SEKSI: KOMUNIST

 Imazhi seksual që na ofron komunizmi është tërësisht i ndryshëm nga ai imazh që kemi sot. Aso kohe synohej që të gjitha energjitë seksuale të harxhoheshin në punën për të mirën e atdheut. Femra komuniste e tregon qartësisht këtë: ajo është e djersitur, me mëngë të përveshura gjer në rrëzë, krahët e zbuluar tregojnë muskujt e saj të hajthshëm, shamia që mban në kokë dhe vështrimi i vëngërt i japin asaj një pamje që “flet sa një mijë fjalë”.

Në fakt, ky imazh është paradoksal. Është e vërtetë që komunizmi synonte që energjite libidiale t’i kanalizonte vetëm në punë. Por është e vërtetë gjithashtu se etërit marksiste e kanë akuzuar fuqimisht kapitalizmin se e shtypte seksualitetin me qëllim që energjia e forcave punëtore të mos shkonte për dëm.
Shkurt dhe shqip: kapitalizëm apo komunizëm qoftë, është e qartë se pushteti i shekullit të XX nuk është “pushtet” por “biopushtet”. Qartësojmë se biopushteti është një pushtet që, ne ndryshim nga pushteti sovran, nuk ushtrohet duke marrë jetë, por duke e mbrojtur jetën. Strukturat e pushtetit nuk përqëndrohen më tek individi por tek popullsia si një fenomen statistikor. Shteti ushtron kontrollen rregulluese mbi lindshmëritë, vdekshmëritë, gjendjen shëndetësore të popullsisë, etj. Me pak fjalë, pushteti kupton se energjia e popullsisë është një pjesë shumë e rëndësishme e kapitalit, prandaj edhe ai synon ta rregullojë atë sipas interesave të veta.
Sidoqoftë nuk duhet të mendojmë se gjatë sistemit komunist në Shqipëri seksi u ndrydh e u shtyp: mjafton të kujtojmë se gjatë kësaj periudhe popullsia e Shqipërisë u dyfishua brenda fare pak kohe.

 

Por si qëndrojnë punët, atëherë?
Le të sjellim ndërmend një ndeshje sportive, volejbolli për shëmbull. Është e qartë se sporti ka të bëjë tërësisht me erotizmin e trupave: energjia trupore, format e hijshme e të bukura, djersa (në Romën e Lashtë, gratë e përdornin si parfum djersën e gladiatorëve). Komunizmi e favorizoi shumë sportin, por nga kjo nuk duhet të arrijmë në përfundimin se ai favorizoi edhe erotizmin dhe seksualitetin. Në qoftë se do të shohim me vëmëndje një ndeshje sportive të asaj kohe do të vëmë re fenomene mjaft domethënëse. Në një ndeshje volejbolli për femra, mund të vihen re këmbët gjatoshe e të bukura të sportisteve, hiret e tyre trupore, forca e tyre… është një pamje ndjellëse. Por, në muret e palestrave sportive sheh shkrime të tilla si “forcë”, “mësim”, “punë”, “kalitje”, e madje edhe “korrigjim”. Shalët e bukura të volejbollistes nuk paraqesin ndonjë nxitje seksuale por forcën e një trupi të kalitur komunist. Volejbollistja nuk është e bukur, ajo është e fortë, e “kalitur”.
Gjithsesi, s’duhet të jemi të bindur se sportdashësi komunist shihte forcën tëk këmbët e bukura të sportistes. Që ai është nxitur seksualisht prej tyre kjo s’mund të mohohet, por kjo nxitje ka patur një karakter krejt tjetër. Ai ngarkohej seksualisht në një ndeshje sporti, por këtë energji nuk mund ta shkarkonte në erotizma boshe – ai mund të shkarkonte atë ose në dhomën e gjumit, ose të nesërmen, në punë.
Seksualiteti komunist është i mbyllur në dhomën e gjumit. Por në dhomën e gjumit nuk ekziston erotizmi. Seksi në dhomën e gjumit kufizohet në një marrëdhënie të shpejtë shkrehëse, madje ndonjëherë edhe e vrazhdë, që është afër marrëdhënies shtazore – riprodhim i thjeshtë. Si të thuash, në seks përfshihet mishi por jo trupi. Ndërsa erotizmi është diçka krejt tjetër nga seksualiteti, madje dikush ka arritur deri atje sa të mendojë se është erotizmi, dhe jo arsyeja, ajo që na dallon nga kafsha. Erotizmi nuk mund të mbyllet në një dhomë, ai është endacak, një bredharak i lirë që endet lart e poshtë rrugëv gri të qytetit komunist.

Pra, mund të thuhet se komunizmi favorizonte seksualitetin dhe ndrydhte erotizmin. Le të ndërtojmë një ekuacion të thjeshtë: në jetën e tij të përditshme, komunisti ngarkohej me një energji libidiale me forcë 3X. Në qoftë se ai do të përfshihej në një marrëdhënie erotike, atëherë atij do t’i duhej të harxhonte një forcë që është më e madhe se 3X duke shaktuar ështu edhe konsumimin e trupit. Por sistemit komunist nuk i hynte në punë një trup i lodhur dhe i pafuqishëm. Dhe, kështu, ai sajoi një grackë për individin. Në një marrëdhënije të thjeshtë seksuale qytetari komunist do të harxhonte vetëm 1X të fuqisë së tij, ose 1.5X nëse do të ishte i pangopur, dhe pjesën tjetër do ta harxhonte të nesërmen në punë. Kështu, punëtori do të kishte mjaftueshëm energji për të punuar dhe për t’u bërë një “hero i punës socialiste”. Gruaja e tij, falë marrëdhënieve seksuale brenda dhomës së gjumit, do të merrte titullin “nënë heroike me shumë fëmijë”. Dhe shteti siguronte në këtë mënyrë një punëtor të fuqishëm dhe një rritje kolosale të popullsisë.
Diferencimi mes seksualitetit dhe erotizmit përbën një avantazh të komunismit krahasuar me kapitalizmin, mbasi ky i fundit duke mos bërë këtë ndarje, nuk ishte në gjendje të siguronte një shpërndarje kaq efikase të energjive seksuale. Në kapitalizëm ose punëtori është totalisht i pakualifikuar dhe e ndihmon biopushtetin vetëm duke rritur popullsinë, ose ai i kushtohet tërësisht kualifikimit të tij dhe sjell në jetë vetëm një fëmijë, për të mos thënë asnjë. Vetëm komunizmi ishte në gjendje të gjente një rrugë të mesme ku punëtori në darkë i kushtohej rritjes së popullsisë dhe në mëngjes ishte totalisht i freskët për të punuar. Në këtë drejtim, komunizmi e tejkalon kapitalizmin.
                                                                                                                                                      Kel Musaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *