Shenjtërimi i heshtjes

Mos të hyjmë në meritat e artistike të veprës. Dikush do të thoshte që është aq e dobët sa i vetmi motivim ishte ikërisht ngjallja e debateve dhe polemikave. S’duhen besuar shumë teoritë konspiracioniste edhe pse ndoshta kanë një bazë të vërtete. Por dhe në këtë fushë nuk dua të përzihem. Dua të rri larg të vërtetës, hulumtimeve, objektiviteteve dhe erzatseve të tyre, të cilat kur bien në duart e shqiptarëve masakrohen në altarin e spekulimeve.

Nuk dua ta shoh atë vepër, sepse gjykoj në radhë të parë, se ka të tjera më të ngutshme për t’u parë. Dhe së dyti sepse do të futem në logjikën e humbamenove të fesë, që për të vërtetuar nëse kanë të drejtë apo jo, ka frymë patriotike në vepër apo jo, ka përmbajtje artistike apo jo, ua bëj qejfin dhe u tregoj se hungërimat e tyre nuk ranë në vesh të shurdhër. Le që, edhe sikur të doja ta shihja atë shfaqje, ajo nuk shfaqet më. Sepse kështu e vendosi obskurantizmi. I cili nuk është vetëm fetar, por edhe rajonal: këtu jemi në Korçë dhe Korça është orthodhokse dhe si e tillë, ajo mbrohet me Bibël e Kuran.

Domethënë jo Korça në vetvete, por protektorati obskurantist mbi të. Vura re një detaj: komuniteti orthodhoks i Korçës identifikohej me një blog që emrin veç shqiptar nuk e kishte. Dhe këtu dua të bëj të vetmin arsyetim me qëllimin që të dal në të vetmin përfundim të këtij shkrimi: jo vetëm që uzurpojnë mendimin dhe pluralizmin ideologjik të një komuniteti, por edhe identifikohen me këtë komunitet, siç do e bënte çdo despot mbi këtë tokë dhe siç e kanë bërë dhe më parë. Në emër të parimeve të shenjta, në emër të heshtjes që po vijon të na mbysë. Siç nuk duhet të flasim për mosarritjet e qeverisë, nuk duhet të flasim as për fe, me përjashtim të rasteve kur ajo shfaqet bukur dhe mëshirëplote.

Më e frikshmja nuk është muri i injorancës që vijojnë të ngrejnë, nuk është parcelizimi i Shqipërisë në fe, klan, parti a çdo injorancë të këtij lloji. Do të ketë gjithmonë individë a grupe të tillë që gjejnë lumturi në mbjelljen e injorancës në mendjen e njerëzve. Më e frikshma është dorëheqja tashmë e konsumuar e inteligjencës shqiptare nga parimet e lirisë dhe të frymës përparimtare, inteligjencë e cila, muslimane apo ortodokse, ka treguar në të kaluarën se në asnjë cep të mendësisë së saj nuk ka vend për obskurantizëm. Ajo po e humb betejën me grupimet që dëshirojnë një Shqipëri pa identitet, mënyra më e mirë për ta përçarë. Po e humb se është e vetme dhe e pashpresë, e dënuar të ligjërojë e vetme ne heshtje, mjeti më i mirë i disave që në kohë të turbullta, e përdorin për të diktuar vullnetin e tyre, si të ishin shumica.

Stavri

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *