Shteti përballë globalizimit (pjesa II)

Vënia nën torturë të një shtetasi amerikan do të kishte ngjallur një indinjatë të pashembullt; tortura nga amerikanë ka prekur, me aq sa po shohim, vetëm anëtarët e grupimeve pacifiste, shumë të tjerë madje e kanë mbrojtur këtë praktikë duke e quajtur si të nevojshme për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Këto asimetri kanë paralelet e tyre dhe në rrafshin ekonomik. Amerikanët numërojnë me dhimbje vendet e punës së humbura në vendin e tyre, ndërkohë që nuk festojnë për krijimin e mijëra vendeve të tjera të punës të krijuara në shtete të tjera të botës shumë herë të më varfër.
Shumica prej nesh do kalojë jetën duke jetuar lokalisht – në qytetin, rajonin ose vendin tonë. Por me globalizimin në bejmë pjesë njëkohësisht në një komunitet planetar. Evropianët e kanë mjaft të vështirë të ambjentohen me të qënit njëkohësisht anglezë, gjermanë, italianë dhe evropianë. Progresi në fushën e ekonomisë i ka ndihmuar disi. E njëjta gjë vlen dhe në nivel botëror: ndoshta ne jetojmë lokalisht, por duhet të mendojmë gjithmonë e më shumë globalisht dhe të konsiderojmë veten si pjesë përbërëse e një komuniteti botëror. Kjo do të thotë diçka më shumë sesa të trajtohen të tjerët me respekt. Kjo do të thotë të pyesësh veten çfarë është e drejtë, çfarë mund të jetë për shembull një regjim tregtar ekuitabël. Kjo do të thotë të vihesh në lëkurën e tjetrit. Cfarë do të na dukej e drejtë nëse do të ishim në vendin e tjetrit? Dhe kjo do të thotë të dallosh me kujdes rastin kur është e nevojshme të imponosh ligje dhe rregulla të përgjithshme në mënyrë që të funksionojë sistemi botëror dhe rastet kur duhet respektuar sovraniteti kombëtar në mënyrë që gjithsecili të marrë ato vendime që i shkojnë për shtat.

Në mënyrë që të ndryshojë mënyra e menaxhimit të globalizimit, është e rëndësishme të ndryshohen mentalitetet. Një gjë e tillë ka filluar tashmë. Debati tashmë nuk qëndron në dikotominë anti apo pro globalizim. Tashmë e kemi kuptuar potencialin pozitiv të globalizimit: më shumë se gjysma e njerëzimit – Kina, India dhe vende të tjera – është duke u integruar në ekonominë botërore; 2,4 miliardë individë të cilat kanë vuajtur luftërat, pasojat e kolonializmit dhe të shfrytëzimit po njohin përqindje rritjeje të panjohura prej më shumë se tridhjetë vjetësh. Kjo përbën një ngjarje historike, e cila duhet vënë në një kontekst historik. Edhe në periudhat më të shkëlqyera ekonomikisht të Perëndimit, gjatë revolucionit industrial ose gjatë “boom-it” që shpërtheu fill pas Luftës së Dytë Botërore, rritja nuk e ka kaluar përveçse shumë rrallë 3%. Rritja mesatare e Kinës në tre dhjetë vjeçarët e fundit përfaqëson trefishin e Perëndimit. Ky sukses i takon edhe globalizimit. Megjithatë, duhet të përmendin dhe anën tjetër të medaljes: recesioni dhe depresioni që vijnë nga mungesa e stabilitetit botëror; degradimi i mjedisit që vjen si rezultat i rritjes botërore që ndodh pa ndonjë rregull të veçantë; një kontinent, Afrika, që po zhvatet nga të mirat e saj, nga burimet natyrore dhe që lihet nën peshën e borxheve, të cilat ajo nuk është në gjendje t’i shlyejë. Edhe vendet e zhvilluara kanë filluar të kenë dyshimet e tyre mbi globalizimin pasi ajo sjell pasigurinë ekonomike dhe pasigurinë. Materializmi ekonomik vlen më shumë se çdo parim tjetër, pasi shtetet e kuptojnë se mirëqënia e tyre, por edhe mbijetesa e tyre, varen nga forcat e jashtme që nuk iu ngjallin gjithmonë besim, siç janë për shembull regjimet pa stabilitet të Lindjes së Mesme. Mund të ketë rritje ekonomike, por për pjesën dërrmuese të popullsisë jeta mund të jetë ndoshta më e rëndë. Ekonomia e “rrjedhjes”, sipas së cilës nga rritja globale e ekonomisë do të përfitojë e gjithë bota, është hedhur poshtë në mënyrë të shpeshtë nga faktet.

Disa thonë se globalizimi është i paevitueshëm, ai thjesht duhet pranuar, rrjedhimisht dhe aspektet e tij negative. Por, meqënëse pjesa kryesore e rruzullit jeton tashmë në demokraci, nëse globalizimi nuk sjell përfitime për shumicën e njerëzve, ata do të fillojnë të reagojnë. Mund t’i mashtrojmë njëfarë periudhe – për shembull t’i bëjmë të besojmë se vuajtjet nuk do të zgjasin dhe që shpërblimi është shumë i afërt – por, pas një çerek shekulli, argumenti nuk do të jetë më i besueshëm. Ekonomia botërore ka njohur disa hapa prapa – niveli i integrimit ekonomik të planetit ka njohur ulje as Luftës së Parë Botërore – dhe mund të ketë akoma të tilla. Tashmë bota ka parë shenjat e parë të përplasjeve kundër globalizimit, edhe në vende të tilla ku globalizimi ka qënë shumë i favorshëm për ta, kur firma të shumta indiane, kineze ose nga Dubai  që dëshironin të blenin ndërmarrje në shtetet e zhvilluara kanë hasur në rezistencë të madhe.
Ndër problemet qe shtron globalizimi, disa janë të paevitueshëm dhe ne duhet të mësohemi t’u bëjmë ballë: teori ekonomike tashmë të mirënjohura kanë provuar se globalizimi do rrisë pabarazinë në vendet e zhvilluara industrialë pasi kjo gjë do të rëndojë mbi pagat, në mënyrë të veçantë ato të punëtorëve të pakualifkuar. Mund ti rezistohet kësaj trysnie mbi pagat, por do të kemi në mënyrë të pashmangshme rritje të papunësisë. Por drejtuesit politikë më të fuqishëm nuk mund të shfuqizojnë këto ligje ekonomike, pavarësisht përpjekjeve të tyre. Ata mund të ndihmojnë shoqëritë tona që të përshtaten me këtë transformim gjigand të shoqërisë sonë botërore, si për shembull Shteti-komb e bëri gjatë kalimit në industrializim para një një shekulli e gjysëm.

Të tjera probleme që lindin nga globalizimi vijnë nga përgjegjësia jonë: rezultojnë nga mënyra sesi është menaxhuar. E kuptojmë më mirë sot. Inkurajimi është shumë i madh kur shohim turma të mëdha, veçanërisht në Evropë, të cilat kërkojnë lehtësimin e borxhit dhe përgjegjës politikë me peshë të kërkojnë më shumë hapësirë për regjimin tregtar ekuitabël, më shumë luftë kundër ngrohjes globale ose më shumë angazhim në uljen varfërisë me 50% në 2015! Megjithatë ekziston një hendek i thellë midis fjalëve dhe realitetit – dhe shumë prej liderëve botërore janë më përpara se zgjedhësit e tyre, të cilët mund të jenë tërësisht dakord me propozimet e drejtuesve tV tyre politikë, por vetëm për aq sa nuk ju kushton gjë…
“Një botë tjetër” është më shumë se e mundshme, është e nevojshme dhe e paevitueshme. Nuk mund të vazhdohet në rrugën që kemi ndërmarrë deri më tani. Forcat e demokracisë janë shumë të fuqishme: zgjedhësit nuk do të lejojnë kurrsesi që të vazhdohet ky menaxhim që është sot. Një ilustrim të mirë e gjejmë në zgjedhjet në Amerikën Latine (vala e fitoreve socialiste radikale në shumë vende të Amerikës Latine). E rëndësishme është të nënvizohet se ekonomia mund të ribëhet, mund të ristrukturojmë globalizimin në përfitim të të gjithëve, të popullsive të vendeve të zhvilluara ashtu dhe në përfitim të vendeve në zhvillim, për gjeneratat aktuale si dhe për ato të ardhshme. Mund të kemi ekonomi dhe shoqëri më të forta, të cilat i japin më shumë rëndësi vlerave të tilla si mjedisi, kultura dhe jeta.
                                                                                                                                 (Joseph Stiglitz)
                                                                                                                            Përshtati në shqip: Oltion Spiro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *