Shkëlqimi i përjetshëm i meskinëve

Mirëpo ka një të keqe të madhe dhe këta palo drejtues e kanë kuptuar: universiteti publik është një gjendje të degradueshme, të ngadaltë por të sigurt. Ambjente ku nuk bëhet mësim, pedagogë që merren me punët e tyre private, të dekurajuar nga mungesa e mbështetjes nga shteti, salla pa ngrohje, pa drita, me karrike të kohës së qepës dhe me tavolina me syprinë sinusoidale, mungesë bazë materiale dhe kancelarie, mungesë dëshire, harbutëri në marrëdhëniet me studentët. Nuk janë fjalë kot, janë realitete që i provojmë të gjithë. Mjafton të shikohet salla e keqquajtur “Liria” ose ish kinoklubi te qyteti Studenti, e cila edhe pas rikonstruksionit ngjan po aq e ftohtë dhe po aq e vjetër sa më parë, përveç fasadës. Por në fakt, fasada ka rëndësi.

Dhe fasadën e siguron privati. Dhe për të ndihmuar këtë fasadë po gërryhet çdo ditë e më shumë universiteti publik dhe tani po e gërryejnë dhe ligjërisht, duke bashkërenduar si mos më mirë, praktikën e shkatërrimit të ngadaltë me ndihmën e pakursyer ndaj privatit duke u thënë studentëve “shkoni te privati se shtetërori nuk bëhet më”. Dhe kështu, një mekanizëm i tërë shtetëror vihet në shërbim të privatit, duke sakrifikuar një vlerë të patjetërsueshme siç është universiteti publik.

Në plehra punimet shkencore! Në plehra prestigji i universitetit! Madje në plehra dhe pedagogët e studentët. Në fund të fundit, mund të shkojnë te privati nëse duan ca lekë më shumë. Mjafton që studentët të paguajnë më shumë. Dhe kështu ka për të qënë. Studentët do të paguajnë më shumë në privat sepse gjoja do të kenë kushte më të mira. Koha do e vërtetojë këtë.

Por qëllimi këtu nuk është të rrëzojmë këtë mekanizëm. Qëllimi është për të treguar se sa pak rëndësi ka për ministritë dhe qeveritë në përgjithësi fati i studentëve, pedagogëve dhe stafit ndihmës të universiteteve. Ajo Ministri e di shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhet institucioni që formon 85% të të rinjve shqiptarë. Ajo Ministri dhe myqeremët që janë brenda e dinë shumë mirë që nuk bëhet leksion, e dinë shumë mirë norat dhe halitët se baza materiale është shkatërruar dhe nuk kanë bër asgjë për ta rimëkëmbur sepse i kanë të lidhura interesat e tyre byth e brekë me universitetet private. fatkeqësisht e shohin dhe studentët këtë situatë dhe shumica, duhet thënë e pranon në një disfatizëm të çuditshëm. Aty ku ka mundësi për të ngritur zërin heshtin, aty ku ka mundësi për të protestuar rrinë, aty ku ka mundësi për të uzurpuar gjënë e përbashkët, universitetin, mezi presin që të largohen.

Reforma financiare e arsimit të lartë është krim kundër dijes, është krim kundër mendimit kritik. Si mundet t’u kërkohet studentëve të kritikojnë sistemin, të duan ta ndreqin atë kur ata do të bëjnë studimet e tyrë në ambjente që mbijetojnë prej atij sistemi? Perspektiva e këtij krimi nuk duket aq e largët. Shkatërrimi tendencioz i universitetit publik, me mungesën e investimeve është një fillim “i mbarë”. Dhe që tani duhet protestuar, në mënyrë që studentët, kur të mbarojnë studimet të thonë me krenari se janë diplomuar në një universitet, që me vendosmërinë e tyre, me luftën e tyre të pandalur, me protestat, me shpirtin e tyre kritik, do të kontribuojnë që ta bëjnë më të mirë për të ardhmen, duke moslejuar shkatërrimin barbarë të myqeremve me shokë e me shoqe.

GjeneralMegafoni

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *