Shqiptarët e padëshiruar

Sepse, sot po asistojmë në këto ditë të liberalizimeve të mëdha në mungesën më të theksuar të detyrimit që ka shteti për të mbrojtur shtetasit e vet.
Shteti nuk ka njoftuar shtetasit e vet në lidhje me modalitetet e udhëtimit pas liberalizimit të vizave. U trumbetua se pasaporta biometrike mjaftonte, por nuk është e vërtetë. Sot morëm vesh se është miratuar një fond prej 1 milion dollarësh për të sensibilizuar shqiptarët në lidhje me dokumetat që duhen paraqitur në kufi, por nuk kemi asnjë broshurë në lidhje me to; vetëm disa reklama në televizion, me përmbajtje shumë të cunguar, të cilat kanë patur më shumë synim të nxjerrin në pah arritjen e qeverisë sesa merakun për të njoftuar popullin.

Sot, intelektualët intelektualisht në paqe me mbrojtjen e shëmtuar që u bëjnë qeverive dhe që nuk e kanë patur kurrë problem të udhëtojnë jashtë Shqipërisë, po përpiqen të na bindin se pyetjet në lidhje me financimin e udhëtimit, rezervimin e biletave vajtje-ardhje, rezervimet e hotelit, numrat e telefonit dhe adresat e djalit, vajzës, çunit të hallës a të tezes që kemi jashtë shtetit etj… janë afërmendsh të rëndësishme për të kaluar kufirin. Pra, tani na rezulton se Pasaportat biometrike nuk mjaftojnë.
Të mençurit e sipërpërmendur po përpiqen të argumentojnë se edhe në kohën e vizave me të cilën pajiseshim nëpër ambasada, polici i kufirit, po të të shikonte si rrezik potencial, nuk të linte të kaloje kufirin. Kjo gjë mund ishte dhe të vazhdojë të jetë e vërtetë, po vetëm për ato raste që polici i kufirit ka marrë të dhëna se individi në fjalë shfaq rrezikshmëri shoqërore. Sepse pajisja me vizë në ambasadë nuk është “e drejtë për të trokitur në derë” siç përpiqej të argumentonte ligsht sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, por e “drejtë për të hapur derën”.
Dhe këtë të drejtë, fatkeqësisht e ka trashëguar polici i kufirit. Ai ose ajo mund të jetë një individ shumë i mirë, por si i tillë ai përmban doza subjektivizmi të cilat nuk do të ketë kohë t’i menaxhojë dhe në nxitim e sipër mund të bjerë në nivelin e arbitraritetit duke tejkaluar rolin që i takon. Të kontrollosh sa lekë ke me vete, ku do të shkosh sa do të rrish, me kë, ku, si dhe sa kohë, janë kompetenca që i kishte ambasada (nënkupto organet kompetente të shtetit të huaj në fjalë, nëpërmjet të cilave ky shtet shpreh sovranitetin e tij në mënyrë diskrecionare) por që tani rrëshqasin frikshëm në duart e një individi që kush e di, ndoshta ka votuar nëpër sondazhe si ato që përmendëm më lart… Por si shqiptarë që jemi dhe mirëkuptues për çdo gjë, i japim atij kredi, duke konsideruar se çfarë bën në jetën private nuk do të influencojë në punën e tij të përditshme…

Me pak fjalë, e themi me bindje se abuzimi është rritur, shteti ka mashtruar dhe vuajtjet për ta vajtur jashtë do të vazhdojnë për ata që kanë vuajtur deri dje. Dhe ç’është më e keqja, nën miratimin e heshtur të Evropës, e cila duke na treguar karrotën e liberalizimit na nxjerr krejt papritur shkopin e ndëshkimit që e mban në duar polici i kufirit. Ky është një regres mjaft i madh në fushën e të drejtave të njeriut por që Evropa po e kthen në një lajtmotiv të politikës së saj.
Natyrisht disa fjalë në fund për shtetin tonë që nuk duron dot shtetasit e vet do t’i themi. Sepse, në vend që të informonte sesi do të udhëtonin shqiptarët, në vend që të jepte llogari për vonesën njevjeçare të liberalizimit të vizave, shpenzon shuma marramendëse në koncerte anti-kulturore për të festuar këtë “ditë të madhe” për shqiptarët. Shteti bën mirë të informojë shtetasit e vet sepse jo çdokush ka fatin të ketë në avion Ministrin bukurosh sa herë që ikën në Bruksel dhe kësisoj t’i shmanget dhe vigjilencës abuzive të policit të kufirit.
                                                                                                                                                        Stavri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *