Shteti përballë globalizimit (pjesa I)

Ideja sipas së cilës zhvillimi i Shteteve të Bashkuara ishte vepër e kapitalizmit lënë në mëshirë të fatit nuk është e vërtetë. Edhe sot (libri është botuar më datë 2006), shteti amerikan luan një rol vendimtar për shembull në fushën  e financave. Ai jep ose garanton kredi të shumta nëpërmjet disa programeve: kredi imobiliare, kredi për studentët, për import-eksportin, për kooperativat dhe për ndërmarrjet e vogla. Ai jo vetëm rregullon veprimtarinë  e bankave dhe garanton depozitat, por përpiqet gjithashtu të garantojë që kredia të jetë e aksedueshme për kategoritë e popullsisë që janë lënë pas dore dhe – të paktën deri në një datë jo të largët – për tërësinë e rajoneve të SHBA-së dhe jo vetëm për qendrat e mëdha financiare.
Historikisht, Shteti amerikan ka luajtur një rol shumë të madh në ekonomi për të promovuar zhvillimin e teknologjisë dhe të infrastrukturës. Në shek. XIX, kur bujqësia ndodhej në zemër të ekonomisë, Shteti krijoi të gjithë sistemin e universiteteve bujqësore dhe të shërbimeve të “zgjerimit”. Dhurime tokash të sasive të mëdha stimuluan zhvillimin e hekurudhave drejt perëndimit. Në shek. XIX, Shteti amerikan financoi linjën e parë të telegrafit; në shek. XX, kërkimet shkencore që cuan në krijimin e Internetit.
Nëse Shtetet e Bashkuara njohën një hov të tillë ekonomik, ka ndodhur pjesërisht falë rolit që ka luajtur Shteti për të ndihmuar zhvillimin, për të rregulluar tregjet dhe për të siguruar shërbime shoqërore bazë. Dhe pyetja që i shtrohet sot vendeve në zhvillim është e thjeshtë: Shteti a do të mund të luajë një rol të krahasueshëm? Globalizimi përcakton detyra të reja për shtetet-kombe – t’i bëjë ballë globalizimit të pabarazisë dhe të pasigurisë që ai provokon, të reagojë ndaj sfidës së konkurrueshmërisë që ai përfaqëson –, por në të njëjtën kohë globalizimi ul aftësinë që kanë shtetet për të marrë përsipër këto përgjegjësi. Globalizimi, për shembull, ka cliruar forca të tregjeve të fuqive të tilla që shtetet, në mënyrë të vecantë në vendet në zhvillim, e kanë shpesh herë të pamundur që t’i kontrollojnë. Ata që tentojnë të kontrollojnë flukset e kapitaleve nuk do t’ja arrijnë, pasi individët gjejnë mënyrën që të anashkalojnë normat. Një vend i caktuar mund të dëshirojë të rrisë pagën minimale por njëkohësisht të zbulojë se nuk e ka mundësinë që ta bëjë një gjë të tillë, pasi firmat e huaja të pranishme në territorin e tij do të vendosnin të kalonin në një vend tjetër ku pagat janë më të ulëta.  
Gjithmonë e më shumë, mundësitë e Shtetit që të kontrollojë veprimet e individëve dhe të ndërmarrjeve janë të kufizuara nga marrëveshjet ndërkombëtare që shkelin mbi të drejtat e tij sovrane për të marrë vendime. Një shtet i caktuar që i kërkon bankave që të përcaktojë një përqindje të caktuar të huave të saj zonave gjeografike të lëna pas dore, ose që normat kontabile që reflektojnë me saktësi situatën reale të ndërmarrjeve, do të konstatojë me siguri se nuk mund të pajiset me ligjet e nevojshme për të zbatuar këtë politikë. Firmosja e marrëveshjeve tregtare ndërkombëtare mund ta pengojë në rregullimin e flukseve hyrëse dhe dalëse të kapitaleve spekulative, edhe pse liberalizimi i tregjeve të kapitaleve rrezikon të provokojë kriza ekonomike.
Globalizimi – integrimi gjithmonë e më i ngushtë midis vendeve të botës – nevojit një veprim kolektiv të fortë: popujt dhe vendet duhet të veprojnë së bashku për të zgjidhur problemet e tyre të përbashkëta, të cilat kryesoret – tregtia, kapitalet, mjedisi – nuk mund të trajtohen vecse në një nivel botëror. Por, nëse shteti-komb është dobësuar, institucionet demokratrike botërore që duhet të marrin përsipër në mënyrë të efektshme problemet që lindin nga globalizimi, mbeten për tu krijuar në nivel ndërkombëtar. Ky është një fakt: globalizimi ekonomik ka ecur më shpejt se globalizimi politik. Kemi një sistem kaotik, të paorganizuar të qeverisjes ndërkombëtare pa qeveri botërore, një sasi të madhe institucionesh dhe marrëveshjesh që trajtojnë një seri problemesh, nga ngrohja globale deri tregtia ndërkombëtare dhe flukset e kapitaleve. Ministrat e Financave diskutojnë për problemet finanziare botërore pranë FMN-së pa u interesuar shumë mbi impaktin e vendimeve të tyre mbi mjedisin e planetit dhe të ardhmen e njerëzimit. Ministrat e Mjedisit thërrasin për veprim kundër ngrohjes së klimës, por nuk kanë në dispozicion mjetet finanziare për të vepruar. Është e qartë se nevojiten institucione ndërkombëtare të forta për t’i bërë ballë sfidave të globalizimit ekonomik, por ato që ekzistojnë sot nuk frymëzojnë asnjë lloj besimi. Institucionet vendimmarrëse vuajnë nga një deficit demokratik dhe kjo përbën haptazi një problem. Ky sistem con në marrjen e disa vendimeve që shpesh nuk janë në interes të vendeve në zhvillim. Ajo që e rëndon më shumë situatën është mentaliteti i vendene të industrializuara të avancuara, qeveritë e të cilëve përcaktojnë kursin e zhvillimit të globalizimit ekonomik: ata nuk po tregojnë ende solidaritetin e nevojshëm në mënyrë që të funksionojë komuniteti botëror… (Joseph Stiglitz)

                                                                                                                     përshtati në shqip Oltion Spiro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *