Sheshtësia e argumentave të bizneseve

Tani që me shumë gjasa taksa progresive do të hyjë në fuqi, po e shikojmë gjithmonë e më qartë se, si për çdo gjë kur je bishti i kavallës, jemi bërë më katolikë se Papa, më liberalë se shkollarët e Çikagos, për të mbrojtur taksën e sheshtë, një taksë që u lind para pesë vitesh dhe është në të mirë të shumicës dërrmuese të zhduket sa më shpejt. Debati mbi taksat është nga të rrallët ku nuk mund të debatosh dot në lidhje me mosekzistencën e tyre.

Taksat në këtë sistem që jetojmë janë të domosdoshme. Aty ku mund të debatohet është çështja e sasisë së taksave që do të paguhen. E keqja është se në debatin e sotëm në Shqipëri, inkoherenca e kritikëve të taksës progresive arrin në atë pikë sa i ngjan një lëvizjeje të organizuar kundër pagesës së taksës. Nuk jam ekspert ekonomie, por këto ditë kam zbuluar se as përfaqësuesit e kompanive të mëdha me asete “okulte”, të ndihmuara nga artan hoxhët e debateve televizive, nuk ia kanë shumë haberin, ose bëjnë sikur s’kuptojnë në mënyrë që të ngrejnë tymin e panikut, me shpresë se do të ketë dhe një reperkusion politik. Dhe duke bërë këtë, sjellja e tyre jo vetëm është një sjellje prej makutësh, por edhe një sjellje antikombëtare. Në fjalorin e tyre dhe në argumentat e përdorura, kuptohet fare lehtë se po grumbullohen një tufë idesh pa kokë e këmbë, të gjetura aty për aty, përgjithësisht që zgjojnë ndjenjën e frikës dhe të kthimit në komunizëm, frikën e një shpronësimi të padrejtë që po u bëhet pasurive të tyre. Argumentat nuk kanë një fillim dhe nuk kanë një mbarim. Por kanë një inkoherencë. E vetmja koherëncë e tyre. Biznesi shqiptar dhe, le ta themi, edhe individi shqiptar, sidomos ai që jeton mesatarisht apo pak sipër mesatares, nuk e di ç’do të thotë të jetosh nën trysninë fiskale, sepse tërë këto vjet, me Nano e Berishë bashkë, kanë paguar minimumin e mundshëm të taksave.

Madje dhe atë minimum, në mënyrë të paturpshme janë përpjekur dhe përpiqen ta fshehin. Qeveria Berisha i bëri eko këtij qendrimi shoqërisht të dëmshëm, duke vendosur paga reference në 2007, me idenë se në kushtet e Shqipërisë, biznesit i duhet dhënë dhe një shans. Edhe me pagat e referencës, kishte disa që e shtynë paturpësinë më tej duke u shprehur kundër. Mirëpo, me kalimin e kohës e kuptuan se nëse duan të jetojnë në një shoqëri kapitaliste sado fillestare, duhet të paguajnë diçka, sa për të thënë. Dhe kështu, u rrit informaliteti, u legjitimua kjo gjë nga qeveria, madje si të mos mjaftonte kjo, u shpallën dhe u realizuan nja 4 a 5 amnisti për bizneset, sidomos ato me prejardhje të dyshimta, në mënyrë që asetet e tyre të futeshin në qarkullimin ekonomik, pavarësisht prejardhjes. Sikur dhe kjo mos të mjaftonte, askush nuk tha tërë këto kohë një çerek fjale për tërë atë mori punonjësish që punojnë të pasiguruar, që rrinë jashtë orareve zyrtare të punës dhe paguhen sikur të punonin sa gjysmën e orarit të punës, medemek se jemi në krizë dhe çdokush duhet të pranojë këtë situatë ose ndryshe të zbythet. Askush nuk tha asgjë.

Askush nuk po thotë asgjë për shlyerjen e borxheve që këto biznese e shikonin ende me dylbi ka pak muaj, askush nuk po flet për kapjen e pronës publike nga sektori privat, askush nuk flet për dhënien e një shërbimi, apo shitjen e një produkti duke fshehur faturën, askush nuk flet për milionat e eurove që këto biznese i nxjerrin jashtë Shqipërisë, pa u hyrë asnjë gjembë në këmbë dhe pa pyetur njeri. Dhe këta makutë të pacipë tashmë shtangen se do u rritet tatimi me 5%, pra do u shkojë nga 10% në 15%. Jemi në shifra qesharake. Një qeveri që rri tatimin e fitimit vetëm në këto norma nuk është e majtë sa duhet, por është ende në ujëra thellësisht liberale. Taksa progresive ishte një hap i parë që duhej hedhur dhe mes shumë diskutimesh boshe, duhet të promovohet dhe më tej në një hap të dytë, kur Shqipëria të fillojë të marrë frymë dhe kur biznesmenët të kuptojnë se kanë jetuar në një parajsë fiskale ku paguanin shumë pak dhe merrnin shumë më shumë, të thellohet edhe më. Çdo ditë e më shumë del e qartë se ngërçi ekonomik i Shqipërisë nuk i detyrohet totalisht krizës së jashtme, por me sa duket dhe shtrembërimit të tregut brenda, nëpërmjet monopoleve të sajuara dhe borxheve që shteti akumuloi paturpësisht në kurriz të sektorit privat. Çdo ditë e më shumë del e qartë se kemi mbijetuar në një mjedis individual shkatërrimtar për ekonominë dhe shoqërinë tonë. Kjo duhet të marrë fund. Ne nuk mund të jetojmë më nëpërmjet përpjekjeve tona individuale, me lojëra bërrylash për të qenë secili i pari dhe të gjithë të fundit. Kështu nuk lind një shoqëri e shëndetshme dhe nuk do të kemi kurrë mjetet e nevojshme për të qenë të denjë, si komb dhe si njerëz.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *