Shqipëria në lojën e madhe të gazsjellësve

Mundësia e dytë është financimi i gazsjellësit nga një shtet ose grup shtetesh që mbrojnë interesa të veçanta ekonomike dhe gjeopolitike. Ky opsion është më i vështirë, pasi kërkon një sakrificë financiare nga shtetet që e ndërmarrin, duke qenë se nuk ka një ndërrmarje private të gatshme për ta financuar tërësinë projektit. Në këtë grup hyn edhe projekti i Korridorit të 8-të, ku interesin më të madh për ndërtimin e tij e kanë shfaqur shtete dhe jo kompani private. Më konkretisht, një interes të tillë e ka Shqipëria dhe SHBA-ja dhe më pak Italia dhe Bullgaria. Keto dy të fundit përfitojnë njësoj edhe nga ndërtimi i gazsjellësve alternativë që do të shohim të ilustruar më poshtë.
Problemi kyç i furnizimit të kontinentit me gaz mbetet varësia thuajse e plotë nga Rusia. Aktualisht, Evropën e furnizojnë dy gazsjellësa. Njëri kalon përmes Biellorusisë dhe tjetri (më i rëndësishëm) përmes Ukrainës. Burimi në të dyja rastet është Rusia. Kjo është arsyeja përse shtetet evropiane kanë filluar të shohin mundësitë e furnizimit nga pika të tjera, si psh. në Azinë Qëndrore në Turkmenistan dhe Azerbaixhan ku ndodhen rezerva të mëdha gazi, Irani dhe Iraku në lindjen e mesme apo edhe nëpërmjet vendeve të Afrikës veriore. Megjithatë, edhe këto mundësi furnizimi shfaqin probleme serioze. Problemet e Iranit me komunitetin ndërkombëtar përsa i përket ngritjes së komplekseve bërthamore për qëllime armatimi e përjashtojnë atë, të paktën përkohësisht nga projektet ambicioze evropiane. Turkmenistani ka nënshkruar një marrëveshje me Moskën për tia shitur kësaj të fundit gazin. Një lojë kjo e Rusisë, e cila nuk ka nevoje për gazin turkmen, por që synon monopolin e furnizimit të Evropës. Mbeten Azerbaixhani dhe Afrika Veriore, rezervat e të cilave janë të pakta në raport me nevojat gjithnjë në rritje të kontinentit plak.

Amerika është mbështetësi kryesor i rrjeteve alternative të gazit, sepse i druhet një varësie të plotë të Evropës nga Rusia, deri aty sa është e gatshme të sponsorizojë vetë njërin nga këta gazsjellës që mban emrin Nabucco dhe kalon nga Azerbaixhani, duke përfshirë shumë shtete të tjera si Gjeorgjia, Turqia, Bullgaria, Greqia (dhe Shqipëria degëzim) për të përfunduar në brigjet e Italisë jugore dhe në Evropën Qënrore. Pra pjesë e Nabucco-s për të cilin shtyn Uashingtoni është edhe Korridori i 8-të. Sidoqoftë, për këtë të fundit mbetet vështirësia kryesore e shfaqjes së vullneteve politike dhe ekonomike të shteteteve të përfshira.
Në krahun tjetër, Moska është gjithmonë një hap përpara. Gazsjellësat që kalojnë nga Ukraina dhe Biellorusia nuk jane fort të sigurta dhe këtë e dëshmon më së miri kriza e dimrit të kaluar, ku si rezultat i mosmarrëveshjeve të Gazpromit me këto dy shtete, Evropa rrezikoi të mbetej në të ftohtë ndërsa Rusia me arkat bosh. Kështu shpjegohet fillimi i ndertimit të dy gazsjellësve të tjerë. “North” dhe “South Stream”. Njëri anashkalon Biellorusinë dhe Poloninë për të mbërritur ne Gjermani dhe shtetet e tjera të Evropës veriore dhe tjetri mënjanon Ukrainën për të furnizuar Evropën Jugore. Ky gazsjellës jugor është edhe konkurenti i drejtpërdrejtë i Nabucco-s që mbështetet nga SHBA-ja. Loja për zotërimin e burimeve dhe furnizimin me gaz është e hapur.

Është gjithashtu e qartë që Shqipëria në këtë lojë superfuqish nuk ka dhe nuk mund të ketë peshë të madhe. Por distancimi i qeverisë Shqiptare nga AMBO, ecila financon pjesërisht projektin e Korridorit 8 dhe që mund t’i bashkangjitet si degë projektit më të madh Nabucco, nuk kuptohet se çfarë përfitimesh i sjell vendit. Gjithashtu, afrimi i menjehershëm me Gazpromin mbetet akoma më enigmatik. Projekti “South Stream” i këtij të fundit e anashkalon plotësisht Shqipërinë në favor të Greqisë, paçka se qeveria na e shet si me interes edhe për Shqipërinë. Politika e jashtme e Tiranës është inekzistente dhe nismat e rralla që ndërmerr Shqipëria, ose janë qesharake ose habisin ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndaj edhe kjo lëvizje, sado e papërfillshme në lojën e madhe ndërkombëtare të gazit, nuk duhet të na lerë indiferentë por duhet të na revoltojë të paktën për mungesën e transparencës së shtetit.

                                                                                                   Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *