimi afatgjatë që do të kishte shteti nëse do të ruante zotërimin e këtyre objekteve. Një shtet që nuk ka mjetet e nevojshme për të kryer aktivitetin e tij është një shtet i dënuar të zhduket dhe të mos kryejë më asnjë lloj detyre ndaj shtetasve të vet.
Në këtë kuadër detyrash të munguara vendoset dhe shërbimi shëndetësor ndaj shtetasve që me sa duket Qeveria kërkon që ta kalojë në duart e subjekteve private me formulën e konçesionit. Nëse ligji për konçesionet e pranon këtë formulë (në fund të fundit, ligji është shprehja e politikës së momentit dhe politika e momentit diktohet prej ultraliberalizimit të shfrenuar), a është e nevojshme dhe e dobishme të kalohet i gjithë sektori shëndetësor në duart e subjekteve private në të gjithë Republikën dhe në të njëjtën kohë? Kjo pikë ha interpretim dhe ka shumë mundësi që Kryeministri këtë dispozitë ligjore ta ketë interpretuar siç interpreton rregulloret e Kuvendit spartania Jozefinë, dmth mbrapsht.

Por nuk është kjo pika kryesore që duam të nënvizojmë në këtë shkrim. Ajo që duam të theksojmë është dorëzimi pa kushte i prerogativave të shtetit nga vet shteti. Me këtë, ai pranon se nuk merr përsipër energjinë elektrike (furnizim, prodhim dhe shpërndarje) dhe këtu duhet të kujtojmë fushatën e dhënies me konçesion të hidrocentraleve nëpër Shqipëri, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë mbetur ende në fazë projekti, nuk merr përsipër të investojë te objektet që zotëron, duke pranuar më mirë shitjen e objekteve të mbetura shtetërore dhe nuk merr përsipër të zbatojë politika emancipimi të qytetarëve duke menduar si më të vlefshme zënien e trojeve që shërbejnë për të mirën publike (fushat e sportit për shembull) me qëllim ndërtimin e kutive katrore, të quajtura gabimisht apartamente, ku mendohet se do të jetojnë familje dhe së fundi, nuk merr përsipër të zbatojë një politikë publike afatgjatë shëndetësore duke preferuar më mirë të japë shërbimin shëndetësor me konçesion, me pretekstin se një gjë e tillë largon korrupsionin. Policia po bën ende rezistencë, por me shumëfishimin e shoqërive të ruajtjes së sigurisë fizike (të cilat rivalizojnë midis tyre në vënien e emrave sa më foklorikë) kemi besim se edhe ajo do t’i dorëzohet lavdishëm një konçesioni të suksesshëm.

Por, që të kthehemi të shërbimi shëndetësor, preteksti i zhdukjes së korrupsionit nga sektori shëndetësor me anë të konçesionit është farsa e radhës që na servir bukur dhe me pompë të madhe Qeveria e njëmijë e një përlyerve në afera të dyshimta. Mos duhet vallë t’a japim me konçesion dhe Qeverinë? Me siguri dikush do të thotë se a do të ketë realisht marrës të këtij konçesioni problematik? Ka. Dhe janë pikërisht qeveritarët të cilët ose kanë shitur ose kanë dhënë me konçesion pjesë të detyrës së tyre, të territorit shqiptar ose të dinjitetit të shtetasve me qëllim përfitimin e tyre personal. Në këtë kuadër, nuk na habit aspak dhënia me konçesion e sektorit të shëndetësisë, ashtu sikundër nuk e përtypim dot teorinë e zhdukjes së korrupsionit me anë të kësaj metode. Sepse praktika ka treguar se edhe në sektorin privat korrupsioni nuk zhduket, por do të kemi, përveç mbijetesës së këtij fenomeni, rritje të çmimeve dhe shërbim që do të mbetet i dyshimtë (mjafton të lëvizim paksa qendrën e gravitetit nga Tirana dhe do të kuptojmë se si privat ose publik, ndërgjegjësimi ndaj qytetarëve është diku afër zeros). Kryeministri betohet se çdo çmim që do të shkojë përtej atyre të miratuar për shërbimet shëndetësore (?!) do të merret përsipër nga buxheti i shtetit. Buxheti i cilit shtet? Shteti të zhvatur apo shtetit të pasuruar nga objekte që sot për sot nuk kanë vlerë dhe që do të shiten për pak gjë? Ky ultraliberalizëm “alla shqiptar”, më saktë “alla Kryeministër”, nuk të çon asgjëkundi përveçse pasuron ata që janë tashmë të tillë, ul nivelin e shërbimeve parësore ndaj atyre që vuajnë nga niveli tashmë i dobët i këtyre shërbimeve dhe, ç’është me e keqja, vetëshpall shtetin si të falimentuar duke i dhënë sektorit privat të gjitha frenat e drejtimit të tij.

S’do mend që jemi kundër kësaj farse. Korrupsioni nuk zhduket me metoda që nuk i përshtaten Shqipërisë. Korrupsioni zhduket, në radhë të parë duke çuar në bankën e të akuzuarve ata që përfitojnë prej konçesioneve, Ilir Meta ka shumë për të thënë në këtë fushë, korrupsioni zhduket duke ndihmuar sistemin gjyqësor të veprojë dhe jo duke i mëshuar politikave populiste pa bereqet siç ka qënë shpërndarja e numrave jeshilë anti-korrupsion. Ndoshta këto që thamë mund të shërbejnë për t’u ngritur kundër drejtimit që po i jep këtij vendi kjo Qeveri, ndoshta mund të ketë ende të dyzuar, ndoshta ka dhe që mendojnë se privatizimi është shpëtimi. Ndoshta jetojnë në botën mitike të tregjeve perfektë, pa probleme, pa të papunë, pa korrupsion. Por ka ardhur koha të zgjohen. Nëse kapitalizmit nuk i është gjetur ende një zëvendësues i vlefshëm, jemi të detyruar të konstatojmë se as shtetit nuk i kanë gjetur një të tillë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *