Shqipëria e despotëve

Në Shqipërinë e shekullit të XX, me shpalljen e pavaresisë, u vunë në provë format e para të qeverisjes moderne edhe pse me vonesë në krahasim me popujt e tjerë. Rezultati i këtyre eksperimenteve sic dihet ishte katastrofik. Dhjetra kryeministra që drejtuan po kaq shumë kabinete, në më pak se 20 vjet, por duhet vlerësuar përpjekja për t’i dhënë një fytyrë evropiane ekzekutivit shqiptar, në një periudhë jo të lehtë midis luftrash ballkanike, formim shtetesh të reja nga hiçi dhe shpërbërje perandorish.

 Që nga ky moment Shqipëria ka njohur pashmangshmërinë e kthimit në identitet. Bindja se vetëm një despot mund ta drejtojë këtë vend është e përhapur gjerësisht, dorëzimi përpara këtij fakti akoma më tepër. Despoti Zog, despoti Hoxha dhe së fundmi despoti Berisha. Tre emra në thuajse një shekull histori. Ky i fundit ka zgjedhur si idhull të parin dhe mundohet ta imitojë ose së paku të jetë një shëmbëlltyrë e përafërt. Ashtu si despotin Zog, e larguan me armë herën e parë dhe ashtu si despoti zog u rikthye për të dytën herë. Ndërsa i pari, duke shfrytëzuar brishtësinë e shtetit të sapoformuar shqiptar, u bë De Juro mbret trashëgimtar, Berisha po bëhet De Facto trashëgimtar i mbretërisë, duke zaptuar toka, pasuri, media, polici, gjykata, politikanë, dhe duke na zaptuar lirinë që ai vetë pretendon se ua solli shqiptarëve. Por Berisha ka marrë edhe disa tipare të despotit Hoxha dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Të mos harrojmë se ai është rritur vërtetë, në gjirin e këtij populli, në një familje me tradita farefisnore, si cdo despot që ka qeverisur Shqipërinë, por është po aq e vërtetë që u formua politikisht si bir i Partisë së Punës…

 Mund të duket i zymtë përshkrimi historik i despotateve shqiptare, vazhdimësia e tyre deri në ditët tona, në epokën e internetit dhe kauçukut, mund të duket i dëshpëruar përfytyrimi i të sotmes dhe të nesërmes nën lidershipin e Berishës, por kush mund të thotë me plot gojë, që sot nuk kemi të bëjmë me përvetësim të fuqisë së shtetit, me grisje të kushtetutës, me abuzim të pushtetit, me inekzistencë të shtetit ligjor, me rrahje gazetarësh, me presione ekonomike, me sjellje të fortësh që aq shumë i ngjajnë banditëve e kaçakëve të periudhës osmane.

 Aksioni i parë i qeverisë Berisha, prishja e mbikalimit tek Zogu i Zi me përçmim të plotë të vendimit të gjykatës, tregonte që synimi ishte të qëverisej vendi siç dëshiron njëshi dhe jo siç thotë ligji. Nëse ligji u shkel për të goditur kundërshtarin politik, atëhere shumë më thjeshtë ky ligj shkelet kur goditet qytetari për interesa personale dhe familjare të despotit. Rasti i dhunimit të pronës private nga shteti në qëndër të Tiranës, në erresirën e natës është shembulli i fundit i asaj që është Shqipëria dhe i asaj që do të jetë nëse vazhdojmë të mbajmë despotët në krye.

 Historia e shekullit të XX-të, jo vetëm e shqiptarëve por e gjithë njerëzimit, me luftrat botërore, luftën e ftohtë, diktaturat popullore e të proletariatit, kapitalizmin dhe format e tjera të qeverisjes të provuara apo të mbetura në tentativë, na ka treguar se barazia sociale, ekonomike madje edhe ajo përpara ligjit është një utopi, por na ka treguar gjithashtu që atje ku ka liri ka shpresë për një të ardhme më të mirë, dhe është pikërisht kjo liri që shqiptarëve u ka munguar dhe vazhdon t’u mungojë. Jemi ne, shqiptarët e shekullit XXI që duhet të dëshmojmë se jemi të aftë të qeverisemi drejtë dhe mire, larg mendësive të vjetra dhe mizorive despotike

                                                                                                                                                                 Onufri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *