Shteti makabër

Sipas njoftimeve që qarkulluan nëpër lajme ato ditë, dinamika pas atentatit ishte makabre. Kjo po. Pas shpërthimit kanë qënë njerëzit e rastësishëm që janë përpjekur të nxjerrin gjyqtarin nga makina ndërkohë që ai ishte ende gjallë. Nuk ja dolën dot pasi këmbët i kishin ngecur në makinë për shkak të shpërthimit dhe për shkak se makina mori flakë disa minuta pas shpërthimit. Aty kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato së bashku me njerëzit e ndodhur, me anë të një çarçafi të sajuar në atë moment e nxorën dhe e shoqëruan gjyqtarin ende gjallë në një furgon policie për ta çuar në spital. Ambulanca, edhe pse ngjarja kishte disa minuta që kishte ndodhur, nuk u duk në asnjë çast dhe mësohet se gjyqtari ndërroi jetë gjatë momentit të shoqërimit për në spital në furgonin e policisë pa praninë e ndonjë mjeku.

Këto detaje ishin më shumë se rrënqethëse dhe nëse i kanë vajtur në vesh Presidentit të Republikës, duhet të kishte mbledhur një komitet të dytë pas atij që mblodhi me Shish-in, Kryeprokuroren dhe Kryepolicin e Republikës, një komitet ku duhet të ulëriste deri në kupë të qiellit pasi më në fund do të kishte marrë vesh sesi shërben ky shtet popullin e vet në raste emergjence. Por këtë nuk e bëri. Sepse ai e di si shërbehet populli. Kështu është shërbyer dhe kështu do të shërbehet dhe më vonë. Nuk ka pse të shqetësohet. Madje, edhe nëse është shqetësuar ndonjëherë, tashmë e ka harruar për arsye që vetëm qënia në pushtet mund ta shpjegojë, pasi vetëm ajo është e aftë mjaftueshëm për ta tjetërsuar një njeri. Vetëm pushteti e bën të verbër një njeri në Shqipëri, aq sa të mos shohë se ajo që iu duk makabre, nuk njohu të njëjtin reagim pranë popullsisë dhe se ajo që ishte realisht makabre u harrua pikërisht sepse nuk është më në gjendje të shohë, të kuptojë dhe të analizojë shkërrmoqjen e ngadaltë por të sigurt të shtetit.

Pa qënë nevoja që të bëheshin sondazhe, vrasja e gjyqtarit në Vlorë u konceptua nga njerëzit si veprimi i radhës së precipitimit të shtetit drejt një kaosi që nuk i dihet fundi. Disa të lodhur nga opaciteti i gjykatave dhe manovrave korruptive të gjyqtarëve panë te ky gjest një shprehje dufi dhe kërkojnë nga shteti tashmë që të marrë situatën në dorë dhe të rimëkëmbë gjyqësorin për të cilin thuhen dhe janë provuar aq shumë raste padrejtësie me sfond korrupsioni marramendës. Disa të tjerë, shprehën indinjatën e tyre por tashmë të vetëdijshëm se mafia i ka futur hundët shumë thellë dhe nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu është Shqipëria. Por janë shumë të pakët, fatkeqësisht, ata që patën ndjesinë se shteti i tyre u godit aty ku nuk mban dot më, pasi shumica e njerëzve e shohin çdo ditë shtetin e tyre të goditet nga të gjitha anët; e panë vlonjatët në çastin e atentatit, e shohin familjet e viktimave të 21 janarit dhe të Gërdecit, e shohin ata që u janë vjedhur pronat, e shohin njerëzit e thjeshtë në rrugë që denden me gjoba ndërkohë që shikojnë makina luksoze me xhama te zinj të kalojnë para syve të policëve që bëjnë sikur nuk shikojnë, e shikojnë minatorët që për shkak të braktisjes nga shteti po kthehen në motor të zhvillimit social në këtë vend aspak social. Duhet me shumë hidhërim ta pranojmë, se ai atentat i urryer ishte një tregues si shumë të tjerë se shteti nuk ka fuqi, madje është kthyer në një hije të vetvetes, ku as fjalët e ambasadorit amerikan, profetit në jetë të jetëve i klasës politike shqiptare, nuk krijojnë më asnjë lloj pështjellimi, asnjë lloj frike, asnjë lloj reagimi.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *