Sherrnajat e orkestruara

Çështja është se të gjithë bien dakord në një pikë edhe pse e shprehin në forma të ndryshme, dikush thotë se shqiptarëve u kanë ikur 8 vite dëm, dikush tjetër thotë se Berisha punëson ende ish sekretarë partie, dikush kërkon llogari për fotot e Kryeministrit me fëmijët e udhëheqjes, dhe kjo pikë është fakti se Sali Berisha është një ish komunist, që ka 22 vjet që bën komunistin.

Shumë faleminderit të gjithëve, Gjergjit, Aleksandrit, Bamirit, Gazmendit dhe të tjerëve, por ne e dinim me kohë këtë gjë!  Dhe duke e ditur, nuk shpresuam asnjëherë se ai mund të ndryshonte, nuk patëm asnjëherë iluzionin se ai do të përçonte një frymë tjetër nga ajo që ai përfaqëson, stilin e shkatërrimit të organizuar të gjithçkaje, të drejtimit të gishtit drejt një armiku imagjinar që i rrezikon pushtetin, të mbledhjes rreth vetes të lajkatarëve, horrave, njerëzve që shiten e blihen në funksion të interesit.  Mes tyre ishit dhe ju të nderuar.  Nuk ju akuzoj se ju hyni në ndonjë nga këto kategori, me siguri që keni qëndruar afër PD-së ose brenda saj për arsye të tjera nga ato që cituam.  Por e keni mbrojtur, keni besuar në të dhe jam i sigurt qe e dinit që do të zhgënjeheshit dhe ja ku u zhgënjyet.

Por tërë kjo sherrnajë mund të jetë dhe një diçka tjetër.  Mund të jetë dhe pjesë e një loje të bukur mes miqsh.  E dimë se çfarë u bë me Metën pasi shkonte çdo ditë para Kryeministrisë dhe kërkonte kokën e Saliut.  Përse ju, në të ardhmen mos të bëni sërish të njëjtën gjë si Iliri dhe do të keni një legjitimitet që të gjithë do e kuptojnë pasi jeni të djathtë dhe PD-ja është ende forcë e djathtë.  Atëherë, do të pyesim sërish veten: përse tërë kjo për të arritur në një përfundim të tillë?!

Është spekullim, e vërtetë.  Por faktet tregojnë që mund të ndodhë.  Dhe kjo në dëm të Shqipërisë dhe demokracisë së saj, në dëm të institucioneve dhe të paqes sociale.  Kritizerët e Saliut tashmë e kanë kuptuar se kush është, dhe tani duhet të tregojnë se nuk kanë ndërmend të bashkëpunojnë me politikanë si ai.  Shembulli i fundit në listë, por jo më pak domethënës është dalja publike e Kryeministrit ku anatemoi Presidentin se duhet të kishte dekretuar ligjin e lustracionit dhe kështu do të ishin dënuar ata që kanë dënuar njerës të pafajshëm nëpërmjet proceseve që s’kishin asgjë gjyqësore.  Këto lloj deklaratash politike të paprincipta janë si grushti nën rrip në sportin e boksit dhe kjo është loja e preferuar e Sali Berishës.  Së pari, Presidenti edhe sikur ta dekretonte nuk do të ndalte opozitën, Shoqatën e të Drejtave të Njeriut të Helsinkit dhe grupet e tjera të interesuara ta paraqisnin këtë ligj para Gjykatës Kushtetuese dhe e dyta sepse kjo gjykatë e ka shpallur këtë ligj antikushtetues me Vendimin nr. 9, datë 23 mars 2010.  Nga Saliu, respektuesi universal i vendimeve të gjykatave, në parim, nuk duhej të pritej një isntrumentalizim politik i një momenti institucional të rëndësishëm ku triumfon ligjshmëria.  Por ai nuk e vret mendjen për këtë punë.  Ai shkel mbi vendime, parime, njerëz, mjafton ta përulë tjetrin, t’i japë goditjen përfundimtare dhe më pas të dalë triumfueshëm në ballë të turmave dhe të flasë për demokraci.  Pa argumenta, pa fjalë, me shpifje dhe me presion.  Nëpërmjet këtyre mënyrave Hitleri tuti një komb të tërë dhe struku intelektualët gjermanë në vrimën e harresës…

Pra, me pak fjalë, të nderuar kritizerë të sotshëm, ish bashkëpunëtorë të djeshëm, do të gjykoheni nga aktet, jo nga fjalët që po thoni në këto kohë ku është kthyer në modë sulmi politik kundër Qeverisë.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *