Shqipëria do të ndryshojë

Edhe pse jam qytetar i Shqipërisë, nuk e konsideroj veten më pak qytetar se një evropian i Bashkimit. Por kam përshtypjen se kemi në krye një elitë të vjetër të dalë prej rrënojave të komunizmit, që i ka shpëtuar më së mirë kapitullimit të atij sistemi duke u fshehur nëpër skutat më të errëta, dhe këta po, që nuk janë në nivelet e kolegëve të tyre të zonës Shengen. Sikur ky i yni në kolltuk të ngjante sadopak me sojin e tij nëpër kontinent do të kisha pritshmëri për bisedime dhe akoma më shumë, do të kisha pritshmëri nga bisedimet. Kam frikë si qytetar se ky i yni i ngjan më shumë Mubarakut, në disa pikëpamje edhe Putinit dhe atëherë po që duhet të mos na zërë gjumi natën.
Unë uroj, që palët të ulen sa më shpejt në tryezë, dhe në këtë rast kam pritshmëritë e mija nga këto bisedime. Çfarë pres unë që palët të bisedojnë? Unë pres që palët të bien dakord për çështjet që shtrohen më poshtë:

Të respektojnë njeri-tjetrin, të mos akuzojnë njeri-tjetrin jashtë strukturave të drejtësisë, të mos ngjallin urrejte në popull dhe të mos përdorin një retorikë të ashpër të ndërsjelltë. Të respektojnë sovranitetin e popullit, por të dëgjojnë edhe zërin e tij në momente të caktuara, si dhe të mos shprehin arrogancë ndaj popullsisë. Nëse atyre iu duket se kërkojmë shumë atëhere zgjidhja është në shesh.
Të ulen në bisedë konstruktive sa herë që duhet të diskutohen çështje madhore për Shqipërinë. Sa herë që Shqipëria ndodhet në udhëkryq, fqinjët nuk harrojnë të trokasin dyerve dhe kufijve tanë.

Të respektojnë Kushtetutën dhe Institucionet e pavarura të Shtetit shqiptar dhe shoqërisë shqiptare.
Të përpiqen për reformimin e sistemit të drejtësisë e në të njëjtën kohë të shmangin presionin e politikës mbi këtë sistem.
Të angazhohen me vullnet të plotë (si çelësi i suksesit) për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Nëse atyre iu duket se kërkojmë shumë atëhere protesta është institucioni i vetëm që më mbetet për të respektuar.
Të hartojnë një ligj të ri për administratën publike, për të siguruar vazhdimësinë e saj në dekada, dhe jo ndërrime sa herë që ndërron pushteti. Zyrtarët militantë po e gërryejnë si vemje ngrehinën e shtetit shqiptar.

Të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, me vetëdijen e plotë që kjo është gangrena e shoqërisë shqiptare dhe të angazhohen në luftën kundër varfërisë, së vërtetës therrëse që Qeveria përpiqet ta fshehë por që përballemi çdo ditë sikur të ishim mësuar me të.
Të bien dakord për zhvillimet strategjike kombëtare, kryesisht ato që kanë lidhje me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, sigurinë si dhe politikën e jashtme. Boll më me shitje të territorit, boll më me kompromise të paskrupullta në emër të një qëndrueshmërie në rajon për të cilin vetëm ne duhet të bëjmë sakrifica.

Në përfundim të bien dakort që vendi të përgatitet për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, në një kohë të përshatshme, pas hartimit të kodit të ri zgjedhor dhe përgatitje të infrastrukturës përkatëse.
Këto janë pritshmëritë e mija si qytetar i Shqipërisë, pritshmëri që nuk i kanë qytetarët e vendeve të tjera Evropiane sepse këto të drejta minimale i kanë të garantuara e të përvetësuara prej kohësh. Dje në një emision televiziv, Rexhep Qosja u shpreh i habitur sesi nuk reagon një popull i privuar prej këtyre të drejtave minimale. Një popull i rrahur e i poshtëruar si asnjë tjetër, i fyer dhe i grabitur, i lodhur dhe me dinjitet të shkelur me këmbë nga vetë soji i tij, nga njerëzit që prej gjirit të tij kanë dalë. Unë jam optimist dhe kam akoma pritshmëri nga një dialog mes palëve. Por kam edhe frikë se s’do të ketë kompromis dhe frikë nuk kam vetëm për fatin e vendit tim por edhe për fatin tuaj, kumarxhinj të fateve të popullit.
“Qeni që leh nuk të ha” – thotë një fjalë shumë e urtë kryeministrore, por ky popull i raskapitur i Shqipërisë që nuk bëzon fare do ju hajë kokat more të babëzitur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *