Sezoni i ofertave

Gjithçka fillon me Ligjin për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor.  Në këtë ligj parashikohet, ndër të tjera, se “tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1% e diferencës midis çmimit të rivlerësimit me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes”.  Thelbi i këtij ligji është legalizimi i aseteve, të cilat shumë persona nuk dëshironin t’i deklaronin dhe kësisoj kryenin transaksione në lidhje me to në mënyrë të fshehtë dhe mënjanonin pagimin e tatimit 10% mbi transaksionin.  Duke ulur bazën e tatimit (1%) Qeveria kërkon të thithë këto investime duke i futur në hullinë e normalitetit. Është parimi i amnistisë fiskale.  Vetëm se do të shohim pak më poshtë se nuk ishte ky qëllimi kryesor i qeverisë, por mbushja arkës bosh të shtetit me para, si të pikuara nga qielli.

Rikthehemi te radha.  Kam pasur fatin e ndritur që të isha pjesë e saj në dy moment kyçe të historisë së Hipotekës, javën e fundit të dhjetorit dhe javën e fundit të marsit.  Në të dyja rastet afër përfundimit të afatit të rivlerësimit me tatim 1%.  Si gjithmonë që gjërat i lëmë për momentin e fundit, Hipoteka (që këtej e tutje, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do e quajmë me emrin e saj folklorik) kthehet në një fole milingonash, me të vetmin ndryshim se njerëzit aty nuk kanë asgjë të qartë në lidhje me ecejaket e tyre, dhe ku mbretëron një rrëmujë, një ndjesi se nga momenti në moment, pronari do të humbasë pronën, lekët, rrobat, gjithçka dhe do të dalë lakuriq përfundimisht, ashtu siç e solli në jetë Perëndia.  Përveç rrëmujës, mbretëron dhe vonesa: dikush që aplikon në mëngjes, e ka shpresën të dobët që të përfundojë atë brenda orës 4, orarit zyrtar.  Kështu që i duhet të rikthehet të nesërmen.  Një element më shumë që i shtohet amullisë.  Në këto kushte, dalin gjithmonë roje, njerëz të ndryshëm, hallexhinj që të japin kryekëshillën, atë shpëtimtaren që të nxjerr nga balta ku ke rënë dhe nuk di si të dalësh: në rastin konkret këshilla ishte që të vije herët në mëngjes të zije radhën.  Dhe me herët në mëngjes, nënkuptohet ora 4-5 e mëngjesit.  Vendosa t’i dëgjoj dhe kësisoj inaugurova fillimin e një dite marsi duke vajtur qysh ne 4 të mëngjesit në kangjellat e Hipotekës.  Isha i dyti.  Me kalimin e minutave u shtua radha, me njerëz nga e gjithë Shqipëria, të gjithë me halle nëpër supe, por të gjithë me një sens shpotitjeje kundër njëri-tjetrit për arsye kryesisht që lidheshin me origjinën krahinore.  Një mënyrë për të harruar dhe për të pranuar realitetin në të cilin të gjithë ndodhemi.  Pasi kaloi ky moment i “jetës së natës” në radhë, u hapën kangjellat dhe u vërsulën të gjithë për të marrë numrin e bekuar, atë që materializon radhën e zënë që deri në atë moment ishte diçka virtuale.  Por me marrjen e numrit, gjithçka u bë më konfuze se asnjëherë, radhë pa radhë, burra që revoltohen kundër parimit të radhës një burrë një grua, njerëz pa numra që zënë radhë, të cilëve edhe pse u kujton detyrën qytetare të respektit të radhës bëjnë sikur s’të dëgjojnë ose sikur nuk kuptojnë, të gjithë të fokusuar në arritjen e qëllimit egoist.  Dhe askush aty për të disiplinuar turmat edhe pse bëhet fjalë për një institucion shtetëror dhe jo më pak i rëndësishmi.  Më në fund, u hapën dyert e parajsës, tashmë të gjithë mund të futeshin në sallën ku gjenden sportelet por edhe aty, pasi duhet të kaloje derën e bllokuar nga njerëzit që donin të futeshin me dhe pa numër, nuk mund të shpresoje të mbaroje punë shpejt.  Pasi, më në fund, paraqiteshe në sportel, duhet të përballeshe me realitetin e dosjeve të prapambetura që nëpunësi i sportelit duhet t’i shqyrtonte ndërsa prisje në sportel duke duruar peshën e njerëzve që rraseshin nga pas.  Ndërkohë duhet të duroje dhe poshtërsitë e punonjësve sekserë të Hipotekës që pavarësisht se shikonin me sytë e tyre realitetin e turpshëm të turpërimit të njerëzve, i jepnin dosje sportelistit për t’i trajtuar me shpejtësi.  Dhe fatkeqësisht, askush nga fatkeqët e radhës nuk u pështynte në surrat të vërtetën e përçudnimit por shikonin me sytë e fukarait në aspirata dhe ëndërronin sikur ajo dosje të ishte e tyrja…  Dhe kështu shuhen ditët në Hipotekë.  Dhe kështu ne pranojmë realitetin tonë prej delesh.

Gjithçka merr një trajtë nëpërkëmbjeje të pashlyeshme kur dy ditë para përfundimit të afatit, Kryeministri shpall shtyrjen e afatit të ligjit për legalizimin e borxheve tatimore.  Dhe kështu, periodikisht do të kemi njerëz që vuajnë, qeveri që tallet dhe realitet i gjithëpranuar edhe pse kryekëput primitiv.

Përveç problemit të marrëdhënieve të mbrapshta me popullin, prej zgjatjes së afatit të zbatimit të këtij ligji që duhet të ishte ligj i përkohshëm, një problem akoma më i madh që ka të bëjë me mënyrën sesi konceptohet politika fiskale në Shqipëri.  Ligji për tatimin mbi të ardhurat parashikon një tatim 10% mbi fitimin kapital për çdo transaksion (shkurtimisht, 10% e diferencës mes çmimit të shitjes dhe të blerjes së pronës) dhe ky tatim është fiks pavarësisht shumës që del nga kjo diferencë. Ndryshe e quajtur taksa e sheshtë.  Me ligjin për legalizimin e borxheve tatimore synohej “pastrimi” i aseteve dhe ligjërimi i tyre.  Mirëpo, ky ligj shtyu shumë njerëz të shesin pronat e tyre pasi me tatimin e ri të zbatueshëm (1%) do të mund të gjenin blerës më kollaj.  Por kjo situatë nga katër muaj që ishte parashikuar të zgjaste, po shkon një vit.  Dhe kësisoj një tatim anormal po kthehet në normal.  Kjo nuk bëhet më për të ndihmuar bizneset me asete të fshehta por bëhet për të nxitur njerëzit të shesin sa më shumë dhe shteti të fitojë disa kacidhe më shumë në kohëra shumë të vështira ekonomike.  Ndoshta në mënyrën tonë egoiste të të funksionuarit, ky tatim na shkon për shtat, por nëse duam të ndërtojmë diçka të shëndetshme për të mirën publike, kjo rrugë është e gabuar dhe shtron dhe njëherë çështjen e rritjes së buxhetit duke ngritur politika fiskale të efektshme dhe jo sajesa që përjetësohen.

Stavri

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *